A është e mundur ta falësh njeriun që të ka vrarë vajzën? Kësaj pyetjeje me shumë mundësi, shumë njerëz do i përgjigjeshin jo. Por ky nuk është rasti i Kate Grosmaire, e cila arriti të falë, natyrisht jo pa vështirësi, Conor McBride, të riun e shpallur fajtor shtatë vite më parë, për vrasjen e Ann, vajzën e Kate, në kohën e ngjarjes 19 vjeçe.
McBride pasditen e 28 marsit 2010 hyri në rajonin e policisë së Tallahassee të Florida, SHBA dhe iu afrua sportelit. Gina Maddox, agjentja e turnit, e pyeti se si mund ta ndihmonte. “Duhet të më arrestoni. Qëllova me plumb në kokë, të dashurën time”, u përgjigj ai, duke thënë se nuk po bënte shaka. Vetëm një orë më parë ai kishte qëlluar Ann Margaret Grosmaire.
Ata ishin të lidhur prej tre vitesh, ku ajo ishte një vajzë e gjatë bionde dhe studionte njëlloj si ai në Tallahassee Community College. Për dy ditë me radhë ata ishin grindur pa pushim, si fizikisht edhe me mesazhe dhe në telefon. Një sherr që përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme. Atë mbrëmje, Andy Grosmaire, babai i Ann vrapoi në spital drejt të bijës, e cila ishte shtruar në terapi intensive në Tallahassee Memorial Hospital.
E reja ishte ende në jetë dhe disa funksione cerebrale ishin ende aktive dhe ishte pikërisht vajza e cila me një zë të mekur i tha të atit, “Faleni”. Përgjigja ishte e menjëhershme, “Jo. Absolutisht jo! Është e pamundur”. Por sërish Andy vijonte të dëgjonte zërin e zbehtë të së bijës, “Faleni, faleni”. Pak ditë më pas Ann gjeti vdekjen për shkak të plagëve të marra.
Prindërit e saj nuk e harruan kërkesën e fundit të së bijës për vrasësin e saj. Nuk ishte aspak e lehtë, por e falën. Tashmë, Kate, nëna e Ann shpjegon për ‘Mirror’ se i kanë bërë kërkesë gjykatës për falje dhe se, “Dua që trashëgimia e vajzës sonë të jetë thjeshtë dashuri. Nuk duam që jeta e Conor McBride të shkatërrohet”.