“Koha e këngëve të përkthyera ka kaluar tashmë. Me miratimin e programeve mësimore për nxënësit e klasave VI, VII, VIII dhe IX, i jepet fund përkthimit të këngëve në tekstet shkollore të muzikës”, deklaroi ministri Ademi
Qefsere ABDYLI
Shkup, 13 maj – As broshura për të korrigjuar skandalet e teksteve shkollore të muzikës dhe as tekste me përmbajte diskriminuese për nxënësit shqiptarë dhe të etnive tjera jo maqedonase nuk do të ketë nëpër shkolla. Nga shtatori i këtij viti, lënda e muzikës do të mësohet nga programe krejtësisht të reja mësimore në klasat VI, VII, VIII dhe IX. Ky është vendimi më i fundit i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademit, me të cilin synohet ti jepet fund njërës prej problematikave më paradoksale të testeve shkollore sa i takon lëndës së muzikës.
Në fakt, me firmosje e katër programeve të reja të lëndëve të muzikës, më 10 maj të këtij viti, është hapur rruga për përpilimin e teksteve të reja muzikës, të cilat pritet të bëhen gati së shpejti dhe do të jenë hap i radhës në përmbylljen e njërës problemeve me irrituese, e cila për vite me radhë mbante të acaruara raportet ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni. Sipas ligjeve me të cilat rregullohet çështja e teksteve shkollore, që një libër të zëvendësohet me një tjetër, duhet që paraprakisht të ndryshohen programet mësimore të asaj lënde, pasi në bazë të tyre përpilohet teksti shkollor. Kështu, pas miratimit të programeve të reja të muzikës, MASH pritet të shpall konkurset për paraqitjen e dorëshkrimeve për tekstet shkollore të muzikës për klasat VI, VII, VIII dhe IX dhe me këtë të bëjë botimin e teksteve të reja. Viti i ardhshëm shkollor 2019/2020 do të nis me programe dhe tekste të reja të muzikës, pasi sikurse deklaroi ministri Ademi, ka marrë fund koha e përdorimit të teksteve me këngë të përkthyera, respektivisht koha kur këngët e kompozuara në gjuhën maqedonase përktheheshin në tekstet mësimore në gjuhën shqipe, turke e kështu me radhë, duke mos korresponduar vija melodike dhe teksti i këngës.
Ministri Ademi shprehet i vendosur të hap një faqe të re sa i takon mësimit të lëndës së muzikës, atë të mësimit dhe kultivimit të traditës dhe kulturës muzikore mbi tekste dhe kompozime origjinale. “Koha e këngëve të përkthyera ka kaluar tashmë. Me miratimin e këtyre programeve mësimore për nxënësit e klasave VI, VII, VIII dhe IX i jepet fund përkthimit të këngëve në tekstet shkollore të muzikës. Tani e tutje do të kemi këngë në versionet origjinale të bashkësive etnike, në gjuhën e të cilëve zhvillohet mësimi dhe ku secili nxënës do të ketë mundësi të njihet me kulturën dhe traditat e bashkësisë etnike të cilit i përket, por do të ketë mundësi të njoftohet dhe të dijë më shumë edhe për kulturën dhe traditën muzikore të etnive të tjera. Pa dyshim se nuk do të mungojnë edhe mësimet dhe kompozimet nga kultura dhe tradita botërore”, shprehet ai.
Ministri Ademi, ka bërë këtë deklaratë të hënën, kur me përfaqësuesit e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA), përfaqësues të shoqatave të pedagogëve, mësimdhënës të lëndës së muzikës që përfarojnë të gjitha rajonet dhe etnitetet në Maqedoninë e Veriut, prezantuan programet e reja të lënës së muzikës. Koordinatorja e grupit të punës, Ankica Vitanova tha se është punuar me shumë profesionalizëm dhe me një dinamikë të shtuar të punëve, me qëllim që të realizohej me sa më tepër sukses obligimi i marrë përsipër. Me të njëjtën dinamikë paralajmërohet vazhdimi i punëve për programet e klasave të ulëta të arsimit fillore (I-V) si dhe për arsimin e mesëm, ndërsa flitet me siguri për përpilimin e teksteve të reja shkollor për klasat VI, VII, VIII dhe IX të arsimit fillor. Sipas, të gjitha gjasave, konkurset për tekstet e reja do të shpallen gjatë muajit maj me qëllim që viti shkollor 2019/2020 nëse jo nga muaji shtator, të paktën në gjysmëvjetorin e parë të rezultojë me libra të ri.
Ndryshe, gjatë dy dekadave të fundit ka pasur pafund kritika dhe ankesa për mënyrën se si nxënësit e mësonin lëndën e muzikës në shkollat e Maqedonisë. Ka pasur disa iniciativa për kapërcimin e këtij problemi përmes librave alternative apo përmes broshurave dhe shtojcave që do ti përdornin nxënësit shqiptare dhe jomaqedonasit e tjerë, mirëpo të gjitha kanë rezultuar pa sukses, për shkak të pengesave ligjore.