Bujar KURTAJ
Shkup, 25 korrik – I larguar nga futbolli prej disa vitesh, Olxhaj Bajram ka pesë vite që jeton në Angli në një qytet afër Lesterit, por duke mos hequr dorë nga pasioni i tij i hershëm, futbolli. Pos biznesit që e ushtron bashkë me një shok të tij, ish-futbollisti i Slloga Jugomagnat (tani FC Shkupi) po tenton dal nga dalë që një dit të fillojë të punojë si skaut. Ndryshe, Olxhaji ka lënë gjurmë në futbollin vendor, në vitet 1997/2005 duke luajtur përskaj emrave të mëdhenj që kanë mbetur legjenda të skuadrës së Slloga J. me të cilën fitoi tre tituj, tre kupa dhe luajti pothuajse në tetë finale të Kupës së Maqedonisë. Në intervistën e tij për gazetën KOHA, ish-mesfushori tenton të sjell kujtime që lidhen me futbollin e atyre viteve, ku ndjehet më tepër, dashuria dhe respekti për shokun dhe ‘kundërshtarin’ në fushë, të cilët i quan vëllezër.
KOHA: Olxhaj Bajram, një emër jo i panjohur për futbollin vendor në vitet 1997/2005. Si hyrë në botën e futbollit për të prekur magjinë e tij?
BAJRAM: Hapat e parë i kam bërë në moshën 7-vjeçare, ndërsa trajneri im i parë ka qenë Setko Ali. Pas dy viteve me rekomandim të Setko Ali, shkova te klubi futbollistik Vardar për shkak se vetëm ky klub e kishte shkollën e fortë që të mundësonte të zhvillohesh si lojtar. Domethënë qëllimi i tij ka qenë që të shkojë unë atje dhe të përparoj si futbollist. Aty qëndrova deri në moshën 18-vjeçare (1993) duke i kaluar gjitha grupmoshat dhe më pas u përzgjodha të luaj për ekipin e parë dhe isha i vetmi futbollist shqiptar. Mirëpo, për shkak të konkurrencës së fortë që ishte te KF Vardar ku pjesë e këtij klubi ishin Çiriçi, Milloshevski, Petreski, Spasovski, Gajur Sadiki, portieri Muarem Zekir e të tjerë. Atëherë kushtet te Vardari kanë qenë ndryshe dhe ka qenë problem të luash për shkak se siç thash ekipi ka qenë shumë i fortë. Dhe, si rezultat i kësaj kryesia vendosi të më huazojë te Rabotniçki. Në fakt stërvitjet i bëja me ekipin e parë të Vardarit, ndërsa luaja për Rabotniçkin. Kjo zgjati një vit dhe më pas u huazova te Shkëndija Haraçin ku trajner ishte Setko Ali. Ishte periudha kur Shkëndija pretendonte të plasohet në Ligën e parë, por siç e dini nuk ndodhi kjo. Më pas në vitin 1997 u transferova te KF Slloga Jugomagnat kur trajner ishte Nallbatinqi, por që ai nuk qëndroi shumë, vetëm tre ndeshje dhe më pas trajner u emërua Zallatko Krmpotiq. Prej atëherë fillova të luaj për ekipin e parë të Sllogës (tani FC Shkupi) dhe kjo zgjati deri në vitin 2005.
KOHA: Meqenëse te KF Vardar nuk tu dha rasti të luash për ekipin e parë, ndërsa ngritja jote u bë te KF Slloga J. Si e kujton pas kaq vitesh paraqitjen e parë në ekipin e parë të KF Slloga Jugomagnat?
