A do të ishte e pranueshme që në Francë, vendi që ka pësuar sulmin më gjakatar terrorist të viteve të fundit, një fëmijë të quhet Xhihad? Rasti i një çifti në qytetin e Tuluzës ka ngjallur mjaft polemika në Francë, ku autoritetet civile franceze e kanë çuar në gjykatë çështjen. Prindërit myslimanë të djalit të vogël mbrohen duke thënë se Xhihad në gjuhën arabe do të thotë mundim, përpjekje dhe nuk lidhet domosdoshmërish me atë që njihet “lufta e shenjte”. Ligji në Francë u lejon prindërve të vendosin çfarëdolloj emri për fëmijët, me kushtin që ky emër të mos shkojë kundër interesave të të porsalindurit. Fjala xhihad apo xhihadist lidhet ngushtë me përshkrimin e militantëve të Shtetit Islamik. Në vitin 2013 një grua në Francë u dënua me 2 mijë euro gjobë dhe burgim me kusht, pasi dërgoi djalin 3-vjeçar me emrin xhihad në shkollë, me një bluzë me mbishkrimin “Unë jam një bombë” dhe “Xhihadi lindi më 11 shtator”.