Skënderbeu, një kantier i hapur ndërtimi. Pas sezonit të dështuar ku ish kampionët nuk arritën asnjë objektiv, trajneri Ilir Daja synon të bëjë një revolucion në skuadër dhe gjithcka do të nisë nga sulmi. Goditja e madhe e Skënderbeut në merkaton e verës mund të vijë nga Maqedonia. Bëhet fjalë për sulmuesin shqiptar të Shkëndijës së Tetovës, Besart Ibraimi bën të ditur “Supersport”.
Bomberi i ekipit tetovar dhe i Kombëtares së Maqedonisë është vënë në radarët e klubit korçar që kërkon ta transferojë në Kategorinë Superiore për t’i dhënë rolin e violinës kryesore në sulmin e bardhekuqve pas largimit të Hamdi Salihit. 30-vjeçari Ibraimi që aktivizohet që prej dy sezonesh me Shkëndijën ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare dhe është ai emri i duhur për të rindërtuar repartin ofensiv të Skënderbeut që gjithashtu ka hequr dorë edhe nga sulmuesi Ogunjimi, i cili zhgënjeu në sezonin e tij të parë me korcarët ku u aktivizua vetëm në gjashtë ndeshje.