Me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të tyre, por edhe të Svetozar Vukmanoviq Tempos, Enver Hoxha në Konferencën e II të KNÇSh-së, e cila u mbajt në shtator të atij viti në Labinot – Marrëveshjen e Mukjes jo vetëm që e shpalli si të pavlefshme, por edhe si të dëmshme për ideologjinë komuniste. Se udhëheqja e PKSh-së ishte vegël e zgjatur e udhëheqjes së PKJ-së, atë më së miri e shohim në letrën e Milladin Popoviqit, dërguar më 19 tetor 1943 Josip Broz Titos
Nga Qerim LITA
Marrëveshja e Mukjes e nënshkruar më 2 gusht 1943 midis Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacioonalçlirimtar, me të cilën parashihej themelimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do ta drejtonte luftën e shqiptarëve kundër pushtuesit fashist dhe kundër çdo pushtuesi tjetër eventual, u kundërshtua ashpër asaj kohe nga Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviqi, dy instruktorët e përhershëm të Partisë Komuniste të Jugosllavisë pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë. Pikërisht me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të tyre, por edhe të Svetozar Vukmanoviq Tempos, Enver Hoxha në Konferencën e II të KNÇSh-së, e cila u mbajt në shtator të atij viti në Labinot, Marrëveshjen e Mukjes, jo vetëm që e shpalli si të pavlefshme, por edhe si të dëmshme për ideologjinë komuniste. Se udhëheqja e PKSh-së ishte vegël e zgjatur e udhëheqjes së PKJ-së, atë më së miri e shohim në letrën e Milladin Popoviqit, dërguar më 19 tetor 1943 Josip Broz Titos.
Siç do të shohim në vazhdim, Popoviqi në letër i sulmonte ashpër delegatët e PKSh-së në Mukje, për shkak se ata janë pajtuar të nënshkruajnë një marrëveshje, e cila parashikonte themelimin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë”, me kompetencë të plotfuqishme për ta udhëhequr luftën kundër pushtuesit fashist dhe kundër çdo pushtuesi tjetër eventual. “Detyra kryesore e delegatëve, shprehet në letër Popoviqi, nuk ka qenë formimi i komitetit dhe hartimi i programit, por vetëm të bisedohet me Ballin në lidhje me luftën dhe hyrjen në luftë të Ballit, por jo demonstrative, por luftë të pandërprerë kundër pushtuesit fashist…”.
Sipas tij, Balli Kombëtar përbënte bërthamën kryesore të “reakcionit” shqiptarë, ndikimi i të cilit më së shumti shprehej në “Shqipërinë e Re”, përkatësisht në Kosovë dhe në Trevat Lindore, që kjo organizatë kombëtare shqiptare, i konsideronte si toka shqiptare dhe si të tilla duhej t’i bashkangjiteshin Shqipërisë. Më tej, ai shkruan edhe për rolin dhe ndikimin e Lëvizjes së Legalitetit, të Partisë Socialdemokrate, të figurave nacionaliste shqiptare siç ishin: Mit’had Frashëri, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine etj., për klerin katolik shqiptar ndikimi i të cilit ishte shumë i madh në Shqipërinë Veriore, për misionin ushtarak britanik, për dashurinë e pafund të kreut të PKSh-së ndaj PKJ-së dhe J. B. Titos, etj. Meqenëse kjo letër, që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë, fondi KQ i PKJ-së (507), nuk është botuar deri më tash, e pash të arsyeshme atë ta botoj të plotë në gazetën shqiptare KOHA – Shkup.
* * *
“19. X. 1943
I dashuri shoku Tito,
Si duket shokët nga Mali i Zi mbajnë lidhje të rregullta me ju, ndërkohë, ne tani kemi diçka me të rregullt me ta, prandaj besoj se përmes kësaj rruge, këtë letër do ta pranosh më herët se herët tjera, që kjo për mua është me interes, sepse shpresoj se më në fund do ta vendosim lidhjen e dëshiruar. Tash ajo na nevojitet si asnjëherë më parë, pasi para nesh parashtrohen probleme të ndryshme e të komplikuara të cilat kërkojnë zgjidhje të sakta e urgjente. Në një situatë të këtillë siç është tani në Shqipëri nuk do të mund të lejohet një gabim politik, sepse do të kishte pasoja të paparashikuara. Puna jonë e drejtë do të varet shumë nga ndihma e juaj, ndërsa tash kur ekziston lidhja, neve mund të na ndihmohet edhe më shumë.
