Omer XHAFERI
Shkup, 15 dhjetor – Reagimet, komentet dhe vërejtjet për punën e Këshillit për reforma në gjyqësor, janë të pakuptimta. Kështu ministri i Drejtësisë, Bilent Saliji, i ka cilësuar qëndrimet e disa anëtarëve të këtij Këshilli, përfshirë edhe deklaratën e fundit të drejtoreshës së Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publike (AGJPP), Aneta Arnaudovska. Në një prononcim për gazetën KOHA, ministri Saliji, ka theksuar se qëllimi i formimit të Këshillit për reforma në gjyqësor, kryekëput është këshillëdhënës dhe në asnjë mënyrë nuk ka kompetenca ekzekutive. Përgatitja dhe publikimi i Strategjisë për reforma në gjyqësore, siç nënvizojnë nga Ministria e Drejtësisë, në masë të madhe është meritë e Këshillit në fjalë, gjegjësisht anëtarëve të tij (profesorëve universitarë, gjykatësve dhe prokurorëve).
“Aspak nuk qëndrojnë pohimet se Këshilli punon në mënyrë jo transparente. Sinqerisht, unë jam i befasuar nga deklaratat e një pjesë të anëtarëve të Këshillit për reforma në gjyqësor. Ata në vazhdimësi kanë prezantuar në pothuajse të gjitha takimet dhe mbledhjet e Këshillit. Me pëlqimin e tyre, katër muaj më parë, u përpilua Strategjia për reforma në sistemin gjyqësor në vend (2017-2020). Njëkohësisht, po këta anëtarë, të cilët sot reagojnë, kanë marrë pjesë në përgatitje e plotësim-ndryshimet të Ligjit për Këshillin Gjyqësor. Ose, siç është rasti i propozimit për shfuqizimin e Këshillit për verifikimin e fakteve, i cili po ashtu u realizua në pajtim me qëndrimet e anëtarëve të Këshillit. Njëkohësisht, këta anëtarë kanë marrë pjesë për përgatitjen e plotësimit të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili së shpejti pritet të miratohet në Parlament”, tha ministri Saliji për gazetën KOHA.
Katër muaj pas themelimit të Këshillit për reforma në gjyqësor, në opinion kanë dalë edhe reagimet dhe vërejtjet e para për funksionimin e këtij Këshilli. Qëndrimet e profesorëve universitar, njëkohësisht dhe anëtarë të këtij Këshilli, Gordan Kallajxhiev dhe Mirjana Najçevska, protagonisti kryesor i formimit të Këshillit në fjalë, Ministri i Drejtësisë, Bilent Sali, i ka kategorizuar si jo konstruktive. Me këtë rast ai ka potencuar se anëtarët duhet ta kenë parasysh se roli i tyre është në kuadër të udhëzimeve dhe këshillave juridike, por aspak në aspekt drejtim të fuqisë ekzekutive.
Ndryshe, dy profesorët e apostrofuar dhe drejtoresha e AGJPP, Arnaudovska, gjatë ditëve të kaluar, në drejtim të punës së Këshillit për reforma në gjyqësor, kanë adresuar një varg vërejtjesh, respektivisht, sipas tyre, ky këshill fare pak është transparent në aktivitet dhe punët të cilët i ndërmerr. Pjesëmarrja në këtë Këshilli, siç ka njoftuar njohësi i mirë i problemeve në sistemin juridik në vend, profesori Gordan Kallajxhiev, ka qenë kryesisht në bazë të vullnetit të mirë, respektivisht sipas tij, nëse vullneti i mirë mungon edhe te pala tjetër, atëherë pjesëmarrja e tij në këtë Këshill nuk ka kuptim.
Nga ana tjetër profesoresha, Mirjana Najçevska, duke e treguar seriozitet e këtij Këshilli, ka thënë se për anëtarësimin e saj është njoftuar gjatë kohës sa ka qenë në treg, gjegjësisht pas kërcënimeve të saj është thirrur menjëherë mbledhje e Këshillit për reforma në gjyqësore. Ndërkohë, ish gjykatësja Gjykatës Penale të Shkupit, Arnaudovska, nga pozita e drejtorësh së AGJPP, ka thënë se aspak nuk është përfshirë në aktivitet dhe punën e Këshillit të potencuar, pavarësisht faktit se porositë e Qeverisë së re ishin në drejtim të avancimit më të madh të parimit të transparencës. (koha.mk)