A është patjetër që sherifët e tillë çuditërisht të jenë shumë të dashur për liderin e shumë të urryer nga rrethi prej nga vijnë? Sigurisht që pyetjet janë të shumta kur janë në pyetje sherifët e kasabave, por gjithë këtë shqetësim e zgjidh një përgjigje e prerë: Interesat e një partive janë më të gjera se kapriçot e çfarëdo lloj individi
Nga Emin AZEMI
Cilat kritere duhesh t’i përmbushësh për të qenë kadrovik i një partie, ose ndryshe thënë, njeri që ua cakton fatin të tjerëve? Sepse ai vendos: Kush mundet, e kush jo, të bëhet ministër, drejtor, nëpunës, polic, doganier, sportelist etj. etj. Nuk e di që ka ndonjë shkollë të posaçme për këtë profil kaq të rëndësishëm, por e di që tash e shumë vite nëpër kasabatë tona ekzistojnë tipa të tillë që ‘’ndajnë jazin e mullirit’’ dhe nganjëherë ndodhë që uji rrjedhë edhe nëpër mullinj të boshatisur, që s’bluan asgjë. Ka të ngjarë që mullinjtë e tillë të bluajnë kotësi për një bukë që s’e ngop askënd.
Janë dy probleme fundamentale që ngatërrohen njëri me tjetrin sa herë që përqendrimi ngarkohet te një person i vetëm i cili duhet të vendos për të tjerët. Në radhë të parë, te ne mungojnë individë që kanë integritet të lartë moral e qytetar për të qenë imun ndaj viruseve të xhelozisë, egoizmit, inferioritetit, familjarizmit etj. Në radhë të dytë, sado objektiv të jetë ai person, sërish natyra e punëve imponon një përzgjedhje më gjithëpërfshirëse, me një bazë më të gjerë kriteresh, të denja për t’u marrë parasysh, para se të caktohet një listë kuadrosh.
Merre si ta marrësh, është e pamundur që një individ i vetëm të jetë alfa dhe omega e përzgjedhjes së njerëzve, për arsye se praktika ka dëshmuar se individët e tillë në të shumtën e rasteve, ose kanë qenë tejskajshëm subjektiv në kriteret e tyre, ose janë udhëhequr prej disa parametrave vlerësues që kanë qenë nën nivelin e pritjeve të publikut.
Nuk e di çka thonë analizat e brendshme partiake (nëse ekzistojnë ato) që merren me cilësinë e prurjeve kadrovike, por perceptimi i përgjithshëm është se tash e disa vite në listat e kuadrove nuk mund të përfshihen njerëz me vlera të kënaqshme profesionale e njerëzore dhe nuk mund të flitet për një qarkullim normal të prurjeve, për faktin se kadrovikët e kasabave kanë bërë bllokada të pajustifikueshme, duke lënë jashtë proceseve kuadro me diploma që mund të jenë privilegj për çdo institucion, sikur ata të kishin patur fatin të kenë merituar mëshirën e kadrovikëve të kasabave.
Tash më nuk është fshehtësi publike se shefat e tillë lokalë, janë shumë të kujdesshëm në çështje private e familjare, duke rehatuar kushërinjtë, baxhanakët, tezakët, balldësket, mirëpo kanë problem me çështje që dalin jashtë oborrit të tyre, sepse aty fillon hilja dhe subjektivizmi. Sherifët e kasabave tona, siç e thonë vetë ata që e kanë pësuar, nuk kanë shumë vullnet të hulumtojnë talent të posadiplomuar për ti angazhuar ata në ndonjë institucion, a projekt, por përkundrazi tregohen shumë aktiv në dëbimin e këtyre talentëve, sepse vetëm në këtë mënyrë mjerimi i tyre mund të shkëlqejë, pa patur si kërcënim frikën e konkurrencës.
A thua a di ndokush me na tregu se çka ju duhen partive këta sherifa kasabash? Për të qenë më e qartë pyetja, po themi se çdo parti mund të ketë ‘’bri thyer’’ të tillë, por a është patjetër që të tillët të vedosin për fatin e të tjerëve? A është pa tjetër që të vuajmë me dekada pasojat e humorit të keq të sherifave lokalë, të cilët për çdo palë zgjedhjesh partisë i dhurojnë nga një armatë kundërshtarësh? A është patjetër të rinjtë tanë me rezultate solide nëpër universitete të dështojnë në ‘’provimin’’ e injorancës së sherifëve të kasabave? A është patjetër që sherifët e tillë çuditërisht të jenë shumë të dashur për liderin e shumë të urryer nga rrethi prej nga vijnë?
Sigurisht që pyetjet janë të shumta kur janë në pyetje sherifët e kasabave, por gjithë këtë shqetësim e zgjidh një përgjigje e prerë: Interesat e një partive janë më të gjera se kapriçot e çfarëdo lloj individi. (koha.mk)