Nga Qerim LITA
Me shpërbërjen e organizatës “Xhemijet”, e cila zyrtarisht njihej si parti politike të “myslimanëve të jugut”, shqiptarëve ju ndalua e drejta e përfaqësimit në Parlament nëpërmjet ndonjë partie të veçantë të tyre. Kjo e drejtë atyre u mundësohej vetëm nëpërmjet partive të ndryshme serbe, siç ishin Partia Radikale, Partia Demokratike etj. Si rrjedhojë e politikës diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e pushtuesit të atëhershëm serbo-madh, një pjesë e parisë shqiptare nën udhëheqjen e Ferhat bej Dragës, në fillim të viteve tridhjeta, të shekullit të kaluar, ndërmorën një sërë aktivitetesh politike dhe organizative, të cilat kishin për qëllim ndërgjegjësimin e shqiptarëve. I tërë aktiviteti zhvillohej përmes Bashkësisë Fetare Islame, përkatësisht, Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, në kuadër të së cilit përfshiheshin tërë territoret shqiptare nën Mbretërinë jugosllave.
Burimet ushtarake, policore dhe diplomatike jugosllave hedhin dritë për një aktivitet të dendur të Ferhat bej Dragës e të bashkëpunëtorëve të tij midis harkut kohor 1935-1940. Gjithnjë në mbështetje të këtyre burimeve shohim se ky aktivitet ishte përqendruar në dy çështje thelbësore për kohën: e para, ngritja e vetëdijes kombëtare, dhe e dyta, ndërprerja e tërësishme e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Aktiviteti i parisë kombëtare e fetare shqiptare erdhi në shprehje veçmas pas Konventës turko-jugosllave, e cila më 11 korrik të vitit 1938 u parafua nga ana e të dy qeverive përkatëse. Kjo marrëveshje erdhi si rrjedhojë e negociatave të gjata midis diplomacisë jugosllave e asaj turke, të cilat zgjatën rreth tre vjet. Autoritetet jugosllave, të frymëzuar nga Ligji për Kolonizim, të cilin Parlamenti turk e solli më 14 korrik të vitit 1934, i cili veç tjerash, parashihte shpërnguljen e të gjithë turqve të Ballkanit për në Turqi, e panë si momentin kyç për shpërnguljen e tërësishme të popullsisë shqiptare e turke nga vatrat e tyre për në Turqi, dhe në tokat e tyre të vendoseshin kolonat sllave. Për këtë qëllim, Qeveria e Stojadinoviqit, në shtator të vitit 1935 themeloi Komitetit Ndërministror, i cili në tetor të atij viti hartoi “Projektin” për siç thuhej “shpërnguljen e elementeve josllave nga Serbia Jugore”. Në të veç tjerash thuhej se çështja e shpërnguljes “duhet rregulluar sa më parë përmes konventës speciale” midis Jugosllavisë dhe Turqisë, si dhe midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ashtu sikurse “kjo çështje është zgjidhur midis Turqisë dhe Rumanisë”. Në rast se me Shqipërinë – thuhej në vazhdim – nuk do të mund të arrihet marrëveshje për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, ose nëse shqiptarët nuk dëshirojnë të shpërngulen në Turqi, menjëherë duhet shkuar në dispozitat ligjore ekzistuese për shpërnguljen e këtij elementi nga zonat kufitare në brendi të vendit dhe popullzimin e zonave të njëjta me popullsi të kombësisë jugosllave….”. Projekti, për të gjithë ata persona, të cilët “shprehnin dëshirën për shpërngulje”, përkatësisht, jepnin deklaratë se tërhiqeshin nga shtetësia jugosllave parashikonte t’u ofrohen këto lehtësime: “a/ t’u jepet falas pashaporti i shpërnguljes, sipas rrethanave të kolektivit; b/ të lirohen nga të gjitha tatimet e vjetëruara /tatim i tokës, nëntatimet, ushtarët etj/; c/ në rast se persona të cilët shpërngulen, kanë borxhe kreditore ose borxhe private /kambiale, obligime dhe shkresa të ngjashme/, ta kryejnë deri më 1 shtator të vitit 1936, që i kanë me huadhënësit /shpenzuesit/ të paguhet nga vlera e llogaritur nga pasuria e tyre e patundshme; ç/ t’u jepet transport falas deri në Selanik dhe…., nëse deklarojnë se tërë pasurinë e tyre të patundshme ia lënë shtetit. Njëlloj kjo u përket edhe të shpërngulurve me gjendje të varfër; d/ t’u jepet lirim prej 75% për transport hekurudhor personave të cilët janë të siguruar materialisht ose të cilët pronën e tyre e kanë shitur më herët; dhe/ të lirohen nga të gjitha të dhënat për bartjen e inventarit lëvizës dhe të hollave; e/ nga momenti i dhënies së deklaratës për shpërngulje të lirohen nga regrutimi, dërgimi në shërbim, kryerja e shërbimit, thirrja për stërvitje dhe marrja në institucion dhe mjeteve transportuese për shkak kryerjes së stërvitjes…”. Për një shpërngulje sa më e suksesshme e sa më të shpejtë të popullsisë jo-sllave, përkatësisht, shqiptare e turke, projekti parashikonte edhe marrjen e masave të domosdoshme: “a/ me të