Këtë 9 shtator, përkujtohet në 20 vjetorin e ndarjes nga kjo jetë, si personalitet i shquar nga gjithë ata që e njohën, veçanërisht nga ne, pasardhësit e tij, si një falënderim për imazhin dhe respektin që la si trashëgim e krenari
Trashëgiminë personale e lë çdo mendje e kohërave. Disa lënë vepra, e të tjerëve ju kujtohen vetëm thëniet. Të paktë janë ata që lënë të dyja bashkë, vepra dhe thënie të mira, e ne patëm fatin që shtyllën e familjes ta kishim “të bekuar” me virtytet më të larta njerëzore. Mes brezit të përvuajtur të intelektualëve dibranë, me meritë qëndron emri i Nazmi Kolarit, i cili u lind në një familje dibrane me tradita dhe kulturë, në vitin 1924.
Shkollimi i zbuloi mendjemprehtësinë dhe ambiciet e kërkimit të diturisë. Jeta e njohu me shumë “fate” të rezervuara për brezin e tij, të cilat mbase ia zgjeruan horizontin e njohjes së historisë të vendit. Leximi dhe ndjekja e vazhdueshme e shtypit, ishin “ushqimi” i kalitjes së intelektit të tij, të reflektuar pastaj në shoqërinë që e rrethonte. Të dalluar mes miqsh e bëri, pastërtia dhe eleganca, moslejimi i gabimeve, matja e fjalëve dhe mendimeve, idetë emancipuese e përparimtare, veçanërisht momentet e ndarjes së drejtësisë ndershmërisht. Duke u bazuar në vlerat e tij, disa miq veçojnë se “gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por Nazmiu do jetë i pavdekshëm dhe hyjnor”.
Pavarësisht rrethanave specifike-ekonomike të kohës, ai arriti që të shkollojë pasardhësit e tij në profesione të ndryshme, të cilët i shërbejnë Dibrës e më gjerë me përkushtim, duke gëzuar respektin e të gjithëve. Kulturën e traditat e vendit i promovoi nëpër manifestime të ndryshme, veçmas luajtja e valles dyshe dibrane, për të cilën u bë mjeshtër i vërtetë popullor, duke u radhitur në plejadën e artistëve popullorë dibran. Këtë 9 shtator, përkujtohet në 20 vjetorin e ndarjes nga kjo jetë, si personalitet i shquar nga gjithë ata që e njohën, veçanërisht nga ne, pasardhësit e tij, si një falënderim për imazhin dhe respektin që la si trashëgim e krenari. (Arsim Kolari)