Shkup, 28 shtator – Kandidati i Lëvizjes BESA për Komunën e Çairit, Zeqirija Ibrahimi, ka vazhduar edhe të enjten me shpalosjen, siç ka thënë ai, dështimet e BDI-së në këtë komunë. “Ashtu siç ju paralajmëruam dje, sot po vazhdojmë përsëri të komunikojmë me ju për çështje që kanë të bëjnë me Çairin. Para se të flasim për temën e sotme, do të më lejoni ta falënderoj pushtetin komunal të Komunës së Çairit, sepse sapo ne e përfunduam konferencën e djeshme, ata na e shtuan edhe një argument se ne kemi të drejtë. Ata, meqë e shohin Komunën si organ të Partisë që e ka pushtetin komunal, edhe reagimet partiake i bëjnë në emër të institucionit të Komunës së Çairit. Kështu edhe dje reagimin ndaj nesh, ku nuk kishte asnjë përgjigje se pse kanë mashtruar dhe gënjyer për 12 vjet, e kishin bërë në emër të Komunës së Çairit, edhe pse reagimi kishte të bëjë jo me institucionin e Komunës, por me partinë që e ka pushtetin komunal. Prandaj dua t’i falënderoj që po na ndihmojnë në këtë fushatë. Të dashur qytetarë, kjo është Komuna e Çairit, që është e kapur peng nga Partia, të cilën ne do ta çlirojmë më 15 tetor”, ka thënë Ibrahimi. Ndërkaq sot, ka vijuar më tej Ibrahimi, jemi këtu për diçka tjetër. “Pushteti aktual i Komunës së Çairit në fushatën e vitit 2013 pati premtuar se këtu, në parkingun e Teatrit dhe në hapësirën pas ambulancës, do të ndërtojë garazh në kate. Dhe, kur jemi këtu ne përsëri i kemi dy pyetje: A i shihni diku ju këto parkingje në kate? Dhe, meqë përgjigjen tashmë e dimë të gjithë, pyetja tjetër është: Nëse dje kryetari i Komunës nuk e ka mbajtur premtimin, pse qytetarët sot duhet t’i besojnë kandidatit tjetër të po kësaj partie? Nëse një herë gënjen dhe e thyen premtimin, gjithë jetën mbetesh gënjeshtar, ndërsa nëse gënjen 12 vjet rresht dhe pa fund herë, kjo bëhet detyrë e vështirë për t’u llogaritur edhe për matematikanët më të mirë”, ka akuzuar Ibrahimi. Për fund, Ibrahimi, premtoi se kaosin me parkingjet do ta zgjidh detyrimisht në katër vitet e ardhshme me planin e ri që do ta hartojë vetëm për parkingjet në Çair.