Banorët janë ankuar disa herë, pasi që sipas tyre, po ashtu në këtë pjesë të Tetovës, të enjten nuk mund të lëvizet lirshëm sepse është ditë tregu dhe qarkullojnë me mijëra vetura në këtë rrugë të ngushtë, të parregulluar dhe të dëmtuar
Urim HASIPI
Tetovë, 3 prill – Rruga “Murat Baftjari” që është në zonën e lartë të qytetit të Tetovës, tashmë disa vite po përballet me mungesë të infrastrukturës. Si një nga zonat më të frekuentuara gjatë ditës, për shkak se përmes kësaj lagje kalojnë rrugët për në disa fshatra të Malësisë së Tetovës, rruga që kalon përmes lagjes ka qenë e papërshtatshme për qarkullim, shkruan gazeta KOHA. Vështirësi janë hasur në të katër stinët, pasi që gjatë reshjeve – rruga ka qenë përplot me baltë dhe me bekatonë të dëmtuara që ishin vendosur para disa viteve.
Gjatë verës, situata ka qenë më e rëndë për shkak të pluhurit që është ngritur nga qarkullimi i automjeteve të shumta. Banorët janë ankuar disa herë, pasi që sipas tyre, po ashtu në këtë pjesë të Tetovës, të enjten nuk mund të lëvizet lirshëm sepse është ditë tregu dhe qarkullojnë me mijëra vetura në këtë rrugë të ngushtë, të parregulluar dhe të dëmtuar. Banorët vite me radhë kishin adresuar kërkesa në Komunën e Tetovës, edhe pse e njëjta para tre viteve ishte rikonstruar me bekatonë, por të njëjtat ishin dëmtuar shumë shpejt.
Nga Komuna e Tetovës tashmë kanë filluar punët për të rehabilituar këtë rrugë, duke e quajtur një projekt kapital. “Ashtu siç paralajmëruam, me fillimin e pranverës filluam një nga projektet kapitale për sa i përket infrastrukturës rrugore, rikonstruimin e plotë të rrugës ‘Murat Baftijari’. Do të bëhet rregullimi i tërësishëm i rrugës në gjatësi prej 520 metra, gjerësi 6 metra dhe trotuare nga të dyja anët me gjerësi 2 metra. Gjithashtu, me rregullimin e rrugës është paraparë edhe ndërtimi i kanalizimit atmosferik F400 dhe gjatësi prej 600 metrave”, kanë bërë të ditur nga shërbimi për informim në Komunën e Tetovës. Sipas tyre, kjo rrugë – krahas rikostruimit, poashtu do të ketë edhe ndriçim të ri, si dhe vendosjen e gypave në rrjetin e ujësjellësit.
“Rruga e re do të ketë edhe ndriçim modern LED, me shtylla ndriçuese me gjatësi prej 9 metrave. Gjithashtu, gjatë rikonstruimit të rrugës do të bëjmë edhe ndërrimin e gypave të ujësjellësit që të evitohen defektet e mundshme në të ardhmen. Ky projekt gjithsesi që do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, si dhe në qarkullimin e lirshëm të automjeteve dhe këmbësorëve, duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit”, theksuan nga shërbimi për informim në Komunën e Tetovës.
Sipas autoriteteve të Komunës së Tetovës, asfaltimi i kësaj rruge për një kohë më të gjatë pritet që të përmirësojë infrastrukturën jo vetëm për ata qytetarë që jetojnë, por edhe për lëvizjen e lirshme të automjeteve që kalojnë tranzit në fshatrat e Malësisë së Tetovës. Krahas kësaj, gjatë ditës së enjte në këtë pjesë të Tetovës qarkullojnë me mijëra njerëz pasi është ditë tregu dhe njëkohësisht funksionojnë shumë biznese private dekada me radhë, të cilët kohëve të fundit ishin ankuar për mungesë të infrastrukturës që kishte ndikuar edhe në punën e tyre.
Një pjesë e kësaj rruge lidhet edhe me rrugën kryesore për në Kodrën e Diellit dhe me rrugën për një Banjën e Tetovës. Përndryshe, shumë rrugë në qytetin e Tetovës po përballen me probleme të shumta të ngjashme si rruga në lagjen “Murat Baftjari”, siç janë asfalti apo bekatonet të shkatërruara, mungesë e kanalizimit, dhe dëmtimin e rrjetit të ujësjellësit. (koha.mk)