Bujar KURTAJ
Shkup, 9 mars – Trepça ’89 ka shënuar fitore në ndeshjen derbi të javës së 20-të në Vala Superligë të Kosovës, duke e mposhtur Prishtinën, me rezultat 1:0. Golin e vetëm në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë e ka shënuar John Oto John, qysh në minutën e 4-t, pas një kundërsulmi të shpejtë të skuadrës mitrovicase. Përveç golit djemtë e trajnerit shkupjan patën edhe disa mundësi tjera shënimi, por nuk u treguan efikas para portës mysafire. Pas kësaj fitoreje Trepça’89 është shkëputur madje nëntë pikë ndaj Prishtinës së vendit të dytë. Trajneri i Trepça ‘89, Zekirja Ramadani, e vlerësoi forcën e grupit si vendimtare në suksesin e skuadrës ndaj Prishtinës. “Gjithmonë ne e kemi cekur se skuadra e Trepça 89 është grup, nuk kemi individ që mund të bëjnë ndonjë kualitet individual. Si grup sulmojmë, si grup mbrohemi dhe mendoj që edhe përkrahja e shikuesve të cilët i falënderoj, poashtu falënderoj edhe futbollistët qe dhanë maksimumin dhe ti uroj për fitoren e arritur. Mendoj që fitorja është e merituar. Derisa, Prishtina le të mendojë tani vetë se a është kandidat për titull apo jo. Ne i kemi parasysh gjitha ndeshjet një pas një, por derisa ekziston gjasa teorike për tu bërë kampion, gjithmonë ne e llogarisim si rival”, shprehet për gazeta KOHA trajneri shkupjan.
Ndryshe, për skuadrën nga Mitrovica kjo ishte fitorja e tretë me radhë në kampionat, ndërsa një e ka arritur edhe në garat e Kupës. Vlen të përmendet se djemtë e trajnerit Ramadani akoma nuk kanë pranuar gol, dhe kanë një golaverazh prej 13:0. Ndërkohë, Ramadani thotë se ka pritur një start të tillë duke i marr parasysh përgatitjet dimërore që i kanë zhvilluar. “Sigurisht se e kam pritur një start të tillë duke i marr parasysh përgatitjet që i kemi zhvilluar. Tre ndeshje, tre fitore, ndërsa një e kemi edhe në kupë, ndërsa vlen të përmend faktin se nuk kemi pranuar ende gol. Në javën e parë mundëm Drenicën me 4:0, me të njëjtin rezultat mundëm edhe Hajvalinë dhe tani Prishtinën me 1:0. Derisa, me 4:0 në Kupë mundëm Hajvalinë. Nga kjo del që kemi filluar më mirë se sa e kemi pritur dhe për këtë përgëzoj të gjithë, lojtarët, kryesin dhe mbështetësit e klubit”, thotë Ramadani.
Siç e dimë, këtë vit ekipet kosovare do të kenë të drejtë ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës në garat evropiane, ndërsa nëse vazhdon kështu, Zekirja Ramadani do të hyjë në historinë e klubit, si trajner i parë që e ka dërguar një ekip kosovar në garat Evropiane, respektivisht kompeticionin më të madh Ligën e kampionëve. “Akoma nuk jemi të vetëdijshëm se në çfarë rruge jemi nisur, ndërsa këtë do ta mësojmë të gjithë atëherë kur do ta realizojmë objektivin që e kemi. Pra jemi në rrugë të mirë që Trepça ’89, qytetin e Mitrovicën dhe Kosovën, ta përfaqësojmë në arenën evropiane dhe kur ta bëjmë këtë, atëherë do ta kuptojmë se sa punë të madhe kemi bërë. Besoj se ky grup i lojtarëve me këtë kryesi që kanë dhe tifozë, do ta arrij këtë qëllim dhe bashkërisht do të shkruajmë historinë”, përfundoi deklaratën e tij për gazetën KOHA, Zekirja Ramadani.
Në ndeshjen e ardhshme Trepça 89 do të udhëton në Pejë për tu përballur me Besën.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.