Në debatet dhe reagimet nga maqedonasit për ligjin për gjuhën po humbet esenca. Po ngatërrohet e drejta, drejtësia për përdorimin e shqipes me banalitetin politik të sjellë nga politikanët. Në asnjë mënyrë nuk mund të lejohet që keqveprimi politik i politikanëve të jetë si një kanal shpërthimi, apo vjellje vreri me elegancë për gjuhën shqipe, të drejtën e përdorimit të saj. Këto janë dy gjëra të ndryshme
Nga Nazim RASHIDI
Mëngjeset prej kohësh tashmë janë të rezervuara për lexime, kryesisht ata që vinë përtej atlantikut apo mediave të huaja, por padyshim që ka edhe tekste të këtushme që të servohen nga rrjetet sociale.
I tillë ishte dhe një shkrim i kolegut Goran Mihajllovski. Dhe në fakt më bëri përshtypje. Më bëri përshtypje sepse ai i përket një shtrese të përfaqësuesve mediatik, por dhe të shoqërisë që është liberal madje dhe pararojë për shumë fenomene e zhvillime në shoqëri, por ja që jo edhe aq për shqipen dhe përdorimin e saj.
Në fakt ai shkruan shpesh dhe kollumnat e tij kanë mprehtësi elegante e thumbuese, por ky paragrafi më poshtë më shpoi sepse më tregoi se në debatet për ligjin për gjuhën po humbet esenca. Po ngatërrohet e drejta, drejtësia me banalitetin politik. Dhe në asnjë mënyrë nuk mund të lejohet që keqveprimi politik i politikanëve shqiptarë të jetë si një kanal shpërthimi, apo vjellje vreri me elegancë për gjuhën shqipe, të drejtën e përdorimit të saj.
Po ja paragrafi:
“Nuk mund ta kuptoj këtë rezistencë për të folur gjuhën e bashkësisë që përbën një shumicë te shteti ku ke lindur dhe jeton. Thjesht, për komunikim të përditshëm. Për vetëshërbim, për një nevojë në qendrën e urgjencës, në pompë benzine, për aplikim në punë apo kompani private, për në farmaci, për në pazar, apo që të mund të shkosh në dasëm të komshiu maqedonas, e të urosh ndonjë festë apo të shprehësh ngushëllime… Do ta mirëkuptoja këtë sjellje nëse dikush do t’ua kishte ndaluar përdorimin e gjuhës së tyre, që të mos kenë mundur ta mësojnë apo të punojnë në institucionet shtetërore pa u lejuar ta përdorin…Por, në këtë rast, çfarë kërkojnë? Nuk është e mundur të dish anglisht më mirë se sa maqedonisht, e të jetosh në Maqedoni. Raul Gonzales erdhi nga Spanja dhe mësoi maqedonisht, kurse Ejup Alimi nga Tanushevci kërkon nga gazetarët të sjellin përkthyes në parlament nëse duan të kuptojnë se çfarë ka dashur të thotë”.
I dashur Goran, të lutem lexoje të njëjtin paragraf, që edhe unë do ta kisha shkruar një lloj si ty por me pak ndryshime të vogla:
“Nuk mund ta kuptoj këtë rezistencë për të folur gjuhën e bashkësisë që përbën një shumicë te shteti ku ke lindur dhe jeton. Thjesht, për komunikim të përditshëm. Për vetëshërbim, për një nevojë në qendrën e urgjencës, në pompë benzine, për aplikim në punë apo kompani private, për në farmaci, për në pazar, apo që të mund të shkosh në dasëm të komshiu shqiptar, e të urosh ndonjë festë apo të shprehësh ngushëllime… Do ta mirëkuptoja këtë sjellje nëse dikush do t’ua kishte ndaluar përdorimin e gjuhës së tyre, që të mos kenë mundur ta mësojnë apo të punojnë në institucionet shtetërore pa u lejuar ta përdorin…Por, në këtë rast, çfarë kërkojnë? Nuk është e mundur të dish anglisht më mirë se sa shqip, e të jetosh në Maqedoni. Raul Gonzales erdhi nga Spanja dhe mësoi maqedonisht, kurse Ejup Alimi nga Tanushevci kërkon nga gazetarët të sjellin përkthyes në parlament nëse duan të kuptojnë se çfarë ka dashur të thotë”.
I dashur Goran, po të drejtohem ty, se me gjasë ashtu si dhe ti ka shumë që nuk kuptojnë esencën e përdorimit të gjuhës, pra të drejtën që ishte kërkesa dhe esenca e ekzistencës së subjekteve politike shqiptare që nga pavarësia dhe dallimin e primitivizmit që sjellin disa politikanë. Dhe habia dhe zhgënjimi im këtu vjen. Se ti duhej ta dije këtë.
