[adning id="476476"]

I vjen era e 97-tës, a do t’i dalë tymi?

21

Meta e ka thënë seriozisht! Përdorimi i ushtrisë, Shqipërinë do të bënte nga një “Kolumbi” do ta shndërronte në një “Çile të Ballkanit”, ndonëse vend anëtar i NATO-s! Veç mund të marrim me mend ç’do të ndodhte nëse “ushtrisë së Metës”, do t’i bëjë “karshillëk” “policia e Ramës”, e diku në mes, të gjendet edhe “policia bashkiake” e Lul Bashës!

Nga Daut DAUTI

Një dramë e shkruar shumë keq! Situata në Shqipëri dita më ditë po vjen duke hyrë në labirintin pa rrugëdalje. Tamam si një dramë ku autori i fut personazhet në situata prej të cilave as vetë nuk di t’i nxjerrë.

Një ëndërr e keqe me sy çelë, që nëse e shikojmë me logjikën e matematikës, si do që të bësh llogaritë, do të japë një rezultat të keq…Kur ke personazhet kryeneçë sikur ata cjapet kryeneçë të përrallës që nuk ia lëshojnë udhën njëri tjetrit kur takohen te ura e ngushtë, pa menduar se të dytë mund të përfundojnë në lum. Ndonëse, kjo ëndërr surrealiste, për vetë aktorët(“cjapet” politikë) mund të ketë tjetër përfundim: në lum mund të përfundojë Shqipëria, jo ata. Sepse ata kur janë në pyetje karrierat e tyre politike, nuk duan të dinë për Shqipërinë, edhe pse dinë të betohen për “kokë” të saj dhe të bëjnë shqiponjën si adoleshentët kur të marrin vendime të marra!

RELATIVIZIMI I SHKAKTARËVE TË KRIZËS DHE KARRIERA POLITIKE PARA INTERESAVE TË SHTETIT

Këto ditë nuk ka shqiptar që përcjell ngjarje politike, të mos jetë i brengosur nga lajmet në Shqipëri. Sepse, kjo është kriza më e rëndë pas fundit të 1996 dhe pranverës së 1997-tës, kur përmbyseshin kursimoret piramidale njëra pas tjetrës, e me këtë edhe të shembeshin ëndrrat e shqiptarëve për fitime pa punë!

Nuk është çështje e vogël të jesh optimist dhe në çdo situatë të komplikuar të kërkosh zgjidhjen, por zhvillimet e fundit, ashtu si po afrohet data e zgjedhjeve lokale, 30 qershori, edhe optimistët më të mëdhenj po i bën të dorëzohen! Sepse, ngjarjet po zhvillohen si në një film “të keq” amerikan. “I keq” jo pse ai nuk bënte në pikëpamje artistike, por pse bënte fjalë për një rrëfim që shkoi ters për heronjtë e vet. Bile vetë titulli e kishte determinuar rrëfimin: “Keq e më keq…”…Në të ngjarja mori dramacitet kur padashtas një grup shokësh vrasin një prostitutë, trupin e së cilës, dhe gjithë rastin u përpoqën ta fshehin, por gjërat shkonin duke u përkeqësuar… Sepse, si zhvillohej ngjarja, gjithnjë shtohej dyshimi gjer në paranojë, se mos ndoshta ndonjërit do t’i shpëtonte goja e të tregonte për vrasjen, duke e pësuar secili në të cilin dyshohej dhe assesi të dilej nga situata…

Rrënjët e krizës janë te motivet për pushtet, kjo nuk diskutohet. Edi Rama, në njërën anë, që me çdo kusht dëshiron ta përfundojë mandatin e tij të dytë dhe në anën tjetër, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, që me çdo kusht duan ta zbresin atë e të hipin vetë në pushtet. Në mes të këtyre dy motiveve në shikim të parë normale, kemi disa situata problematike për të dy palët, të cilat nuk mund të anashkalohen nëse duam të jemi objektivë. Nuk mund të anashkalohet fakti se ndonëse Edi Rama, më me guxim iu hyri disa punëve, kështu dukej në fillim, siç kaluan vitet e qeverisjes, edhe ai hyri në rrugë qorre prej nga e ka vështirë të dalë. Atë që nuk mundte ta bënte më parë Sali Berisha me një fshat të drogës, e bëri Rama me një aksion policie dhe e pastroi nga droga brenda 24 orëve. Mirëpo, ky sukses u zbeh nga faktet brengosëse që dolën në shesh se pas “pastrimit” të Lazaratit, “krejt Shqipëria u bë Lazarat”! Një Kolumbi të Ballkanit, ku lulëzon kanabisi në të katër anët. Ta kishte legalizuar, siç kërkonte Koço Kokëdhima, shumë më mirë do të ishte vënë nën kontroll, se sa kështu. Pra, betejën me kultivimin e kanabisit Rama dukej sikur e humbi, bashkë me luftën e krimit, pasi dolën në shesh lidhjet e drejtpërdrejta të qeverisë së tij (rasti Saimir Tahiri…) me grupet kriminale. Reformën në drejtësi, të cilën e kërkonte Evropa, poashtu e zhvilloi me shumë zell e guxim, por po ashtu edhe këtu hasi sharra në gozhdë, sa për shkak se ka shumë njerëz të partisë së tij ose gjykatës, të cilët i kapë “paragrafi”. Rezistenca e madhe bëri që me vite të flitet për reforma, e ato assesi të zbatohen. Në anën tjetër, natyrisht, në pritë është opozita, e cila po aq sa pushteti, ka rezistenca ndaj reformave, sepse krerë të mëdhenj do të përfshihen edhe nga kjo strukturë. Muajve të fundit u zbuluan edhe raste blerjesh të votave në zgjedhjet e kaluara nga ana e Partisë Socialiste, që krizën e bëjnë të përafërt me atë në Maqedoni kur nisën të publikohen “bombat” e Zaevit, ku midis tjerash, dolën në pah edhe disa manipulime zgjedhore. Kësisoj, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit i dhanë shkas për ta trajtuar pushtetin e Edi Ramës si jolegjitim dhe për ta ashpërsuar jo vetëm retorikën, por dhe veprimet, sidomos ditëve të fundit, të ndihmuar nga kryetari Ilir Meta, i cili, zgjodhi anën “e atyre që nuk duan zgjedhje” kundrejt atyre “që duan zgjedhje”, siç u shpreh një analist.

