Ai që nga viti 1964 ka punuar në Dramën Turke pranë Teatrit të Kombësive, aktualisht Teatri Turk. Opusin e tij aktorial e kanë shënuar edhe një numër i madh rolesh televizive, përfshirë serinë e famshme turke “Lamtumirë Rumeli”
Shkup, 11 maj – Në moshën 76-vjeçare ka ndërruar jetë aktori dhe doajeni i Teatrit Turk në Maqedoni, Salaetin Bilal. Bilal ka ndërruar jetë të enjten pasdite pas një sëmundjeje të gjatë. Ai që nga viti 1964 ka punuar në Dramën Turke pranë Teatrit të Kombësive, aktualisht Teatri Turk. Bilal në këtë teatër ka luajtur shumë role deri në pensionimin e tij në vitin 2007, ndërsa edhe pas daljes në pension ishte i angazhuar në këtë teatër.
Në karrierën e tij, ai ka luajtur në disa shfaqje, ndërsa opusin e tij aktorial e kanë shënuar edhe një numër i madh rolesh televizive, përfshirë serinë e famshme turke “Lamtumirë Rumeli”. Salaetin Bilal është nderuar me çmime të shumta: Çmimi i revistës “Ekran” për aktorin më të mirë në vitin 1976, për rolin e Ahmetit në “Vdekja dhe dervishi”; çmimi “13 Nëntori” për rolin e Haxhi Trajkov në “Koshtana” (1977); çmimi “11 Tetori” për A.B. në “Shpata e Damokleut” (1983); dy çmime “Vojdan Çernodrinski” për Ahmed Nurudin (1976) dhe Azdah në “Rrethi i Kaukazit me shkumës” (1990); si dhe çmimi për veprimtari jetësore (2014). Aktori Bilal u varros të premten në varrezat e Butelit në Shkup.
SI E KUJTOJNË BASHKËPUNËTORËT?
“Me pikëllim të thelle e mora lajmin për shuarjen e gjigandit të skenës z. Salaetin Bilal. Teatri dhe ekrani humbën një artist të pazëvendësueshëm. Jam shumë me fat që ju pata partner në skenë dhe në TV, ishit udhërrëfyes për mua dhe i tillë do të mbeteni përgjithmonë. Ngushëllime teta Eli, ngushëllime familja Bilal. Prehu në paqe axha Salko”, shkruan aktori, Muzafer Etemi.
“Një aktor që shtëpi amë kishte Teatrin Turk e që aq shumë dha në skenën e Teatrit Shqiptar u shua sonte. Do t’i mungosh publikut. Do të na mungosh neve që prisnim kritikat e këshillat e tua për ta bërë teatrin më të mirë. Në prova, premiera e repriza do të presim hijen tënde krah Teta Elit… si gjithomë. Qofsh i Parajsës axhi Salko”, shkruan pjesëtarja e Teatrit Shqiptar të Shkupit, Anita Latifi.
“Një humbje e madhe për teatrin dhe miqtë që e njohën nga afër. Xhaxhi Salko të pastë shpirti dritë, ashtu siç na dhe më shkëlqimin tënd në skenë. Nuk e harroj asnjëherë çastin në filmin “DUST” kur ne i hapnim sytë nga yjet e holivudit, e ndërsa ato u mahnitën me ty. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty”, shkruan artisti, Sabedin Selmani.
“U prehsh në paqe mjeshtër. Do të kujtojmë gjithmonë me mall”, shkruan drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga.
BIOGRAFIA
Aktori Salaetin Bilal ka lindur më 19 mars 1942 në Shkup. Veprimtaria e tij ka qenë e fokusuar në aktrim si në teatër, filma dhe seriale televizive.
Ai ka studiuar në konservatorizmin teatror në Stamboll të Turqisë. Më vitin 1964 është bërë pjesë e ansamblit të Dramës Turke në Teatrin Kombëtar në Shkup. Si aktor mysafir ka luajtur edhe në skenat e Teatrit Kombëtar të Maqedonisë, Teatrit Dramatik si dhe në Teatrin Shqiptar në Shkup.
“Armiku i popullit”, me tekst të Henrik Ibsenit dhe regji të Dino Mustafiqit, bashkëprodhim midis “Teatrit të një aktori” të Shkupit dhe teatrit ODA të Prishtinës, ishte shfaqja pjesë e së cilës ka qenë edhe aktori Salaetin Bilal, shfaqje kjo që u shpërblye me çmimin Çmimi për Lexim Bashkëkohor në edicionin e 25-të të Festivali Kombëtar i Teatrove të Formacioneve të Vogla në Vratsa të Bullgarisë.