Paragrafin e cituar siç thashë edhe unë mbase një lloj do ta kisha shkruar se edhe unë të njëjtën ndjesi kam, kur rrin me mua ti dhe të tjerë kolegë dhe ende s’ke mësuar asnje fjalë shqip. Por unë e të tjerë e pranojmë këtë. Shumë mirë që përmend z. Gonzales. Mëso pra prej tij. Nëse ai ka mësuar gjuhën maqedonishte për aq pak kohë sa është këtu, ti ke pasur gjithë kohën e mundur të dije aq pak shqip siç do thoshe vetë “për komunikim të përditshëm. Për vetëshërbim, për një nevojë në qendrën e urgjencës, në pompë benzine, për aplikim në punë apo kompani private, për në farmaci, për në pazar, apo që të mund të shkosh në dasëm të komshiu”.
Por përveç shembullit të z. Gonzales duhej të jepje shembujt e diplomatëve të tjerë, që bashkë i takojmë, e që mësojnë dhe maqedonisht edhe shqip njëkohësisht. Pse si jep shembujt e tillë?
Që të jem i qartë edhe një herë. Kjo që po shkruaj s’ka të bëjë me primitivizmin e disa politikanëve apo dhe triumfalizmin e shprehur të disa të tjerëve që u shpreh kur u miratua ligji i gjuhëve.
Që ta kuptosh: Në një pasdite, me miq, ku pihej verë e raki me pak meze, e pak edhe për t’u ngrohur nga dimri u hap çështja e gjuhës dhe reagimi i politikës.
Ende pa e shkruar ti tekstin Goran, komenti për konferencën për shtyp që përmend në tekst ishte i njëjti. Nga të gjithë prezent. Realitetin ne e dimë. Shumë pak maqedonas dinë shqip dhe çdo mesazh që përçohet, nëse duhet të merret vesh nga të gjithë në Maqedoni, duhet të thuhet në të dyja gjuhët, vetë ose me përkthyes. E gjithë ajo situatë, palidhje.
U komentuan i dashur Goran edhe gjestet triumfaliste të disa politikanëve. Po pa nevojë. Por jo se shqiponja duhet të ngjallë frikë, se ai është simbol i shqiptarëve, por sepse ligji ishte arritje e një procesi ku kanë marrë pjesë të gjithë, me vite, edhe ti duke e kundërshtuar edhe unë duke e mbrojtur. Dhe po, nëse dije shqip do shihje atë valë reagimesh negative nga shqiptarët për veprimet triumfaliste të disa politikanëve. Ka ende debate mes shqiptarëve nëse ligji është i duhuri, por sjelljet e politikanëve shuan edhe atë entuziazëm që do të duhej të sillte miratimi i ligjit.
U përmend në atë bisedë mes miqve edhe kërkesa për të vënë etninë në dokumentet e udhëtimit. U kundërshtua kjo ide. Por jo nga frika se do turpërohemi se dikush diku ka bërë ndonjë krim. Ata duhen emëruar edhe treguar kush janë, edhe pse janë shqiptarë, nëse janë, sepse askush nuk dëshiron të ketë e të mbrojë krimin e kriminelët “e vetë”. T’i trembësh njerëzit mos e vini etninë se do ju turpëroje ndonjë kriminel është qesharake. Por Goran, ishin kundër idesë për të vënë etninë në dokumente identifikimi, por për arsye të parimeve evropiane. Jam i bindur që ndjek debatet në Evropë dhe e di që tashmë çdo detaj i tepërt personal mund të jetë bazë për diskriminim. Apo siç ishte rasti i reagimit të BE-së ndaj Greqisë, ku në kartat e identitetit vendosej dhe feja. Pra për të tjera parime kundër Goran. Jo për shkak frike, a turpi, se shqiptarët janë krenarë për atë që janë me gjithë të mirat e të këqijat që kanë, thuajse si gjithë të tjerët.
Të gjitha këto, edhe një herë nuk duhet të ngatërrohen me të drejtën për përdorimin e gjuhës. E thua dhe ti, asnjë s’duhet pasur frikë se me ligjin shqiptarët do mbisundojnë maqedonasit.
Në fund, unë e di shumë mirë që nuk i përket ekstremistëve maqedonas që i përmend në tekst, e di dhe që bën përpjekje për krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse. Në faqen e internetit, të ndërtuar prej teje sdk.mk, tekstet mund të lexohen dhe shqip. Një veprim tejet fisnik ky. (Prandaj dhe s’ka pse e shkruaj këtë tekst edhe në maqedonisht)
Nuk do jetë nevoja as për një tekst pasues për tu sqaruar pas kësaj që shkrova, veç një reflektim, se mbase argumentet e shprehur vinë nga një mendësi e të kaluarës kur me shqipen ngjallej frikë. E di që do të pajtohemi lehtë për politikbërjen dhe nivelin e saj, por mos harro ama, se ashtu siç një nacionalizëm ushqen një tjetër, ashtu edhe një primitivizëm politik ushqen një tjetër. Kjo që them s’është asnjë justifikim, por realiteti se mungesa e kulturës politike është evidente tek krejt klasa politike, shqiptare e maqedonase.
Dhe në fund,i dashur Goran. Atë pasdite dimri me miqtë e mi, të cilët kanë dhe fëmijë, të gjithë ramë dakord me ty për një gjë, se po, fëmijët tanë duhet të dinë maqedonisht, një lloj si prindërit e tyre, si unë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)