Që situata në Shqipëri të mund të kuptohet atë do e paraqes ashtu siç është.
Situata në Parti (Partinë Komuniste të Shqipërisë – Q. L.). Nga Konferenca… e këndej është bërë një përparim i dukshëm në aspektin organizativ. Ka 9 komitete qarkore, 8 komitete vendore /prej tyre 5 nëpër qytetet ku ekzistojnë komitetet qarkore, ndërsa 3 në vende më të vogla ku është depërtuar pas Konferencës./ dhe 6 komanda rajonale. Partia numerikisht është në rritje. Numri i anëtarëve ka shkuar në 1.400 rreth 5.000 të rinj. Përkundër asaj se kemi një përparim në aspektin organizativ e numerik, megjithatë nuk është arritur aq sa ka mund të arrihet në kushte të këtilla të volitshme. Jashtë partisë kanë ngelur shumë shokë të cilët kanë merituar të jenë anëtarë, veçanërisht shokët nga fshatrat. Kështu është bërë lëshimi i madh për çfarë do arsye, e më së shumti për shkak se shokët nuk u janë shmangur zakoneve sektare nga e kaluara. Puna masive në çlirimin e territorit i habitë së tepërmi shokët. Ndodh që shokët nëpër qelitë e qyteteve apo të fshatrave të jenë shumë të mirë dhe gjatë punës të japin rezultate bukur të mira, por dështojnë në territorin e çliruar. Me vështirësi i përballojnë format e reja organizative. Pastaj mungesa e iniciatvës dhe mosdija për ta ndarë kryesoren nga dytësorja, thuajse është dukuri e përgjithshme. Forumet nuk janë aq të ngritura që të mund t’i bëjnë ballë çdo ndryshimi. Ata vazhdimisht presin direktiva. Këto çështje na brengosin dhe friksojnë, që ata nuk do të mund të qëndrojnë nën atë barrë që po ua ngarkon Lufta Nacionalçlirimtare, përkatësisht se vërtetë nuk do të mund të qëndrojnë në ballë të lëvizjes. Ende ekziston frika se me një staf të këtillë vështirë se do të mund të kontrollohet situata.
Të gjitha dobësitë rrënjët i kanë te mosngritja teorike. Në këtë qëndron dobësia organizative. Nuk mund të thuhet se ata nuk kanë dëshirë për të mësuar. Përkundrazi, dëshira ekziston te ta, por mungon literatura e duhur. Historia e /VKP/b/ (Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik – Bolshevikët – Q. L.) nuk është publikuar ende. I ka munguar kreu III, që ra në duart e policisë /përkthimi/. Tash edhe kjo është përkthyer prandaj do të përshpejtohet me botimin e Historisë. Por mungon literatura tjetër aktuale dhe ajo ndihmëse.
Gjatë organizimit dhe udhëheqjes së luftës shokët vërtetë kanë mësuar shumë. Kanë fituar përvojë të madhe, por edhe kanë harruar për çështje të shumta. Kështu kanë harruar t’i kushtojnë vëmendje të duhur grupimit, që ende nuk është eliminuar. Veçanërisht tash, kur elemente më të ndryshme reaksionare përpiqen të na thyejnë nga brenda. Ato elemente reaksionare e kanë ringjallur grupin e Sadik Prentes, i cili e ka filluar luftën kundër Partisë, duke e emërtuar atë si jo të pavarur, që i është nënshtruar Partisë Komuniste të Jugosllavisë etj., ndërsa veten ta quaj Parti e vërtetë kombëtare etj. Ka grumbulluar një grup kriminelësh në Vlorë dhe ka filluar të bashkëpunoj me pjesëtarët e Ballit Kombëtar, për çka do të bëhet fjalë më pas, dhe përmes traktit sulmon Dushanin (Dushan Mugoshën – Q. L.) dhe mua. Partia e ka dënuar si tradhtar dhe e ka filluar luftën për eliminimin e tij. Disa nga ajo bandë janë vra, por jo edhe Sadiku. Si dukuri paraqitet jovigjilenca. Në të vërtetë shokët janë tepër të zënë me punë prandaj harrojnë për rrezikun që mund t’ju kushtoj shumë.
