Icardi “bllokon” merkaton e Interit, nuk ka ndërmend të largohet

2

Mauro Icardi nuk ka ndërmend të largohet nga Interi dhe po bën rezistencë të fortë, duke refuzuar oferta nga skuadra si Roma e Napoli, të cilat kanë shfaqur interes për të.

Sulmuesi argjentinas është i bindur të paraqitet në grumbullimin e skuadrës në fillim të korrikut, për t’i treguar Antonio Contes se mund të jetë një pjesë e rëndësishme e projektit zikaltër, ndaj po refuzon në mënyrë kategorike negociatat për largim.

Bashkëshortja menaxhere e tij, Wanda Nara ia ka bërë të qartë Marottës se në Itali largohet vetëm për t’iu bashkuar Juventusit, por bardhezinjtë nuk kanë ndërmend të shpenzojnë 80 milionë euro për kartonin e Icardit.

As propozimi tjetër i Marottës, për një shkëmbim kokë më kokë Icardi-Dybala, duket se nuk ka mundësi për t’u realizuar, pasi numri 10 i Juventusit nuk ka dëshirë të largohet nga Torino dhe kërkon të luajë shanset e tij me trajnerin e ri bardhezi.

Ndërkohë së fundi Roma ofroi Dzekon, Kolarov dhe 40 milionë euro, për të marrë argjentinasin dhe ndonëse gjeti miratimin e Interit, hasi në refuzimin e prerë të menaxheres së Icardit, Wanda Narës.

Por kjo rezistencë e çiftit argjentinas duket se po mban të bllokuar merkaton e Interit, që deri tani ka arritur akordin për Dzekon dhe Barrelën, dhe për të nisur operacione të tjera, më parë duhet të shesë për të liruar vend në organikë.

Në ditët në vijim nuk përjashtohet edhe një takim i parakohshëm mes Mauro Icardit dhe Antonio Contes, me këtë të fundit që mund t’i komunikojë ish kapitenit se nuk është pjesë e planeve të tij dhe se bën mirë të mendojë largimin.

Megjithatë deri në momentin që të zgjidhet çështja Icardi, por edhe të tjera të lidhura me emra si Joao mario, Nainggolan e Perisiç, merkatoja e Interit pritet të mbetet në vendnumero, pasi pa shitje, nuk mund të ketë blerje të bujshme.

Comments are closed.