Bujar KURTAJ
Shkup, 15 nëntor – Ka lindur në Zagreb, pasi më herët familja e tij nga Gradeci kishin migruar në Kroaci. Pasioni për futbollin tek ai kishte lindur qysh në moshën e fëmijërisë, ndërsa hapat e parë i ka bërë për të rinjtë e skuadrës “Zelengaj” nga Zarebi që më pas në vitin 2004 të vazhdon te klubi i njohur “Zagreb”. Pasi e vërejtën talentin e tij, drejtuesit e këtij klubi në vitin 2008 e angazhuan në radhët e tyre, derisa këtë ai e shpagoi me paraqitjet fantastike, ku nga 121 paraqitjet sa i kishte për gjashtë sezone, shënoi 24 gola. Derisa, si rezultat i kësaj ai u bë i njohur edhe në Maqedoni, ku drejtuesit e Federatës i dërguan ftesë që ti mbroj ngjyrat e shtetit nga e kishin prejardhjen prindërit e tij. Edhe pse kishte luajtur për të gjitha grupomoshat e Kroacisë, ai vendosi të pranojë ftesën e seleksionuesit Boshko Gjurovski. Fjala është për sulmuesin e djathtë Besart Abdurahimi, futbollistin aktual të KF Shkëndija, i cili në intervistën për gazetën KOHA, rrëfen hapat e parë të karrierës futbollistike, klubet ku ka luajtur dhe përshtypjet e tija.
KOHA: Besart ke lindur në Kroaci, ndërsa familja jote është nga Gradeci. A mund të na tregosh se prej kur familja jote ka migruar në Zagreb?
ABDURAHIMI: Po mendoj se diku në vitin 1980 prindërit e mi janë vendosur në Zagreb dhe prej atëherë jetojnë atje ku janë përshtatur me jetën dhe kanë krijuar gjithë kushtet për jetë.
KOHA: Karrierën futbollistike e fillove pikërisht në qytetin e lindjes Zagreb, respektivisht për të rinjtë e KF “Zelengaj Zagreb” dhe KF “Lokomotiva” dhe KF “Zagreb”. A mund të na tregosh për fillimet e karrierës dhe çka të shtyri që të merresh me këtë sport?
ABDURAHIMI: Duke llogaritur futbollin si sportin numër një në botë dhe faktin se shumica e të rinjve merren me këtë sport edhe unë kam nisur që në moshë shumë të vogël. Kam pasur fat të kem mbështetje nga familja që më kanë dërguar në vendin e duhur ku talenti im ka mundur të shihet nga njerëz profesionistë dhe kjo ka ndikuar më masë në mënyrën si rrodhën gjërat.
KOHA: Për të rinjtë e KF “Zagreb” luajte katër vite që më pas të nënshkruar kontratë profesionale me këtë ekip ku luajte plot 6-të vite. Si erdhi deri te ajo që të nënshkruash me KF “Zagreb”.
ABDURAHIMI: Ishte normale që të mos mendoj shumë para se të firmos kontratë profesionale me Zagrebin, duke marrë parasysh faktin se kalova shkollën e futbollit në një klub të tillë serioz, duke u dëshmuar në secilën prej kategorive të reja. Firma me ekipin e parë ishte shpërblim i punës dhe unë tani më kisha mundësinë të provoj veten me seniorët dhe në elitën e futbollit korat.
KOHA: Dhe doli që nuk gabuan që drejtuesit e klubit të angazhuan profesionalisht pasi në 121 paraqitjet për KF “Zagreb” arrite të shënosh 24 gola. Cilat janë arritjet tuja gjatë gjithë kësaj kohe te skuadra nga Zagrebi?
ABDURAHIMI: Kam luajtur 4 sezone me Zagrebin dhe në këto 4 vite tre herë jam zgjedhur lojtari më i mirë i klubit. Domethënë kisha sukses shumë të mirë individual, mirëpo mungonte disi suksesi më i shënuar ekipor. Jemi ndalur dy herë në vend të katërt, një pozitë larg Kupave të Evropës dhe kjo ndikoi të mos ecin gjërat ashtu si doja, megjithëse personalisht ecja shumë mirë.
