Interi është i bindur për t’i besuar mesfushën kroatëve, por nëse Ivan Perisiç ishte ai që kërkoi të largohej në janar, është një tjetër nënkampion bote që ka nisur t’i shkelë syrin zikaltërve.
Ditët e fundit, nga Spanja nënvizuan se ideja e re për italianët ishte Ivan Rakitiç i Barcelonës, por me sa duket, më shumë sesa një ide e qartë e Interit, ka qenë vetë futbollisti që i është vetofruar milanezëve.
Arsyeja është se mesfushori i katalanasve është irrituar shumë së fundmi nga indiferenca që drejtuesit e klubit spanjoll kanë shfaqur kundrejt tij, duke qenë se askush nuk është kujtuar për t’i propozuar rinovimin e kontratës.
Ndoshta afrimet e Frenki De Jongut dhe Adrien Rabiosë për verën e ardhshme janë arsyet që drejtuesit e Barçës nuk duan të bisedojnë kontratën që skadon në vitin 2020 dhe kjo gjë ka irrituar jo pak Ivan Rakitiçin, i cili i është vetofruar Interit.
Fundja, aty ai do të gjente një ambient mik, sepse i sigurt është qëndrimi i Marselo Brozoviçit, por ndoshta edhe Ivan Perisiç deri verën e ardhshme do të bindet për të rinovuar dhe së bashku me lojtarin e Barcelonës do të formonin boshtin e kombëtares nënkampione bote.
Interi nga ana e tij është shprehur menjëherë shumë i interesuar për të arritur në një akord me 31- vjeçarin (do t’i festojë më 10 mars) dhe madje është gati që t’i ofrojë Rakitiçit të njëjtën kontratë që kishin bërë gati për kroatin tjetër të Realit të Madridit, Luka Modriçin: 10 milionë euro neto në sezon për katër vitet e ardhshme.
Por ka edhe një kusht që Rakitiç i ka vënë Interit: ata duhet të luajnë Champions-in sezonin e ardhshëm, prandaj në Milano kanë edhe një arsye më shumë për të ndryshuar ritmin e shfaqur në ndeshjet e fundit…