Jemi sot para godinës së Komunës së Çairit që edhe fizikisht të dëshmojmë se kanë mbetur edhe pak ditë që këtë komunë ta çlirojmë nga pengmarrja që ia kanë bërë këto 12 vite këta që kanë keqqeverisur me të. Kështu të mërkurën ka thënë kandidati i Lëvzijes BESA për Komunën e Çairit, Zeqirija Ibrahimi, i cili para objektit të Komunës në Çair, ka shpalosur, siç ka thënë ai, gënjeshtrat e BDI-së. “Duke filluar nga dita e sotme, ne çdo ditë do t’ju flasim nga ndonjë kënd i Çairit, për t’jua freskuar memorien se çka ka ndodhur me Çairin tonë përgjatë këtyre 12 viteve dhe do ju tregojmë se cila është zgjidha jonë përkitazi me ato probleme. Me këtë rast po e shpalosim paraqitjen tonë të parë, duke ju thënë se ai që gënjen quhet gënjeshtar, ai që mashtron quhet mashtrues, ndërsa ai që nuk e mban premtimin quhet i pabesë. Këto janë definicione që ne i kemi mësuar si fëmijë, por që tash na vijnë ndër mend, kur shohim se oponentët tanë politikë, pra partia që deri tash ka keqqeverisur me Çairin tonë, në vend se të dalë të kërkojë falje për shëmtinë e degradimin që ia ka bërë Çairit, akoma ka guxim të dalë të kërkojë votën e qytetarëve. Për të dëshmuar se çka ka ndodhur me Çairin, sot do ta kujtojmë vetëm një premtim të stafit që deri tash e ka keqqeverisur Komunën e Çairit – ‘gazifikimi i Çairit’. Ky është premtim që kryetari në ikje i Komunës së Çairit e pati bërë me shumë pompozitet dhe siguri se kjo punë do të bëhej gjatë mandatit 2013-2017. Prandaj, kur jemi sot këtu, unë dua t’i pyes qytetarët e Çairit dy pyetje: A ka ndodhur gazifikimi në Çair? Dhe, meqë përgjigjen tashmë e dimë të gjithë, pyetja tjetër është: Nëse dje kryetari i Komunës nuk e ka mbajtur premtimin, pse qytetarët sot duhet t’i besojnë kandidatit tjetër të po kësaj partie? Ne nuk lejojmë të mashtrohemi më. Neve nuk na bëjnë përshtypje prezantimet e bukura në slajde e fotografi të punuara bukur në Photoshop, as llafologjia e tyre, sepse krejt ato janë repriza me epilog të njohur: në fund kryepersonazhi e kryen mandatin duke mos i mbajtur premtimet, e shet shtëpinë dhe ikë në komunë tjetër. Nëse një herë gënjen dhe e thyen premtimin, gjithë jetën mbetesh gënjeshtar dhe i pabesë, ndërsa nëse gënjen 12 vjet rresht dhe pa fund herë, kjo bëhet detyrë e vështirë edhe për matematikanët më të mirë. Megjithatë, ne jemi këtu për t’ju thënë se, pavarësisht se numri i mashtruesve në këtë fushatë është shtuar shumë, ne do të jemi këtu për të dëshmuar se nuk janë të gjithë pjesëmarrësit në këtë fushatë parazgjedhore mashtrues dhe premtimthyes”.