BAJRAM: Ka qenë viti 1997/98 dhe ndeshja kundër Borecit në Veles, e cila përfundoi 1:1 ndërsa trajner i Slloga J. ka qenë Zllatko Krmpotiq. Kemi qenë gjenerata më e mirë e Slloga J. që ka ekzistuar ndonjëherë dhe ajo ka qenë e udhëhequr nga kapiteni Nexhmedin Memedi, pastaj i ndjeri Esad Çollakoviq, Argjend Beqiri, Refik Arif, Zoran Miserdovski, Feim Beganoviq, pastaj në klub erdh Nebi Mustafi kurse nga huazimi prej te Shkëndija Haraçin u rikthye Zekirja Ramadani. Ndeshjen me Borecin, nuk e di si ta përshkruaj, kam pasur emocione të mëdha duke marr parasysh se si një futbollist i ri, luaja bashkë me ato lojtar që i përmenda më lartë. Luajta 90-minuta dhe sot e kësaj dite më kujtohet kjo ndeshje. Dua të përmend edhe këtë se nën drejtimin e Nallbantiq nuk pata rast të luaj dhe isha rezervë, por pas tre ndeshjeve ai u largua dhe në vend të tij erdh Krmpotiqi. Në stërvitjen e parë nën drejtimin e tij unë shënova dy gola dhe më pasi ai më rekomandoi në ekipin e parë dukë më dhënë rast ti dëshmoj kualitetet e mia dhe ashtu ndodhi dhe deri në fund të sezonit unë isha lojtar titullar.
KOHA: Sigurisht se në periudhën 1997/2005 te Slloga J. nuk kanë munguar golat, titujt dhe të arriturat tjera?
BAJRAM: Sigurisht se nuk kanë munguar, sidomos titujt gjatë periudhës tre vjeçare kur për tre herë me radhë u bëmë kampion të Maqedonisë, pastaj tre herë fituam edhe Kupën, ndërsa kam zhvilluar edhe nëse nuk gaboj tetë ndeshje finale. Në atë periudhë Slloga apo tani Shkupi ka qenë si Bajerni tash që është në Gjermani. Shumë lojtar ëndërronin të veshin fanellën e Sllogës që ka qenë shumë normale. Sinqerisht nuk mbaj mend sa gola kam shënuar, pasi më tepër kam asistuar duke marr parasysh se pozita në të cilën kam luajtur ka qenë ajo e mesfushorit. Me një fjalë jam i kënaqur shumë që kamë qenë pjesë e asaj kohe dhe e kësaj gjenerate e cila dominonte në futbollin vendor.
KOHA: Kur jemi te titujt, nuk mundemi të mos e përmendim trofeun e Kupës së Maqedonisë në vitin 2000 kur në Prilep në ndeshjen finale ndërmjet Pobedës, arritët fitore të thellë me rezultatin 6-0.
BAJRAM: Sa mbaj mend unë deri më tani nuk ka ndodhur në historinë e futbollit vendor që ekipi nikoqir të luajë ndeshjen finale në shtëpinë e saj pra në Prilep. Udhëheqësit e asaj kohe të Federatës Futbollistike të Maqedonisë bënë çmos që KF Pobeda të fitojë trofeu ne Kupës atë vit. Por, ne kishim ekipin më të fortë, futbollistët e së cilës asnjëherë nuk kanë dyshuar në cilësitë e tyre. Normal, para ndeshjes e dinim se do të jetë vështirë, por me të filluar ndeshjen në u vërsulëm me të gjitha forcat në sulm dhe arritëm të korrim fitore të thellë prej 6-0. Pas rezultatit 3:0, tifozët vendas braktisën stadiumin dhe të njëjtit pas ndeshjes na duartrokitën jashtë stadiumit. Edhe ata vetë nuk mund tu besonin syve për atë se çka ndodhte në fushë dhe se ekipin i tyre do të pëson disfatë prej 0:6. Njëjtë edhe lojtarët ishin të bindur para ndeshjes se do të na fitojnë, por ne pos që e kishim ekipin e fortë,kishim mentalitet fitues, dhe që është më e rëndësishmja ishim të motivuar pas atyre ndodhive që ndodhën, pra kur u vendos që ndeshja të luhet në Prilep. Për at arsye sot e kësaj dite komentohet kjo fitore nga dashamirët e futbollit, ndërsa trajneri ynë Gjore Jovanovski thoshte se ‘secili sukses është realitet’. Ndryshe, unë në këtë ndeshja startova nga banka rezerve, duke u futur në lojë në minutën e 73’. Derisa, nuk mund të mos e përmendi edhe atmosferën pas triumfit, ku ata tifoz që nuk arritën të jenë në Prilep, ndeshjen e kanë përcjell në radio, ndërsa festa vazhdoi edhe rrugëve të Shkupit ku deri në orët e vona u festua ky triumf.
