Si rrallëherë kreu i Komunitetit Mysliman shqiptar, Skender Bruçaj ka dalë në një deklaratë kur luhet një ndeshje futbolli. Reagimi i tij është nxitur nga veprimet policore dhe hetimore, të cilat arrestuan katër persona të dyshuar për sulme terroriste gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael. Lajmi se lojtarët e Izraelit janë të kërcënuar në Shqipëri prej sulmeve të ISIS-it ka detyruar Bruçajn të nxjerr në pah faktin se myslimanët shqiptarë kanë mirëpritur hebrenjtë pas luftës dhe se askush nuk duhet të ketë frikë prej tyre. Reagimi i plotë i Skender Brucajt në Facebook: “Krenarë për popullin tonë ndër shekuj, që diti historikisht të ruante vlerat më të larta humane, atë të mikpritjes dhe tolerancës e harmonisë ndërfetare. Krenarë për të parët tanë myslimanë shqiptarë, besimtarë e bujarë, që strehuan mijëra hebrenj në shtëpitë e tyre gjatë Luftës së II-të Botërore, duke u bërë vendi i vetëm në Evropë, që kishte më shumë hebrenj pas lufte se para saj. Sportistëve dhe mysafirëve nga Izraeli i uroj qëndrim të qetë e në paqe në token shqiptare! Dhe gjithashtu i uroj fitore kombëtares së mrekullueshme shqiptare, për të cilën jemi të gjithë krenarë!”.