gjitha mjetet të thyhet e të pamundësohet çfarëdolloj propagande e cila nga Shqipëria zhvillohet në mesin e mbarë elementeve kundër shpërnguljes; b/ nga popullsia jo-sllave të cilët vijnë parasysh për t’u shpërngulur, të kërkohet plotësimi i të gjitha ligjeve e dispozitave, e sidomos ndaj atyre që u përkasin pagesave fiskale /tatimet, nëntatimet, kambialet etj./; c/ në territorin e Serbisë Jugore, sidomos në rrethet kufitare të ftohen sa më shpesh për stërvitje ushtarake të obliguarit e ushtrisë operative e rezervë me prejardhje jo-sllave, qoftë për stërvitje dhe manovra, qoftë për shkak ndërtimit të rrugëve strategjike ose objekteve fortifikuese; ç/ në parim të mos pranohen në shërbim shtetëror /ose vetëshërbim/ persona të cilët vijnë parasysh për shpërngulje, ndërsa ata të cilët tash më janë në shërbim shtetëror /vetëshërbim/, të sistemohen në krahinat ku jeton popullsia nacionale e jonë; d/ të zbatohet rreptësishtë parimi për shkollimin e obligueshëm të fëmijëve nga të gjitha trevat në shkollat fillore tona; dh/ të zbatohen rreptësishtë të gjitha dispozitat për popullzimin e krahinave jugore në pikëpamjen e organizimit të kompleksit të nevojshëm për popullzim, në radhë të parë në rrethet kufitare; e/ të filloj menjëherë emërtimi i objekteve gjeografike /vendbanimet, lumenjtë, malet etj./ dhe mbiemrat e njerëzve. Kjo u përket edhe mbishkrimeve publike, sipërmarrjeve, reklamave etj.; dhe, ë/ të gjitha masat e shtruara më lartë të implementohen parasëgjithash dhe menjëherë duke filluar nga linja kufitare me Shqipërinë kah brendia e vendit”.
Për rrjedhojë, Ministria u Punëve të Jashtme jugosllave, më 11 dhjetor 1935, urdhëronte Legatën e saj në Ankara, që sa më shpejtë që është e mundur, të inicioj arritjen e një Konvente me Qeverinë e Republikës së Turqisë, për “shpërnguljen e popullsisë myslimane nga viset jugore për në Turqi”. Kjo çështje, thuhej në urdhëresë “është e një rëndësie të shkallës së parë për vendin tonë”, prandaj, kësaj “t’i kushtoni vëmendje sa më të madhe”, dhe të bëni çmos që “me Qeverinë turke të arrihet sa më parë marrëveshja e propozuar…”. Burimet diplomatike jugosllave, nxjerrin në pah se përkundër përpjekjeve të shumta nga Beogradi zyrtar për ta bindur Ankaranë të nënshkruaj sa më parë një Konventë të tillë edhe me Jugosllavinë, kjo çështje për Qeverinë turke nuk ishte me prioritet, për arsye se sipas tyre numri i popullsisë turke në këtë shtet arrinte shifrën prej rreth 50.000 banorëve, që për dallim nga shtetet tjera ballkanike, si p.sh. në Bullgari, numri i të cilëve ishte 400.000, Greqi 300.000 dhe Rumani 450.000, përbënte një pakicë e parëndësishme. Këto të dhëna edhe pse ishin reale, binin ndesh me planet dhe projektet serbo-madhe, të cilat parashikonin të shpërngulnin rreth 750.000 myslimanë (550.000 i konsideronin për shqiptarë dhe 200.000 turq) nga tokat shqiptare të cilat gjatë vitit 1913 iu aneksuan Serbisë. “Për ne është shumë me rëndësi – i shkruante më 18 tetor 1935, Stojadinoviq përfaqësuesit diplomatik jugosllav në Ankara – që Ligji turk për kolonizim, parasheh emigrimin në Turqi jo vetëm të turqve, por edhe popullsi të kulturës turke”, për arsye se siç do të shprehet “në këtë mënyrë për ne ekziston mundësia, që krahas turqve, të cilët do t’i shpërngulim nga vendi ynë për në Turqi, të fusim edhe një numër më të madh të shqiptarëve”.
Për mosgadishmërinë e Ankarasë rreth arritjes së Konventës me Beogradin, jugosllavët fajësonin parinë e atëhershme shqiptare në krye me Ferhat Dragën, si dhe aktivitetin e shtuar propagandistik të konsullit të Përgjithshëm shqiptar në Shkup, Sheremet Xhuxhuli. I deleguari jugosllav në Tiranë, J. Gjonoviq, më 13 nëntor 1935 njoftonte MPJ-së, se nga biseda e zhvilluar me të deleguarin turk, Jakup Kadri, është informuar se “Shqipëria për përfaqësues të vetin diplomatik në Ankara, e dërgon konsullin e tyre të Përgjithshëm në Shkup, z. Xhuxhulin”, i cili njihet si përkrahës i fuqishëm “i popullsisë sonë myslimane të Jugut”, dhe se “mesiguri se edhe atje do të veproj që Turqia të mos i pranoj të gjithë këta njerëz…”. Dy ditë më vonë, Legata jugosllave në Vjenë, informonte MPJ-në, për një letër të mbretit Zog, dërguar kryetarit të Republikës së Turqisë, Qemal Ataturkut: “Nga një burim i besueshëm – thuhej në shkresë – njoftohemi se para pak kohësh Zogu personalisht i ka dërguar një letër Qemalit, duke e lutur t’i kthej në Shqipëri të gjithë shqiptarët, të cilët janë shpërngulur nga Kosova e Maqedonia”.
(vijon nesër)