KOHA: E dimë se kryetari i klubit asaj kohe i Sllogës ishte Rafet Muminoviq. A keni pasur premi speciale pas këtij suksesi të madh që e arritët.
BAJRAM: Ne në fakt gjithmonë kemi pasur premia, përfshi këtu edhe fitoren dhe fitimin e trofeut të Kupës, mirëpo sinqerisht nuk më kujtohet sa ka qenë premia për këtë ndeshje. Mund të them vetëm se premia e Kupës ka dalluar nga ajo që e kemi marr në kampionat kur kapnim ciklin e fitoreve.
KOHA: Kur fiton titullin e kampionit apo trofeun e Kupës, me automatizëm je pjesëmarrës në Kupat Evropiane, ndërsa ju keni një bagazh të madh sa i përket kësaj.
BAJRAM: Ka shumë ndeshje ndërkombëtare që i kam zhvilluar me Sllogën në garat evropiane edhe atë me ekipet si Brondbi nga Danimarka, Shelburni nga Irlanada, Steaua nga Bukureshti, Ocelul Galati nga Rumania, Kaunasi nga Lituania.. Këto janë ekipet që i mbaj mend. Nga secila ndeshje me këto ekipe kam përshtypje të mira, por ajo që ndoshta më ka ngelur në kujtesë ka qenë ndeshja kundër Shelburnit, kur luajtëm në Shkup. Pata një rast ideal që nuk arrita ta shndërroj në gol, pasi nëse do të kisha shënuar do të ishim plasuar mëtutje. Derisa, paraqitjen më të mirë e kam pasur kundër Kaunasit, atje luajtëm 1:1, ndërsa në Shkup arritëm fitoren me 1:0. Mirëpo, nuk duhet harruar edhe përballjen me gjigantët e mëhershëm Steauan e Bukureshtit. Ekip me traditë të madhe ku në ndeshjen e parë në Bukuresht pësuam në 3:0, ndërsa në Shkup humbëm me 2:1.
KOHA: Çdo fillim i mirë e ka edhe fundin dhe kjo të ndodhi ty kur periudhës 97/2005 i erdhi fundi?
BAJRAM: Nga viti 2002 filloi rënia e Sllogës, pasi klubin e kaploi një kriza e madhe financiare ku si rezultat i kësaj filluan largimet e lojtarëve, ku Argjend Beqiri u transferua te skuadra zvicerane Aarau, Nebi Mustafi te Levadiakos nga Greqia, Zekirja Ramadani te Bashkimi i Kumanovës dhe më pas në Shqipëri e Bullgari, ndërsa unë pas largimit gjashtë muaj luajt në Finlandë dhe gjashtë muaj në Zvicër. Në fakt unë por edhe të tjerët gjatë gjithë kësaj kohe që ishim pjesë e Sllogës, kemi pasur oferta nga klube të ndryshme, por e kishim vështirë të merreshim vesh me kryetarin e atëhershëm Rafet Muminoviq, i cili kërkonte shuma të mëdha të cilat klubet që na kërkonin nuk ishin të gatshëm ti paguajnë. Nuk e akuzoj vetëm at, pasi normalisht ai ka dashur ta rruajë ekipin, por ne si lojtar nuk kemi arritur të arrijmë atë që secili lojtar e ëndërron, e ajo është të luajë diku jashtë. Por, në vitin 2005 kur vetë kryetari Muminoviq e pa se nuk ka rrugëdalje tjetër, na i dha dokumentet të gjithë lojtarëve. Duke marr parasysh se ishte edhe fundi i karrierës sime , pasi ishte 32-vjeç, luajta pak në Zvicër e pak në Finlandë, vendosa ti jap fund karrierës sime futbollistike.
KOHA: Cili ka qenë aktiviteti yt kur u largove nga Slloga J. dhe kur përfundove karrierën futbollistike?