KOHA: Në shkurt të vitit 2014 mediat në Shqipëri të shihnin si alternativë në sulmin e Kombëtares së Shqipërisë. A është kjo e vërtetë dhe pse nuk u realizua kjo?
ABDURAHIMI: Nuk është e vërtetë, të paktën nga ajo që di unë! Asnjëherë askush nuk më ka kontaktuar nga Federata e Futbollit të Shqipërisë për të folur për diçka të tillë. Kjo është e vërteta e vetme!
KOHA: Mirëpo, në të njëjtën kohë të kërkuan edhe nga përfaqësuesja e Maqedonisë , me çka pranove ftesën e tyre ndërsa më 14 maj iu përgjigje ftesës dhe debutove në ndeshjen kundër Kamerunit dhe Katarit. Çka ishte vendimtare që pranove të luash për Maqedoninë dhe jo për Shqipërinë.
ABDURAHIMI: E thash se Shqipëria nuk më ka kontaktuar asnjëherë dhe ky nuk mund të ishte opsion. Ndërkohë në atë periudhë morra ftesë nga Maqedonia, konkretisht direkt seleksionuesi i atëhershëm Boshko Gjurovski. Kam analizuar situatën dhe në fund vendosa të luaj për vendin e lindjes së prindërve te mi.
KOHA: A je penduar që ke zgjedhur Maqedoninë dhe jo Shqipërinë?
ABDURAHIMI: Nuk kam pasur asnjëherë mundësinë të zgjedh ndërmjet këtyre dyjave dhe rrjedhimisht nuk ka hapësirë për keqardhje.
KOHA: Po çfarë u bë me Kroacinë. Ata nuk kërkuan nga ti që tu bashkohesh atyre, duke marr parasysh se kishe kaluar të gjitha gjeneratat si U16, U17, U18, U19, U20 dhe U21.
ABDURAHIMI: Mendoj se pak fat më ka munguar për të rrjedhur gjërat ndryshe. Unë kam luajtur për Kroacinë prej gjeneratës U16 deri në U21 dhe kur duhej të bëj atë hapin e madh në karrierë mungoi kalimi në një klub më të madh që do më mundësonte të jem konkurrent për përfaqësuesen më të mirë kroate. Luaja në klub ku kishim president të vështirë për tu kuptuar ta themi, kishte oferta të mira për mua por ai kërkonte shumë para dhe kjo bëri që unë të mos realizoja kalimin në ndonjë ekip më të madh edhe pse nuk mungonte interesimi. Kjo bëri që shanset e mia të luaj për Kroacinë të zvogëlohen pasi në formacion luanin lojtarë të klasit botëror që vinin nga klube të mëdha evropiane. Ishte e qartë se pa qenë pjesë e ndonjë klubi të njohur dhe të madh nuk mund të shpresoja të jem konkurrent te Kroacia. Kur gjërat shkuan kështu dihej se nuk mund të ushqeja shumë ambicie për të pasur hapësira te Kroacia dhe duke llogaritur se te Maqedonia do të kem shansin të luaj vendosa të marr hapin që morra.
KOHA: Sigurisht se e mban mend ndeshjen me Luksemburgun në tetor të vitit 2014, kur në minutën e 92 shënove golin e fitores për 3-2. A mund të na përshkruash edhe njëherë atë moment?
ABDURAHIMI: Patjetër se kujtoj, është moment i veçantë për mua. Ishte ndeshja e parë kualifikuese si vendas, unë më në fund kisha rastin të luaj para familjes sime, para njerëzve të mi dhe në momentin që kam shënuar golin për fitore 3:2 në fund të ndeshjes askush nuk ka qenë më i lumtur se unë në atë moment.
