Një gol në 494 minuta, që prej rikthimit në skuadër, madje edhe ai i realizuar me një 11-metërsh. Bilanci i Mauro Icardit është katastrofik. Në takimin e fundit kundër Chievos, argjentinasi ishte larg pritshmërive, shumë pak aktiv në fushën e blertë.
Tashmë statistikat e sezonit në tërësi flasin për një gol në 215 minuta. Vërshëllimat që e shoqëruan atë tregojnë një marrëdhënie që nuk ka më kthim pas mes tij dhe tifozëve, të cilët deri përpara pak kohësh e kishin idhull argjentinasin.
Për fatin e mirë të zikaltërve, kundër Chievos golat erdhën sepse nëse do të ndaleshin në një tjetër barazim, atëherë skuadra do të rrezikonte shumë përsa i përket synimit për një vend në Champions. Gjithsesi vëmendja ishte tek Icardi dhe argjentinasi thuajse nuk u duk për asnjë moment.
Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi i kampionatit, në të cilën njërën prej tyre pritet që Lautaro Martinez të jetë titullar, mundësitë që Icadi të shfaqet sërish si vendimtar për skuadrën, janë të pakta. Performanca e dobët e argjentinasit ka bërë që edhe vlera e kartonit të tij të bjerë ndjeshëm, krahasuar me deri pak pak kohë më parë.
Situata është e paqartë pasi bashkëshortja dhe njëkohësisht menaxherja e sulmuesit, Wanda Nara vazhdon të përsërisë dëshirën që Icardi të qëndrojë tek Inter. Sidoqoftë palët duken larg njëra-tjetrës.