BAJRAM: Nuk kisha dëshirë më të luaj për ndonjë skuadër tjetër ose për një rrogë të themi 300 apo 400 euro. Nuk e shihja veten aty dhe në moshën 32-vjeçare përfundova karrierën si futbollist. Më pas fillova të punoj me të rinjtë te shkolla e futbollit ‘Tefejuz’. Aty qëndrova tre vite, dhe më pas vendosa të tërhiqem. Jo që nuk kishim rezultate pasi kishte futbollist të talentuar, por kushtet për punë i kishim minimale, fëmijët stërviteshin në palestër, ndërsa ndeshjet i zhvillonin në fushë. Derisa, nga e gjithë kjo unë financiarisht nuk qëndroja mirë dhe u detyrova të largohem por jo vetëm nga ‘Tefejuzi’ por edhe nga shteti.
KOHA: Aktualisht jetoni në Angli. Me çka merret Olxhaji?
BAJRAM: Ka katër apo pesë vite që jetoj në Angli, në një qytet afër Lesterit. Bashkë me një shok timin kemi një garash për larjen e veturave. E udhëheqim bashkë dhe kemi edhe punëtor tjerë. Deri më tani mirë po ecën. Por, më duhet të pranoj se jam aktiv në fushën e futbollit pasi nuk e kam lehtë të largohem tërësisht nga ky sport. Përcjell rregullisht ndeshjet futbollistike dhe pjesërisht ndjek lojtar të ri pasi dëshira ime është që të angazhohem si skaut i futbollit. Kam tentuar të bie në kontakt me ish-futbollistin e njohur Mustafa Izet që ka luajtur për Leiçesterin dhe Evertonin. Ai bashkëpunon me një ish-lojtar që ka luajtur për përfaqësuesen e Anglisë, me të cilin kanë hapur shkollë private të futbollit, ndërsa për të bërë diçka më tepër unë në këtë drejtim, njëherë duhet ti vijë këtu në Maqedoni dhe ti marr gjitha licencat që nevojiten për të ushtruar këtë detyrë. Besoj se me Zotin para edhe kjo do të realizohet, ndërsa deri atëherë me përkushtim të madh do ti qasem punës time në garazhin për larjen e veturave.
KOHA: A është e vërtetë se derisa keni qenë pjesë e Sllogës, kryetari i atëhershëm u kishte dhënë vetura, gjë të cilën aso kohe nuk e kishte bërë asnjë klub?
BAJRAM: Po është e vërtetë kjo që kemi marr vetura. Në fakt kjo ka qenë e përfshirë në kontratat që secili futbollist aso kohe e bënte me kryetarin Muminoviq. Por, nuk ka qenë kusht që të marrësh veturë, pasi ke mundur të zgjedhësh ndërmjet veturës dhe parave. Unë dhe diku 7-8 futbollist vendosëm për veturën dhe aso kohe ishte viti 2001 në trend ka qenë vetura e tipit ‘Fiat Punto’. Sa mbaj mend unë, nuk e kishte bërë deri atëherë asnjë klub këtë që e bëri kryetari Muminoviq. Por duhet të pranojmë se klubi financiarisht qëndronte shumë mirë, duke marr parasysh se rregullisht luanim në garat evropiane dhe në arkat e klubit vinin para për pjesëmarrjen tonë në ndeshjet paraeliminatore.
KOHA: A mund të bësh një krahasim mes Sllogës se Olxhaj Bajramit dhe Shkupit (ish-Slloga J.) të sotëm?
BAJRAM: Krahasimi është shumë i madh. Ndoshta është e padrejtë që ta them unë, por këtë e din e gjithë Maqedonia që çfarë dallimi ka pasur atëherë, duke filluar nga kryesia e deri te lojtarët. Çdo vit merrnim pjesë në kualifikimet për Ligën e kampionëve apo Kupën e UEFAS-s (tani Liga Evropa). Kjo nuk donë të thotë e FC Shkupi nuk ka talent, pasi gjithmonë kemi pasur futbollist të talentuar, por puna qëndron se sa ka buxhet tani klubi dhe cilat janë synimet e tyre. Ndoshta edhe situata në Maqedoni e bën të veten, dhe shumë gjëra janë në pyetje, por është një keqardhje të shohësh klubin në këtë situatë.
