Nga dëmtimi i rëndë te rikthimi në fushë, për të vazhduar me besimin e Murinjos por edhe me rivalitetin me Lukakun. Zlatan Ibrahimoviç edhe pse ka pak kohë që është rikuperuar plotësisht po gjen gjithnjë e më pak hapësira në formacionin e Mançester Junajtedit, jo vetëm sepse nuk ka arritur formën e tij optimale por pasi “Djajtë e Kuq” tashmë kanë në përbërje një sulmues si Romelu Lukaku për të cilin shpenzuan më shumë se 80 milionë euro gjatë verës për ta blerë nga Evertoni. Nga prania e Lukakut në skuadër, aventurës së gjigandit suedez në “Old Trafford” po i vjen fundi me Ibrahimoviç që po mendon seriozisht largimin.
Nuk kanë dyshime për këtë mediat angleze që e japin të sigurt 36-vjeçarit në verë. Ibra në këtë moshë ka nevojë për një kampionat më pak kompetitiv pasi karrierës së tij po i vjen fundit dhe e ardhmja e Zlatanit parashikohet të jetë në “Major League Soccer”. Los Anxhelos Galaksi e dëshiron me çdo kusht dhe po e pret krahëhapur me Ibrahimoviç që do të ketë mundësi t’i shtojë koleksionit të tij të trofeve edhe një titull kampion në tokën e premtuar pas atyre në Holandë, Itali, Spanjë e Francë, gjithmonë nëse arrin të shpallet kampion i Shteteve të Bashkuara me skuadrën kaliforniane.