PËRPLASJA E KOMPETENCAVE INSTITUCIONALE

Djegia e mandateve për të bërë presion, nuk ia prishi rehatinë Edi Ramës, duke e trajtuar atë si të drejtë të opozitës që të zgjedhë strategjinë e veprimit. Për shumë analistë, një veprim tejet i gabuar. Pa përkrahje të faktorit ndërkombëtar, opozita u la të vazhdojë me protesta, por kthesa serioze pasoi ditë më parë kur kryetari Ilir Meta, i cili gjatë kohë pati rol të padefinuar, vendosi të çdekretojë zgjedhjet që më parë i kishte dekretuar për 30 qershor. Në këtë mënyrë, është hapur një kapitull i ri, ai përplasjes së kompetencave të institucioneve, si tepër i i rrezikshëm, i cili tashmë në mënyrë dramatike e ka tensionuar situatën. Dhe tash më rrezikon që Shqipërinë nga një “Kolumbi të Ballkanit”, sinonim për trafikimin e drogës, ka gjasë të përfundojë si një Çile “revolucionare” e kundërrevolucionare”, kur s’do të dihej kur ishte më mirë, pas revolucionit apo pas grushtshtetit!

Pas dekretit të Ilir Metës, nuk do të ketë më Shqipëri normale, kjo tashmë shihet, sepse nga përplasja e institucioneve, po kalon në përplasje midis simpatizantëve të partive, një hap drejt së keqes së madhe… Kam pasur rastin ngjarjet e 1997-tës në Shqipëri, t’i përcjell për së afërmi dhe s’do të doja që e keqja të trashet prapë si atëherë! Por, nishanet nuk janë të mira. Obstruksionet që u bëhen organeve lokale zgjedhore, që përshkohet me shumë incidente midis simpatizantëve të opozitës “që mbrojnë dekretin e presidentit” dhe policisë, nuk dihet ku do të përfundojnë. “Zgjedhje nuk do të ketë”, njëzëri flasin liderët opozitarë, të cilët jo që thirren në bojkot, por në pengesa që “populli” do t’u bëjë këtyre zgjedhjeve, që është një paralajmërim dramatik. Opozita as që e fsheh qëllimin, e as mënyrat se si populli do ta bëjë këtë. Brenga që e kanë ngritur shumëkush e ka absurdin brenda: “A për shkak të Maqellarës të digjet Shqipëria?” pyeti një gazetar. Pra, për një plesht të digjet gjithë jorgani, siç thotë populli. Si gjithkund, edhe këtu bëhen përpjekje për t’i stërmadhuar nga njëra palë dhe minimizuar nga pala tjetër. Shqipëria, si shoqëri dhe si kulturë, po dëshmon se nuk ka kapacitete demokratike. Animoziteti i ndërsjellë gjer në urrejtje patologjike dhe frika për karrierat politike, ndikojnë që interesi i përgjithshëm të lihet në plan të dytë.

Më 30 qershor nuk do të ndodhin zgjedhjet e njërit bllok politik dhe abstinenca e tjetrit bllok. Atë ditë njëri grupacion politik do të pengojë grupacionin tjetër! Atë ditë mund të ndodhë që të përdoret ushtria për të mbajtur rend, siç nuk qe e zonja ta bënte në vitin 1997! Meta e ka thënë seriozisht! Përdorimi i ushtrisë, Shqipërinë do të bënte nga një “Kolumbi” do ta shndërronte në një “Çile të Ballkanit”, ndonëse vend anëtar i NATO-s! Veç mund të marrim me mend ç’do të ndodhte nëse “ushtrisë së Metës”,do t’i bëjë “karshillëk” “policia e Ramës”, e diku në mes, të gjendet edhe “policia bashkiake” e Lul Bashës!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)