KOHA: Po cili është krahasimi me futbollin që e keni luajtur ju në atë kohë dhe tani që po luhet tani?
BAJRAM: Çdo ndeshje që e kemi zhvilluar jashtë ka qenë derbi, pra pa marr parasysh se a kemi luajtur me Cementarnicën, Bellasicën, Sileksin, apo Pobedën, e mos të flasim për përballjet me Vardarin. Domethënë skuadrat si skuadra kanë pasur kualitet dhe gjithmonë 7-8 skuadra kanë pasur ekip të fortë dhe financiarisht kanë qëndruar mirë. Ndërsa, sot mund të veçojmë vetëm dy klube Vardarin dhe Shkëndijën që kanë lojtar kualitativ, por nuk e bënë Ligën e fortë nëse për titull garojnë vetëm dy skuadra. Shembull tjetër është se gjatë fazës përgatitore ne shkonim në Antalia dhe atje zhvillonim ndeshje kontrolluese me skuadrat nga Gjermania, Rusia dhe u përgatiteshim në nivelin më të lartë dhe kur ktheheshim nga përgatitjet 6-7 ndeshjet e para i fitonim sepse ishim të përgatitur. Kështu është tani me Shkëndijën dhe‘Vardarin. Nëse Shkupi dhe disa skuadra tjera do të kishin buxhet që të përgatiten diku jashtë, do të ishte shumë më ndryshe, por fatkeqësisht për momentin atë që po e shohim, kualitetin dhe kushtet financiare i kanë vetëm Shkëndija dhe Vardari.
KOHA: Kush ka qenë tifozi juaj më i madh gjatë karrierës tuaj?
BAJRAM: Pos babait tim nuk mund të paramendoj dikë tjetër. Ai që nga mosha 7-vjeçare ka përcjell çdo hapi tim, çdo stërvitje e çdo ndeshje qofshin ato edhe si mysafir. Edhe vet ai ka qenë futbollist duke luajtur për Slloga J., por herët e ka braktisur futbollin, moshën 26-vjeçare, por ka qenë koha e komunizmit dhe ka qenë ndryshe. Duke qenë se vet ka qenë futbollist, dëshira e tij ka qenë që edhe unë te merrem me futboll dhe jam i lumtur që dëshira e tij iu realizua. Nuk mund të mos i përmendi edhe grupin e tifozëve më të mirë shqiptar ‘Shvercerat’, të cilët sa kam qenë pjesë e klubit të tyre të zemrës më kanë dhënë përkrahje maksimale.
KOHA: Pa mos dashur të bëjmë një ndarje se cili ka qenë më i miri. A mund të bësh një krahasim mes trajnerëve që i ka pasur Olxhaji.
BAJRAM: Nëse filloj nga fillimi, trajneri im i parë ka qenë Setko Ali, pasi ai është një legjendë e futbollit në Maqedoni për kategoritë e ulëta, dhe ai gjithmonë ka pasur shije për zbulimin e talenteve. Në ekipin e parë të Sllogës, ndoshta Gjore Jovanovski ka qenë një punëtor i madh, por nuk do ta kisha vendosur si trajneri më i mirë, mirëpo për të kuptuar lojën e futbollit, pa marr parasysh se ka qenë 30-vite larg futbollit, mendoj se Adnan Zekirin e vendosi në vend të parë, duke mos e harruar edhe Ekrem Magllajliën.
KOHA: A ka diçka që të ka mbetur peng që nuk ke arritur ta realizosh gjatë karrierës tuaj profesionale?
BAJRAM: Thash edhe më herët që është e çdo futbollisti është të bësh transfer diku jashtë shtetit. Jo vetëm në aspektin financiar, por edhe për përjetuar ndjenjën dhe për ti shijuar ato gjëra që i ofron futbolli ndërkombëtar. Por kjo nuk ndodhi asnjëherë duke marr parasysh problemet me të cilat i kishim me kontratat që i kishim te Slloga Jugomagnat me kryetarin Rafet Muminoviq. Të jem më i qartë, Muminoviq kërkonte shuma të mëdha për transferimin tonë, ndërsa ato klube që më kërkonin nuk ishin të gatshëm ti paguajnë. Nuk them vetëm për mua, por edhe për të tjerët. Në fakt unë një kohë të shkurtër luajta në Finlandë dhe Zvicër, por nuk ishte e njëjtë sikurse të kisha bërë transfer në moshë më të re.
