Interi u rikthye të stërvitet në Appiaqno Gentile paraditen e sotme, teksa ashtu si të gjithë shokët e skuadrës, në orën 9:30 u paraqit në qendrën stërvitore edhe tashmë ish kapiteni, Mauro Icardi.
Ky i fundit kreu stërvitje të diferencuar, bashkë me Keita Balde, ndërsa më pas iu nënshtrua edhe seancave të fizioterapisë, pasi siç sqaroi klubi zikaltër në rrjetet sociale, kishte shqetësime në gjurin e djathtë.
Në përfundim të stërvitjes, Ausilio, Spalletti dhe Gardini pritën Icardin në një takim, që zgjati përreth 15 minuta dhe ku palët kishin për qëllim që të sqaronin vendimin e sulmuesit për të mos udhëtuar në Vjenë, ashtu si edhe fjalët e shkruara nga ai në Instagram, mbrëmjen e djeshme.
Burime pranë klubit zikaltër raportojnë se Icardi u ka theksuar drejtuesve se gjithmonë ka dhënë maksimumin dhe ka sakrifikuar për të mirën e Interit, ndaj nuk ishte aspak dakord me vendimin për t’i hequr shiritin e kapitenit.
Nga ana tjetër drejtuesit i kanë sqaruar edhe njëherë situatën, duke i treguar se vijojnë të kenë besim te aftësitë sportive të Icardit, ndaj kanë vendosur të mos e gjobitin për refuzimin e grumbullimit për ndeshjen ndaj Rapidit.
Gjithashtu ata i konfirmuan Mauros se negociatat për rinovimin e kontratës do të vijojnë në ditët e ardhshme, kur Marotta do të presë në një takim Wanda Narën, për t’i bërë ofertën zyrtare të Interit.
Më pas sulmuesi është parë të largohet i qetë nga qendra stërvitore e skuadrës zikaltër, ndërsa bashkëshortja menaxhere e tij, Wanda Nara theu heshtjen, duke u kujtuar fansave prezencën e saj të përjavshme në “Tiki taka”, duke paralajmëruar se do të jetë pikërisht emisioni sportiv, ku ajo mund të thotë diçka më shumë.