KOHA: Ti kthehemi karrierës internacionale. Në vitin 2014 nga KF “Zagreb” u transferove në Izrael në formë të huazimit te skuadra e Hapoel Tel Aviv ku qëndrove një sezon, ndërsa më pas luajte për Llokerenin ku luajte dy sezone, pra deri në vitin 2016. Sa ke mbetur i kënaqur me paraqitjet tuaja në këto klube?
ABDURAHIMI: Ndjeja se ishte koha për tu larguar nga Zagrebi për të provuar ndonjë sfidë të re, të bëj hapin e radhës në karrierën time. Por vërtet kisha pengesa nga klubi pasi presidenti refuzoi shumë oferta nga klube në Evropë, duke kërkuar shuma të mëdha për dëmshpërblim. Ishte shumë i rëndë në bisedime dhe qasja e tij bëri të humb raste shumë të mira për transferim. Kështu u mbyll afati kalimtar dhe si opsion i fundit mbeti Izraeli për të shkuar si huazim për një vit. E pranova këtë dhe kalova një sezon në Hapoel Tel Aviv të Izraelit ku mendoj se ishte vit i suksesshëm. Si pasojë erdhi edhe ftesa nga përfaqësuesja e Maqedonisë dhe gjërat ecën mirë. Pas gjithë kësaj ndodhi transferimi në Belgjikë te Lokereni. Më në fund nuk ishte huazim, por transferim i plotë pasi Lokereni bleu kartonin tim nga Zagrebi. Atje gjërat shkuan shumë mirë, lidheshin paraqitjet pozitive në seri edhe për klubin edhe për Maqedoninë. Shumë skaut filluan të më ndjekin dhe mendoj se më ma munguar shumë pak fat për të përfunduar në ndonjë klub më të madh nga ndonjë kampionat më i fortë se ai i Belgjikës. Në moment të keq kam pësuar lëndim dhe fatkeqësisht nuk u realizua asgjë nga ajo që shihej si opsion për të ndodhur.
KOHA: Më pas pësuat një rrënje pas nuk kishit hapësirë te Lokereni, ku drejtuesit ju huazuan në dy herë, fillimisht te Astana dhe më pas te Çerezo Osaka.
ABDURAHIMI: Ndërkohë që po kaloja problemet me lëndimin në Lokeren ndryshuan shumë gjëra, trajneri dhe filozofia dhe projekti i ri në klub ishte ndryshe nga ajo që doja unë dhe meqenëse kjo situatë nuk më pëlqente kam kërkuar vetë të largohem nga klubi. Kjo ishte arsyeja që fillimisht u huazova te Astana në Kazakistan, më pas te Osaka në Japoni. Këto ishin dy stacionet e radhës në karrierën time. Në Japoni mundesha dhe duhej të vazhdoj pasi realisht kisha kushte shumë të mira, mirëpo ndërkohë më lindi djalë dhe për mua dukej e vështirë të qëndroj larg familjes në një tjetër kontinent dhe mos shoh gruan dhe djalin minimum nga 2-3 muaj. Kjo bëri që unë të mendoj për tu kthyer diku më afër familjes dhe prandaj vendosa të qëndroj në Evropë.
KOHA: Pasi edhe këtu nuk gjetët hapësirë, pranuat kërkesën e KF Shkëndija, e cila bëri goditje të madhe këtë vit dhe nga janari jeni pjesë e këtij klubi. Sa jeni i kënaqur me realizimin e këtij transferimi si dhe paraqitjet tuaja të deritanishme?
ABDURAHIMI: Pasi unë doja të kthehem në Evropë dhe ndërkohë mes disa ofertave morra ftesë nga Shkëndija, ishte shumë normale të pranoj të vij në një skuadër nga vendi për të cilin unë luaj. Mund të them se isha shumë i lumtur kur gjithë kjo u realizua dhe mund të them se kisha pritje të mëdha dhe isha shumë i motivuar për tu dëshmuar dhe për të ndihmuar klubin të arrijë nivelet që dëshiron dhe meriton.