KOHA: Cili është momenti më i mirë që të ka ndodhur gjatë karrierës tënde?
BAJRAM: Do ta kisha veçuar momentet kur për të tretën herë radhazi fituam titullin e kampionit. Aso kohe e gjithë Maqedonia pothuajse ishte ngrit kundër Slloga J. dhe dëshironin që Vardari të shpallet kampion. Pesë lojtar na u larguan nga ekipi dhe u transferuan te rivali i përbetuar Vardar dhe pas kësaj askush nuk besonte se mund të arrijmë të shpallemi kampion. Ishte ndeshja e fundit me Bellasicën në Strumicë, ku edhe pse nuk u nevojiteshin pikët, kurse ne me barazim shpalleshim kampion, ata luajtën për Vardarin. Gjithçka kishte në këtë ndeshje, kërcënime, referim skandaloz, na mohuan një gol të pastër nga Arben Nuhiu, gol i cili u anulua për shkak të një pozitë jashtë loje e deri te ndalesa që iu bënë ‘Shvercerave’ për të udhëtuar në Strumicë për të na përkrahur. Ndeshja përfundoi baras 0-0, me çka ne u shpallëm kampion. Pas ndeshjes mezi dolëm nga stadiumi, por me përcjellje të policisë arritëm në hyrje të Shkupit, ku aty na priste një numër i madh i ‘Shvercerave’. Diçka që unë nuk do ta harroj asnjëherë. Gjitha rrugët u bllokuan dhe bashkërisht shkuam deri në stadium dhe më pas festa e madhe vazhdoi në stadium. Një ndjenjë të cilën nuk mund ta përshkruaj, pasi një njeri duhet ta përjetoj atë. Ky ka qenë titulli më i dashur dhe momenti më i mirë i karrierës sime.
Për ish-klubin e tij Slloga J.
Slloga J. ka pas gjithmonë tifoz të flaktë, të cilët vinin në numër të madh edhe në seancat stërvitore. Atmosfera ka qenë ndryshe, nga që është sot, edhe pse realisht kushtet financiare e bëjnë të veten. Pikërisht për shkak se i kishim të gjitha, ne u bëmë tre vite me radhë kampion të Maqedonisë. Prandaj jam i kënaqur që kanë qenë pjesë e këtij klubi, saqë kur shkoj tash në stadium më kujtohen ato ndeshje, stërvitje dhe momente
Për futbollin vendor
Në Maqedoni ekziston një dukuri interesante. Fatkeqësisht futbollin e udhëheqin ata të cilët nuk janë marr në të kaluarën me futboll. Shembull konkret kemi KF Shkëndija dhe KF Vardar, të cilët janë bosë në kompanitë e tyre respektove por jo edhe që janë marr në të kaluarën me futboll aktiv. Nuk them se kjo është gjë e keqe, por sa herë që ata i marrin klubet, çdoherë duhet të kenë dikë afër që ka njohje për futbollin, pa marr parasysh se a bën drejtor apo ndonjë pozitë tjetër. Por te ne pyeten vetëm ata të cilët japin të hollat që për mua është një gabim, por mentaliteti që kemi e bën të veten
Për Enis Bardhin
Gjeneratën e rre të futbollistëve nuk i njoh shumë, por do të kisha dashur përmend Enis Bardhin, i cili së fundmi u transferua te skuadra e Levantes. Për mendimin tim kjo është një plus i mirë për shqiptarët që jetojnë këtu dhe që merren me futboll. Enisi dëshmoi se mund të arrish sukses nëse punon. Nuk vjen në shprehje vetëm kualiteti, pasi nëse s’punon nuk mund të arrish sukses. Ndërsa këtë e kishte Enisi, i cili jo rastësisht gjendet aty ku është dhe unë i dëshiroj vetëm suksese, ndërsa të tjerët le ta ndjekin rrugën e tij