Një xhamie në Berlin i është vënë zjarri të dielën në mëngjes, disa orë pasi policia tha se do të niste një hetim për një sulm të ngjashëm në një xhami në Shtutgart.
Pak pas orës 2 të mëngjesit të së dielës, departamenti i zjarrfikësve u thirr për të intervenuar në xhaminë “Koca Sinan” në Kuhleweinstrase, Berlin, që ishte përfshirë nga zjarri në një sulm të dyshuar të zjarrvënies së qëllimshme. Deri kah ora 3 e mëngjesit, zjarri u vu nën kontroll, raporton AFP.
Zjarri në këtë xhami vjen pas një sulmi të ngjashëm të qëllimshëm në një xhami në qytetin Laufen të enjten mbrëma, që shkaktoi dëme materiale para se imami t’ia dilte ta fikte zjarrin. Nuk pati pasoja në njerëz, transmeton Koha.net. Prokurorët në Shtutgart dhe policia lokale thanë të shtunën se pesë persona janë në kërkim për tentim-vrasje në lidhje me sulmin në Laufen.
Në një deklaratë të përbashkët, ata thanë: “Disa konteje molotovi janë hedhur në xhami përmes një dritareje të hapur”, duke shtuar se incidentin po e trajtojnë si sulm të mundshëm racist apo anti-islam. Në Gjermani jetojnë rreth 3 milionë turq etnikë. Të shtunën, lideri i këtij komuniteti, Gokay Sofuoglu, e cilësoi incidentin si një “krim çnjerëzor” dhe “akt terrorizmi”.
Vetëm vitin e kaluar, në Gjermani u regjistruan 950 sulme ndaj myslimanëve apo vendeve të lidhura me islamin, sipas ministrisë së Brendshme gjermane.