Një incident i rëndë ka shoqëruar turneun e Vueltës së Spanjës në çiklizëm. Për shkaqe ende të panjohura, një piroman i ka vënë flakën autobusit të skuadrës irlandeze “Aqua Blue”, që garon në këtë turne, duke e djegur plotësisht atë. Lajmin e ka bërë publik vetë skuadra, që ka postuar në faqen e saj “Twitter” edhe foto nga autobusi thuajse i shkrumbuar nga flakët, tashmë jashtë përdorimit. “Autobusi i skuadrës tonë është shkatërruar plotësisht gjatë natës, nga një akt vandal i një personi të papërgjegjshëm”, thuhet në deklaratën e skuadrës irlandeze “Aqua Blue”. Incidenti ka ndodhur gjatë natës, kur në autobus nuk kishte njeri, pasi të gjithë ndodheshin në hotel. Policia spanjolle ka nisur hetimet dhe ka arrestuar një person, që dyshohet se i ka vënë flakën autobusit, që përdoret për shoqërimin e çiklistëve dhe stafit gjatë turneut.