Në kohën e kapitullimit të Italisë, pothuajse të gjitha organizatat arritën të përfitonin nga momenti, qoftë në planin e agjitacionit apo të propagandës, qoftë në furnizim /konfiskimin e armatimit/ nga italianët. Qindra trakte i vërshuan qytetet, veçanërisht Tiranën, ndërsa ka dalë rregullisht organi i Partisë Komuniste “Zëri i Popullit”. Në të gjitha zonat është shkuar në qëndrimin për marrjen e qyteteve. Është demaskuar politika e pushtuesit të ri dhe qëllimet e tij, kundër të cilit është zhvilluar luftë me ashpërsinë e njëjtë. Pas luftimeve të gjata ai mori disa vende në zonën e Sarandës dhe Himarës, ndërsa të tjerat ende i mbajmë ne. I mbajmë: Beratin, Pogradecin, Lushnjën /e patëm por e humbëm/, Burelin, Peshkopinë, Dibrën, Krujën fillimisht e morëm që më pas e lëshuam. Por për këtë do të bëhet fjalë më vonë.
Puna partiake në ushtri në fillim ka qenë shumë e dobët. Shokët nuk dinin t’i përshtateshin sistemit të ri të punës. Më vonë, me krijimin e çetave dhe batalioneve sulmuese çështja shkonte kah e mira, ku nëpër çeta përkatësisht bataljone qëndronin pothuajse vazhdimisht disa shokë tanë dhe mund të punohej në formimin e organizatave partiake.
Tash qëndrojmë më mirë. Puna nëpër brigada po shkon shumë më mirë sepse vazhdimisht janë bashkë dhe të gjithë /thuajse të gjithë/ janë simpatizues të komunizmit. Vërehet mungesa e madhe e kuadrit me përvojë. Përndryshe, nëse do të kishin udhëheqës të mirë politik atëherë do të mund të punohej shumë më mirë në ushtri. Nëpër çeta janë formuar qeli e më pas edhe byro batalioni që është i lidhur drejtpërsëdrejti me komisarin politik në brigadë, ndërsa ky me Komitetin Qendror (KQ). Në brigadë gjendet edhe departamenti politik, detyra kryesore e të cilit është zbatimi i drejtë i linjës partiake në ushtri. Në këtë drejtim na nevojitet të na dërgonit /literaturë/ material. Rinia është përfshi në çetat, përkatësisht grupet edukative.
Në të gjitha qytetet është organizuar Lidhja Antifashiste e Gruas. Tash do të mbahet konferenca në të cilën do të zgjedhet/këshilli/komiteti i GAFSh-së.
Gjithashtu është themeluar edhe Lidhja e Rinisë Antifashiste. Nevojitet të na dërgoni material për të punuar në mesin e rinisë. Nga materiali për punë me rininë kemi vetëm artikullin 13 “Lufta rinore” nga viti 1942 dhe artikullin “Proleteri”. Gjithashtu e kemi edhe letrën e KQ të LKRJ-së (Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste të rinisë Jugosllave – Q. L.) për Kosovë e Metohi.
Puna me KNÇ-në (Këshillin Nacionalçlirimtar – Q. L.) po ngec dukshëm. Nëpër këshilla gjenden njerëz të cilët nuk dinë të punojnë por janë shumë besnik. Më herët ekzistonte këshilli prej 11 anëtarëve të zgjedhur që në Konferencën e Pezës. Në fakt, ata /thuajse që të gjithë/ kanë qenë edhe udhëheqës ushtarak, prandaj ngecte puna nëpër KNÇ-të, ose varej plotësisht nga disa shokë tanë. Nevojitej zgjerimi i KNÇ-së. Në një konferencë /20.IX.1943/ (Konferenca e Labinotiot – Q. L.) erdhën delegatët nga të gjitha trevat. U zgjodh Këshilli prej 62 dhe Presidiumi prej 16 vetëve. Tani puna po shkon pak ma mirë, ndonëse barra kryesore ende bie mbi shokët tanë, pavarësisht vullnetit tonë për t’ia transferuar punën Këshillit dhe jo vetëm anëtarëve të Presidiumit.
