Shkup, 14 nëntor – Pas premierës në Shqipëri, mbrëmë në Kinotekën e Maqedonisë në Shkup, përpara një publiku të zgjedhur u shfaq premiera e filmit dokumentar për Josif Bagerin, që mban titullin “I fundmi i Rilindësve”. Të ftuar në këtë event ishin ministri i Kulturës së Maqedonisë, kineastë, shkrimtarë, gazetarë dhe personalitete të subjekteve shqiptare. Para tre viteve filloi realizimi i këtij filmi me mbështetje të Agjencisë së Filmit dhe nën udhëheqje të Produkcionit Dea, i cili me shumë sukses e përgatiti dhe e realizoi këtë projekt madhor. Me regji të Kujtim Gjonajt nga Shqipëria, skenar të Miradije Maliqit dhe muzikë të Fatos Limanit, filmi mori notë pozitive nga artdashësit.
Dikur ishte tabu të flasësh për bashkëkombësit tanë ortodoksë, mirëpo disa intelektualë, një grup të rinjsh, mendjehapur, entuziastë dhe atdhetarë, arritën që në mënyrë institucionale të bëjnë dhe të realizojnë film për Josif Bagerin, një ndër figurat e ndritura të kombit dhe i fundit i rilindësve tanë. Fjalë rasti pati edhe Behixhudin Shehapi, i cili theksoi dinamikën e realizimit të këtij filmi shumë të rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë.
“Kur e mora obligimin që këtë projekt të nderuarës Miradije Maliqit ta kaloj në Agjencinë e Filmit, si kooprodukcion me Shqipërinë, të gjithë ishim të vetëdijshëm për vështirësitë që do të pasonin, mirëpo duke pasur parasysh tematikën e filmit, bëri që t’i rrinim deri në fund këtij projekti madhor për shqiptarët”, tha Shehapi.
Ai mes të tjerash shtoi se eventi korrespondon me 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, bashkëkohës i së cilës ishte edhe Josif Bageri, një atdhetar, poet dhe publicist, i cili me veprimtarinë e tij patriotike. lidhi rajonet duke filluar nga Nistrova e tij e Rekës, Dibra, Shkupi dhe Prishtina, ku edhe ndërroi jetë. (R.B)