Zllatan Ibrahimoviç ka pasur një impakt të menjëhershëm te Milani, teksa suedezi ka ndryshuar mentalitetin e skuadrës. Kuqezinjtë me sulmuesin në fushë duken një skuadër e tjetërsuar dhe kjo është reflektuar në rezultatet por edhe në lojë. Edhe pse u mposht në derbi me Interin e më pas barazoi ndaj Juventus, “Djalli” lëshoi sinjalet se është në rrugën e duhur.
Por, në moshën 38-vjeçare, Ibrës i duhet të reflektojë për të ardhmen. Sulmuesi ka firmosur një kontratë gjashtëmujore me opsion rinovimin edhe për një tjetër, por nëse do vazhdoj të luaj me kuqezinjtë edhe në sezonin e ardhshëm ky është një vendim që i përket vetëm atij. Ndërkohë, e njëjta situatë është edhe me portierin Donaruma. Gardiani ka një kontratë deri në vitin 2021, por ende nuk ka nisur bisedimet për rinovimin e mundshëm.
Sipas mediave italiane, Donaruma do largohet nëse Milan nuk ia del të kualifikohet në Ligën e Kampionëve dhe në këtë formë ka shtyrë vendimin për rinovim në muajin qershor. Ndaj, kjo verë është e rëndësishme për kuqezinjtë të cilët kërkojnë të konfirmojnë dy lojtarë thelbësor të skuadrës, megjithatë nuk kanë asgjë në dorë pasi vendimi i takon dy futbollistëve.