KOHA: Këtë vit jeni në rrugë të mirë që klubit t’ia sillni titullin e dytë të kampionit, ndërsa jeni në garë edhe për trofeun e Kupës së Maqedonisë. A mendoni se keni kualitet dhe forcë që në Tetovë ti sillni këto dy trofe?
ABDURAHIMI: Jo që mendoj, por besoj fuqishëm se mund ta bëjmë këtë. Me respekt për gjithë skuadrat tjera, mendoj se Shkëndija ka ekipin më cilësorë në Ligë. E tani për tituj ndonjëherë duhet të plotësohet komplet mozaiku, pasi janë shumë gjëra në pyetje. Këtë vit duket se ecim në rrugën e duhur dhe e vetmja që kemi nevojë tani është të ruajmë vazhdimësinë. Megjithëse personalisht kam bindjen se kjo skuadër mund të rritet ende në çdo aspekt. E jona është të punojmë dhe besoj në fund të kemi arsye të festojmë titujt që padyshim i meritojnë tifozët tanë, Tetova por edhe pronarët e klubit.
KOHA: Me Shkëndijën keni nënshkruar kontratë 1.5 vjeçare. Ku e sheh veten në të ardhmen?
ABDURAHIMI: Po kam kontratë deri në fund të këtij sezoni. Te shohim, asnjëherë nuk i dihet pasi në jetë mund të ndodh gjithçka. Unë koncentrohem në punën time, tjetrën t’ia lëmë kohës.
KOHA: Cili është momenti më i mirë që të ka ndodhur në karrierën e deritanishme si dhe momenti më i keq?
ABDURAHIMI: Si moment më të mirë do e ndaja debutimin me Lokerenin në Belgjikë ku shënova që në ndeshjen e parë për një fillim që do ta dëshironte çdo futbollist. Ndërkohë e shtoj këtu edhe golin me Maqedoninë kundër Luksemburgut për fitore 3:2, për më shumë që i njëjti erdhi disa sekonda nga fundi, në minutën e 93-të. Momenti më i keq mendoj ishte lëndimi në Belgjikë që erdhi në momentin më të keq të mundshëm. Dy muaj mbeta jashtë terreneve pikërisht në periudhën kur isha pranë për të realizuar lëvizje të madhe, transferimin e karrierës sime. Ky ishte moment delikat që më ndali disi hovin.
KOHA: Kush ka qenë mbështetësi më i madh i Besartit në karrierën e deritanishme?
ABDURAHIMI: Mbështetjen më të madhe gjithmonë e kam pasur nga bashkëshortja. Edhe kur isha në Izrael, Belgjikë, Kazakistan apo Japoni, gjithkund ishte me mua dhe më ka mbështetur pa rezervë. Normal edhe familja që më kanë mbështetur prej fëmijë dhe gjithmonë kanë qëndruar pas meje, për çka jam shumë falënderues.
KOHA: Duke marr parasysh se ke luajtur në Zagreb, Izrael, Belgjik, Kazakistan dhe Japoni si dhe tani jeni në Maqedoni (Tetovë), cilin nga këto shtete do ta kishe veçuar dhe për çka?
ABDURAHIMI: Secili nga këto vende ka qenë i bukur në mënyrën e vet. Kam përjetuar përvoja të bukura, por edhe të keqja. Do t’i kujtoj vetëm përjetimet e bukura, ndërsa të këqijat do të mundohem ti harroj. Normal nëse duhet të veçoj një prej gjithë këto vende atëherë Japonia është diçka që duhet përmendur pasi vërtet kam kaluar bukur në gjitha aspektet dhe nëse nuk do ishte lindja e djalit mendoj se ende do të isha atje.
KOHA: Kush është në jetën private Besarti?
ABDURAHIMI: Njeri familjar që kohën e lirë dua ta kaloj me të afërmit e mi, bashkëshorten dhe djalin. Mundohem të respektoj fenë, falem, më pëlqen të gatuaj, të shëtis në natyrë. S’di, këto janë gjërat që mendoj se më karakterizojnë.