Deri te kjo konferencë e dytë erdhi edhe për shkak asaj se delagatët e FNÇ-së /të mëhershmit/ bënë një gabim në këndvështrimin e negocimit dhe punës me Ballin (Ballin Kombëtar – Q. L.). Pas konferencës me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar (Mbledhja e Mukjes e cila u mbajt më 1 dhe 2 gusht 1943) ata kanë ardhur te konkluzioni se duhet themeluar “Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë”. Ata lëshuan një proklamatë drejtuar popullit shqiptar në të cilën e paraqitën edhe programin. Në atë proklamatë thjeshtë e kanë mohuar luftën që e ka zhvilluar populli shqiptar nën udhëheqjen e FNÇ-së dhe Shtabit Suprem dhe luftën e kanë vendosur asisoi sikur ajo të fillonte tani, pasi që Balli erdhi në marrëveshje të plotë me FNÇ-në. Komitetit i është dhënë pushtet jashtëzakonisht i madh. Ai menjëherë doli mbi FNÇ-në, Ballin dhe Shtabin Suprem. Në proklamatë as që është përmendur Ushtria Nacionalçlirimtare e as lufta e saj kundër pushtuesit fashist.
Në proklamatë ndër të tjerave ishin edhe këto pika: ‘Luftë e pandërprerë kundër pushtuesit dhe kundër çdo pushtuesi tjetër eventual /këtu mendohet për serbët dhe grekët/. 2/ Luftë për Shqipëri të pavarur dhe për zbatimin e vendimeve të njohura të Kartës së Atllantikut për vetëvendosje të kombeve, për një Shqipëri etnike. 3/ Luftë për një Shqipri të pavarur demokratike e kombëtare. 4/ Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë i bie për barrë të formoj qeveri /e cila gjoja se do ta shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe e cila do t’i jepte ultimatum Dalmacit, gjeneralit të forcave italiane në Shqipëri/, ndërsa formën e regjimit do ta përcaktoj populli mbi bazën e së drejtës të drejtpërdrejtë të votës që do ta zbatoj Kushtetuta e Shqipërisë’.
Në traktin e ri asnjë fjalë kundër fashizmit. Vetë parulla e traktit ishte : “Ja vdekje, ja liri”. Kjo është një parullë e vjetër e Lëvizjes Kombëtare në Shqipëri, që Balli e ka përdorur në traktet e veta. Nuk e kanë pranuar parullën: “Vdekje fashizmit – Liri e popullit”!, sepse në vetvete përmban luftën ideologjike kundër së cilës madje ata e nënvizojnë edhe në këtë program, por edhe në traktet e tyre. Detyra kryesore e delegatëve (fjalën e ka për të deleguarit e Frontit Nacionalçlirimtar në mbledhjen e Mukjes – Q. L.)) nuk ka qenë formimi i komitetit dhe hartimi i programit, por vetëm të bisedohet me Ballin në lidhje me luftën dhe hyrjen në luftë të Ballit, por jo demonstrative, por luftë të pandërprerë kundër pushtuesit fashist. Por delegatët u mashtruan me rënien e Musolinit. Edhe ata nën ndikimin e situatës së krijuar ranë në pozitën kapitulluese para Ballit edhe atë në momentin kur ajo organizatë ishte në një pozitë shumë kritike. Dhe shokët delegatë të cilët ranë në pozicionet e nacionalistëve dhe u rreshtuan në mënyrë oportuniste, duke u kënaqur nëse do të mund të ndryshonin ndonjë fjali apo fjalë në program. Në atë kohë këtu qëndronte shoku Tempo. Biseduam edhe me KQ-në dhe bëmë një rihulumtim të çështjes, të situatës etj., e më pas vendosëm që trakti të hudhet poshtë dhe të mos pranohet mënyra e organizimit të Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, e as funksionin e tij si instanca më e lartë në Luftën Nacionalçlirimtare, që urgjentisht të thirret konferenca e KNÇSh-së dhe të bëhet zgjerimi i tij.
