Me bashkërenditjen e vlerave perëndimore me politikat e jashtme të Perëndimit politikanëve të korruptuar ballkanik po u mbetet vetëm dera e pensionimit të parakohshëm(nëse jo ajo e burgut!), ndërsa për politikanët e rinj kjo strategji e Joe Biden është një sinjal që për ta ka vetëm dy rrugë: ose qeverisja e mirë e cila vjen me miqësinë, ndihmën dhe partneritetin e ShBA-ve, ose korrupsioni dhe pasurimi personal e cila vjen në paketë me ndëshkimin dhe pensionimin politik!
Nga Omer AJDINI
Me 3 qershor, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lëshoi një Memorandum agjencive dhe departamenteve me çka i urdhëroi që të studiojnë dhe të japin rekomandime se si të përmirësohet lufta e ShBA-ve kundër korrupsionit. Me 8 qershor, Presidenti Biden lëshoi urdhër ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor me çka deklaroi që personave që janë të involvuar në korrupsion dhe që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e Ballkanit do t’u ndalohet hyrja në ShBA dhe do t’u ngrihet pasuria që mund ta kenë në ShBA. Ky duket që është fillimi i një fundi jo të mirë për të gjithë ata të cilët kanë arritur të zhvatin paratë e qytetarëve të tyre duke qëndruar me mendje në Perëndim ndërsa me vepra në Rusi!
“Korrupsioni kudo dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme, sigurinë kombëtare dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuaratë Amerikës dhe partnerëve dhe aleatëve tanë. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të promovuar përgjegjësinë dhe për të luftuar pandëshkueshmërinë për ata që janë përfshirë në korrupsion në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën”. Ky paragraf i marrë nga Urdhri Ekzekutiv i lëshuar nga Presidenti Joe Biden më së miri e shpjegon qasjen të cilën administrata e Presidentit Joe Biden duket që do ta ketë në politikën e jashtme në raport me korrupsionin. Siç duket, paaftësia e liderëve të Ballkanit Perëndimor për të siguruar qeverisje të mirë po dikton një të ardhme në të cilën politika e jashtme e ShBA-ve përfundimisht do të sheh bashkërendim me vlerat perëndimore siç është qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, etj. E kjo po që është një sihariq i mirë për qytetarët e vendeve të korruptuara siç jemi ne!
Fatkeqësisht, qasja në politikën e jashtme të Perëndimit deri tani jo gjithmonë ka qenë në të njëjtën vijë me vlerat elementare demokratike në të cilat thirren vendet e Perëndimit. Pra edhepse shumë politikanë dhe udhëheqës janë thirrur në miqësi me Perëndimin, ata kanë vjedhur paratë publike, kanë manipuluar procese zgjedhore, e çka jo tjetër, ndërsa Perëndimi pak ka kontribuar që këto politikanë të marrin ndëshkimin e nevojshëm duke i dhënë prioritet partneritetit strategjik në vend të vlerave demokratike. Mirëpo siç duket kësaj katrahure po i vije fundi sepse Presidenti Biden siç duket e ka kuptuar që e vetmja mënyre për të ndërtuar aleat të mirëfilltë të cilët sigurojnë mirëqenie për qytetarët e tyre dhe i rezistojnë shtrirjes së influencës kineze dhe ruse në Ballkan është unifikimi i Perëndimit dhe insistimi në respektimin e parimeve bazë të demokracisë, ndër të cilat është edhe qeverisja e mirë apo lufta kundër korrupsionit.
Në një kontekst siç është ky i Ballkanit Perëndimor, ku politikanët përmes korrupsionit kanë akumuluar shuma marramendëse të të hollave dhe me ato të holla mbajnë afër tyre oligarkë e kriminel të cilët u sigurojnë vota e “fitore” përmes manipulimeve që u bëjnë proceseve zgjedhore, qasja e re në politikën e jashtme të ShBA-ve është shumë e mirëseardhur, sepse paraqet një shpresë të re për thyerje të rrethit vicioz në të cilin paratë e korrupsionit ja zgjasin jetën korrupsionit.
Operacionalizimi dhe efektet konkrete të këtij plani është herët të parashikohen saktësisht, megjithatë një gjë është e qartë: ka ardhur koha që nuk mund të jesh më edhe i korruptuar, edhe mik i ShBA-ve! Pra udhëheqësit tanë nuk do të mund të thirren në partneritete strategjike me ShBA-të, të sillen nëpër korridoret e ambasadës së ShBA-ve dhe në të njëjtën kohë të jenë nëpër skandale korruptive si “MagyarTelekom”, “Pacienti”, manipulimi i proceseve zgjedhore, etj. Ata që e kanë bërë Maqedoninë e Veriut shtetin më të korruptuar në Ballkan duket që nuk do t’i kenë punët mirë!
Me një fjalë, me bashkërenditjen e vlerave perëndimore me politikat e jashtme të Perëndimit politikanëve të korruptuar ballkanik po u mbetet vetëm dera e pensionimit të parakohshëm(nëse jo ajo e burgut!), ndërsa për politikanët e rinj kjo strategji e Joe Biden është një sinjal që për ta ka vetëm dy rrugë: ose qeverisja e mirë e cila vjen me miqësinë, ndihmën dhe partneritetin e ShBA-ve, ose korrupsioni dhe pasurimi personal e cila vjen në paketë me ndëshkimin dhe pensionimin politik!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)