At Gjergj FISHTA
(23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940)
I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u paraqitën në shekullin e njëzetë.
Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në veprat e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.
Deri më 1899, Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve.
Në janar 1899 ai bëhet bashkëthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi.
Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe veprat e Fishtës të kësaj periudhe.
Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj.
Menjëherë ai futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë.
Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar.
Më 1908, ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”. U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare.
Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publiçistike që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj.
Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqi, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim formimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar.
Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës.
Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar.
Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, shkruan, boton e riboton pareshtur.
Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj.
Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e veprimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë”, (1937)…
Veprat:
– Lahuta e Malcíse – poemë (Zarë, 1925)
– Anzat e Parnasit – satirë (Sarajevë, 1907)
– Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)
– Shqyptari i gjytetnuem – melodramë (1911)
– Shqyptarja e gjytetnueme – melodramë
– Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912)
– Hylli i Dritës – revistë (1913), themelues.
– Juda Makabé – tragjedi (1914)
– Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923)
– Mrizi i Zânavet (Shkodër, 1924)
– Shën Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927)
– Lahuta e Malcís – botimi komplet (1937)
– Jerina ase mbretnesha e luleve, (Shkodër, 1941)
Poezi, sikur është shkruar sot :
Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t`ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t`na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m`do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me `i gjysmë setre t`pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me `i komçë t`njtitme nën grykë:
pantallonat me “gjyslykë”
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t`tanë gordec e berbalec
pa ndo `i msim, pa ndonji dije,
me `i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t`gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n`”smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s`kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m`sahan t`huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m`pash,
edhe besa me “gulash”
me “afishe” e me “sultjash”,
me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure,
“tarator”, “pilaf me kos”,
“mish me qepe” e “majdanos”
“shish qebap”, “brizholla viçi”,
“kunguj t`mbushum”, “kuzuici”,
“kabuni”- e “mualebi”.
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t`Atdheut
kane ra n`luftë si shqipe t`leta,
kanë shkri gja e shpija t`veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n`vend qi ju me u vu n`konop,
a se brinjt m`jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m`ndo `i prrue
për me shtrue ndo `i rrugë të shtetit…