Zlatan Ibrahimoviç nuk dëshiron të rinovojë me Mançester Junajtid. Sulmuesi suedez, i detyruar të qëndrojë jashtë fushe për të paktën 9 muaj si pasojë e dëmtimit të rëndë në gju në ndeshjen e Ligës së Europës kundër Anderlehtit, sipas “The Sun”-it ka refuzuar ofertën e “djajve” për të rinovuar. Kontrata e tij skadon në qershor, por klubi anglez, i kënaqur nga sezoni i 35-vjeçarit, i ka shprehur vullnetin për t’i aktivizuar klauzolën e rinovimit automatik për një tjetër vit.
Propozimi për të zgjatur bashkëpunimin, që në termat ekonomike, arrin diku te 13 milionë sterlina në vit (15 mln euro), iu prezantua nga trajneri Murinjo përpara se ai të dëmtohej. Por klubi e ripropozoi atë edhe pasi Zlatan u dëmtua dhe lojtari e refuzoi atë, sepse nuk e shikon diçka të drejtë që të paguhet teksa nuk luan.