Bujar KURTAJ
Shkup, 6 maj – Skuadra e Shkupit në afatin kalimtar të janarit mbeti pa njërin prej futbollistëve më të mirë të saj Mevlan Adili, i cili u transferua te anëtari i Ligës së dytë të Rumanisë, FC UTA Arad. Mbrojtësit shkupjan nuk iu desh shumë kohë të adaptohet në mjedisin e ri, duke u bërë një titullar i padiskutueshëm. Duke marr parasysh se ndeshja e radhës të cilën duhej ta zhvillojnë kundër Unirea Tarlungeni më 5 maj u anulua, Adili e shfrytëzoi për të vizituar familjen e tij dhe ish-shokët e skuadrës.
“Më 5 maj u desh të luajmë ndeshje kampionale, por e njëjta u anulua dhe me këtë rast shfrytëzova rastin të vij të vizitoj familjen time dhe të afërmit e mi. Prej kur kam shkuar nuk kam ardhur dhe kjo më erdh mirë”, ishin fjalët e para të Mevlanit për gazetën KOHA. Ai deri më tani ka vetëm përshtypje të mira te skuadra rumune, ndërsa thotë se nuk e ka pasur vështirë të adaptohet, përkundër faktit se për at ky është transferimi i parë jashtë Maqedonisë.
“Përshtypjet deri më tani janë vetëm pozitive. E them këtë pasi kam ardhur në një klub të kompletuar do të kisha thënë, klub i cili ka ambicie të mëdha. Sinqerisht nuk e pata vështirë të adaptohen, duke marr parasysh se që në ditën e parë më bënë një pritje të mirë drejtuesit e klubit dhe më pas edhe lojtarët. Me të gjithë kam raporte të mira dhe kur t’ia bashkëngjit faktit se kam filluar ta mësoj edhe gjuhën rumune, tani e kam shumë më lehtë”, vazhdon më tej futbollisti nga lagja e Dizhonit të Shkupit.
Adili thotë se është i kënaqur me paraqitjet e tij, ndërsa risia do të kishim thënë është se nuk luan si mbrojtës qendror, por mbrojtës i krahut të djathtë. “Çdo herë i them vetes se mundesh më mirë se kjo që po e jap për momentin në fanellën e UTA-s. Besoj se jam në rrugë të mirë dhe gjërat po rrjedhin për mrekulli.Shpresojmë që ti arrijmë ambiciet tona dhe atëherë do të isha edhe më shumë i kënaqur me paraqitjet e mia. Është e vërtetë se te UTA trajneri më aktivizon si mbrojtës i djathtë, mirëpo për mua kjo nuk është diçka e re, pasi edhe te Shkupi kur isha kam luajtur ndonjëherë edhe si mbrojtës i djathtë. Fakti qe te UTA po luaj si mbrojtës i djathtë erdh krejt papritmas, edhe atë si rezultat i lojës së dobët të një bashkëlojtari tim. Ai mori një karton të verdhë dhe ishte afër që të merr edhe kartonin e dytë, ndërsa trajneri duke mos dashur të rrezikon më rekomandoi që unë ta zë vendin e tij. Për fatin tim të mirin, gjithçka shkoi mirë, fituam ndeshjen dhe prej atij momenti unë luaj në atë pozitë”, nënvizoi më tej numri gjashtë i skuadrës rumune.
Ndryshe, aktualisht skuadra e UTA Arad mban pozitën e tretë në renditjen tabelore, ndërsa ambiciet e klubit janë plasmani në Ligën e parë. “Në fillim kishim paraqitje të dobëta, mirëpo më pas konsoliduam radhët tona dhe po arrijmë rezultate të mira. Mendoj se deri në fund do të ‘luftojmë’ për pozitën e dytë për t’u plasuar në elitën r futbollit rumun. Mos të harrojmë se edhe pozita e tretë mundëson balotazh për tu futur në Ligë. Jam optimist dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit dhe në asnjë moment nuk mendoj në ndonjë dështim eventual”, potencon ish-futbollisti i FC Shkupi. Në fund Adili thotë se futbolli në Rumani ka përparuar shumë dhe dallon në të gjitha aspektet me futbollin në Maqedoni. “Duke marr parasysh se jemi në Ligën e dytë, lirisht mund të them se dallon me futbollin tek ne në Maqedoni edhe atë me Ligën e parë. Atje luhet më shpejtë dhe fizikisht janë shumë të përgatitur, ndërsa sa i përket profesionalizmit, aty mbretëron një profesionalizëm i madh ku secili e din vendin dhe vet. Interesimi është i madh, ku edhe pse jemi larg (30 kilometra) duke marr parasysh se stadiumi po rikonstruohet, nuk mungon përkrahja nga tribunat”, përfundoi Mevlan Adili, futbollisti i UTA Arad.
Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe gjashtë xhiro, ku UTA Arad mban pozitën e tretë me gjithsejtë 56 pikë, një më pak se Sepsi OSK në pozitën e dytë dhe dy më shumë se skuadra e CS Mioveni në pozitën e katërt.