Urim HASIPI
Tetovë, 14 mars – Fillimi i krismave të para në Malësinë e Tetovës mobilizoi ushtrinë dhe policinë e Maqedonisë. Ata menjëherë u spostuan në shumë punkte policore në Tetovë dhe rrethinë sidomos në hyrje-daljet e qytetit që u bënë edhe një tmerr i vërtetë për qytetarët në atë periudhë, shkruan gazeta KOHA. Pikërisht në dalje të qytetit të Tetovës për në Jazhincë, në atë kohë ushtronte biznesin e tij Remzi Aliu, një banor i lagjes Drenoc. Por që kur u vendosën forcat policore në punktin afër stadiumit të qytetit dhe përreth pronave të tij, ai u detyrua të braktis këtë biznes duke i lënë objektet në mëshirë të forcave policore.
Çdo herë kur vjen marsi, atij i rikthehen kujtimet kur i është dashur që të lë në duart e policisë dhe ushtrisë pronën e tij, gjegjësisht barakat ku kishte biznes të tij familjar dhe prej nga siguronte kafshatën e gojës.
“Fati im i keq ishte që gjatë asaj periudhe, deri sa zhvillohej konflikti, në objektet e mia afariste, në mënyrë të dhunshme, pa pëlqimin tim, u futën forcat policore, duke m’i demoluar objektet dhe vjedhur tërë mallin, orëmatësin e rrymës elektrike, orëmatësin e ujësjellësit, inventarin, kompjuterin, makinën e shkrimit dhe gjithçka që kam patur brenda objekteve”, kujton periudhë e para 17 viteve Remzi Aliu, banor i lagjes Drenoc të Tetovës. Pas përfundimit të luftës, ai kërkon dëmshpërblim nga shteti, por gjyqi sjell vendim negative duke mos mundur të konstatojë se kush i ka shkaktuar dëmin, ushtria apo policia. Për Aliun, ky konstatim ishte jo i logjikshëm dhe i paargumentuar ngase dihet se aty kanë qëndruar të dy formacionet e uniformuara, kurse sipas tij, padia ka qenë ndaj shtetit dhe jo ndaj njërës prej këtyre dy institucioneve të sigurisë.
“Normal që pas përfundimit të konfliktit, kërkova dëmshpërblim nga shteti, sepse shteti ma bëri dëmin. Procedura gjyqësore vazhdoi tetë vite me radhë dhe në fund – me vendim të gjykatës, humba gjyqin me një arsyetim banal. Nga të gjitha argumentet e ofruara në mënyrë zyrtare të formuluara dhe të nënshkruara nga ekspertë të kësaj lëmie, gjyqi nuk mund të konstatojë se kush ka qëndruar në objektet e mia afariste: ushtria apo forcat policore”, thotë për gazetën KOHA, Aliu. Për dëmin që pësoi Aliu thotë se askush deri më tani nuk e ka vizituar 17 vite pas përfundimit të luftës.
“Prej atëherë e deri më tani, asnjë nga të zgjedhurit e popullit, qoftë pozitë apo opozitë, nuk erdhi të ma qajë hallin për katrahurën që përjetova. Për mua viti 2001 ishte një vit i shpresave, për një të ardhme më të mirë, sepse si i diferencuar politik nga ish-sistemi monist, natyrisht se më erdhi mirë që filloi ky konflikt, në mënyrë që edhe ne shqiptarët në Maqedoni t’i gëzojmë të drejtat e barabarta, ashtu siç i gëzojnë popujt dhe nacionalitetet e ndryshme në gjithë botën demokratike, por në realitet nuk ndryshoi asgjë”, shprehet i revoltuar ai. Pas luftës, Aliu renovoi barakat ku kishte biznesin e tij, dhe vazhdoi më punë deri në vitin 2006, kur edhe përfundimisht ato baraka u larguan ngase nga ai vend sepse u zgjerua rruga dhe u ndërtua rrethrrotullimi tek stadiumi i qytetit dhe njëherë e përgjithmonë u shuan shpresat se ky banor i Tetovës do të mund të marrë dëmshpërblimin për dëmin që pësoi 17 vite më parë. (koha.mk)