Në Konferencë, nga ana e të gjithë delegatëve të pranishëm, u dënua trakti dhe Komiteti (për Shpëtimin e Shqipërisë – Q.L.) si komitet por jo edhe si ide. Nga Konferenca u lëshua një trakt dhe rezolutë në të cilën janë vërë në dukje pikat për të cilat KNÇSh-ja (si front) pajtohet për bashkëpunim dhe unitet me Ballin. Atëherë në skenë doli lufta në shtyp. Demaskimi i Ballit ishte i ashpër dhe Balli filloi ta sulmonte Partinë si fajtoren kryesore për shpërbërjen e Komitetit etj., ndërsa Këshillin Nacional Çlirimtar filloi ta quante si Parti Komuniste, duke e sulmuar Bashkimin Sovjetik dhe “diktaturën e Stalinit”, ndërsa PK-në, si “të kuqe, jonacionale” etj. Nuk qemë kursyer as ne të dy (M. Popoviqi dhe D. Mugosha- Q.L.). Partinë (Komuniste Shqiptare – Q. L.) e sulmonin si të nënshtruar nga Partia (Komuniste- Q. L.) Jugosllave.
Ndikimi ynë është më i fortë se më herët. Më herët vërehej simpatia për anën tonë, ndërsa tash në disa zona dhe qytete vërtetë po vërehet ndikimi ynë. Populli po vetëdijesohet dhe luftën e sotme ka filluar ta kuptoj drejt. Ndikimi ynë është rritur, por edhe ndikimi i KNÇ-së, veçanërisht nga shfaqja e batalioneve sulmuese dhe së fundi të brigadave. Nga shfaqja e ushtrisë së organizuar, populli tek ne sheh fuqinë. Në këtë mënyrë u kapërcye nga një simpati momentale e të rënduar në ndikim të vërtetë /përsëris: vetëm në zona të caktuara/.
Ndikimi ynë është i madh në Frontin Nacionalçlirimtar. Partia është udhëheqja dhe treguesja e vërtetë e linjës politike. Shokët tanë po punojnë në Këshill dhe përmes punës ndikojnë tek ai.
Jashtë FNÇ-së janë formuar edhe disa parti, si Partia Zogiste (Lëvizja e Legalitetit – Q.L.), e cila ka lëshuar një trakt në të cilën e përshkruan meritën e Zogut për Shqipërinë dhe se si Zogu nuk e ka ndalur luftën porse atë e ka vazhduar nga jashtë. Në të janë përfshi ish oficerët e Zogut, kryesisht të komprometuar. Ata kanë qenë në shërbim të pushtuesit dhe të milicisë, ndërsa sot në Partinë e Zogut flasin për një Shqipëri më fatlume nën qeverisjen e Zogut. Ata posedojnë me bollëk mashtrime dhe intriga dhe janë të njohur si të tillë. Është i dobët ndikimi i tyre, përkatësisht ndikimi i Zogut. Në një krahinë janë shumë të fuqishëm – në Mat, ndërsa në krahinën e Dibrës kanë diçka dhe kur Muharrem Bajraktari (njeri i cili e ka gjuajtur Zogun, sa njeri joparimor) ‘kaloi’ në anën e tyre kanë diçka edhe në Lumë. Në pjesë tjera është shumë i dobët ndikimi i tyre, thuajse aspak. Në krye të tyre gjendet mashtruesi dhe kompromisaxhiu i njohur, Fiqiri Dine, kolonel.
Pastaj në formim e sipër është Partia Social Demokratike. Në krye të saj gjendet Soti Kondi. Ai ka qenë në KNÇ, por pjesëmarrja e tij nuk ka qenë asnjëherë aktive, tash ndahet. Nuk dihet se çfarë qëndrimi do të merr. Vetëm se flet që nuk duhet luftuar kundër gjermanëve dhe se ata janë përkohësisht në Shqipëri. Por, nëse është kështu atëherë është e qartë. As ai nuk ka ndikim. Nuk janë tubuar ende, prandaj themelimi i Partisë Social Demokratike mund të ngelet vetëm si një përpjekje”.
(vijon nesër)