I pastrehu shqiptar bën gjestin e rrallë: Gjen kuletën, ia kthen pronarit

Marini është pedagog pianoje në Universitetin e Arteve në Tiranë, ndërsa Ismeti mbledh shishe dhe kanaçe mes mbeturinave. Të dy burrat i lidhi bashkë së fundmi, një portofol.

“Po mblidhja plastikë, kur gjeta një portofol me dy karta banke, 4 fotografi. Mora numrin në një kartë banke dhe mora në telefon fillimisht bankën. Fitova 520 lekë atë ditë dhe me 300 lekë bëra ofertë në telefon. Më pas i shkruaj Marinit në Facebook. Sa zbrita nga autobusi e njoha. Ndihem i lumtur që e bëra këtë veprim”, tha Ismet Hilaj.

Gjithë kohën Ismeti ankohej se ka marrë ftomë, pasi po fle jashtë pas problemeve bashkëshortore.

“Këtu flej që nga fillimi i muajit”, tha Ismet Hilaj, duke treguar një strukturë betoni.

Pedagogu i pianos, Marin Gjollma tregoi se, pasi kishte kërkuar gjithandej për portofolin, lexoi mesazhin në Facebook.

“Kjo tregon se janë disa njerëz që nuk duken, por që janë më qytetarë dhe më me vlera sesa ata që e thërrasin nga mëngjesi në darkë për qytetari. Ky portofol ka një histori. Më ka humbur edhe një herë tjetër jashtë vendit”, tha Marin Gjollma, pedagog

Pedagogu i pianos nuk do ta njihte kurrë Ismetin e pastrehë, po të mos ishte në këtë mes ndershmëria e tij.