Para pak ditësh një 26-vjeçar shqiptar vrau babin e tij, pasi ai abuzonte seksualisht me të, motrat dhe vëllezërit e tij.
26-vjeçari ka dalë para trupit gjykues, por para objektit të Gjykatës e kanë pritur me duartrokitje një grup qytetarësh grekë, të cilët e kanë përgëzuar për aktin e tij.
Referuar atyre që ka zbardhur media greke, shqiptari u prit me brohoritma dhe duartrokitje para gjykatës së Zakinthos teksa shoqërohej nga policia dhe duart i kishte në pranga.
“Të lumtë, bravo! Ne jemi krah teje, jemi me ty!”, kanë thirrur qytetarët grekë drejt shqiptarit.
Në dëshminë e tij, 26-vjeçari, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, ka rrëfyer se babai i tij 70-vjeç, abuzonte seksualisht me të, dy motrat dhe vëllezërit më të vegjël.
Avokati i shqiptarit, Panagiotis Kefallinos ka deklaruar, se klienti i tij e ka pranuar fajësinë, dhe ai falënderon qytetarët për mbështetjen.
“Kjo është një çështje jashtëzakonisht serioze me shumë pasoja dhe janë shumë të rënda. Ne falënderojmë qytetarët, pasi kjo ka të bëjë me karakterin e fëmijës dhe etika e tij është një justifikim. Përtej kësaj, sa i përket veprës së tij, si do të gjykohet ky akt mbi drejtësinë, ato i përkasin një organi tjetër. Klienti im e ka pranuar fajin tashmë. Unë nuk jam një pozitë për të dhënë udhëzime. Do veproj brenda kornizës së ligjshmërisë për të mirën e klientit tim”, ka thënë avokati.
Ndërsa motra e 26-vjeçarit, e cila gjendej jashtë gjykatës ka thënë se ndihet krenare me vëllanë e saj.
“Nuk mund të themi asgjë! Ne e dimë çfarë është një fëmijë dhe rëndësinë e tij. I falënderoj të gjithë ata që na mbështesin. Ndihem shumë krenare që ai është vëllai im!”.
26-vjeçari përshkruhet si një qytetar shembullor, ai ka luajtur futboll në ekipin Elatiakou, këtë vit në kategorinë e dytë dhe se motivi kryesor që ai u tërhoq ishte abuzimi që kishte pësuar nga babai i tij.
Kur ai u largua nga gjykata, shqiptari ngriti duart lart dhe e falënderoi botën për mbështetjen dhe duartrokitjet ndaj tij. /gazetametro.net