I punësuari në komunën e Shuto Orizares, për të cilin Prokuroria e Shkupit e propozoi masën e paraburgimit prej 30 ditëve për kërkim të mitmarrjes, ndërsa SPB- Shkup dorëzoi kallëzim penal, nuk ishte këshilltar i kryetarit të komunës së Shuto Orizares, Kurto Dudush, por ishte shofer, kumtoi sot Kabineti i kryetarit të komunës. S.M. (40) ishte arrestuar më 27 shkurt në orët e pasdites në hapësirat e komunës, ndërsa mediat transmetuan se ai ishte këshilltar i kryetarit.
“Në të njëjtën ditë në media u paraqitën informacionet e rreme se bëhet fjalë për person i cili është këshilltar i kryetarit të Shuto Orizares. Në media të caktuara u plasuan edhe informacione të rreme se edhe kryetari është në arrest dhe ka pranuar ryshfet. Për të gjitha informacionet e rreme dhe të pasakta, të cilat qarkulluan në opinion dhe të cilat e dëmtuan reputacionin dhe ndershmërinë e kryetarit të komunës, si dhe rejtingun e komunës tashmë janë në ndërmarrë masa përkatëse”, thuhet në komunikatë.
Kabineti i Dudushit thekson se komuna e Shuto Orizares dhe kryetari kanë synime për luftën kundër korrupsionit, ruajtjen e ligjeve për implementimin e drejtësisë, mbi secilin person fizik dhe juridik. “Qytetarët e RM-së presin implementimin e tërësishëm dhe joselektiv të drejtësisë ndaj kryerësve të veprave penale pa dallim nëse bëhet fjalë për raste të ryshfetit nga një mijë denarë dhe ryshfet dhe korrupsion me shuma milionëshe”, shtojnë nga Kabineti i Dudush.
I dyshuari si i punësuar në komunën Shuto Orizare më 27 janar në hapësirat zyrtare të komunës ka pranuar dhuratë të dakorduar prej më parë në lartësi prej 1000 eurove. Dhuratën i dyshuari e ka pranuar duke e shfrytëzuar ndikimin e tij, i cili nuk duhej të kryhej. Ai i kishte kërkuar mjetet që të sjellë vendim për vërtetimin e statusit juridik të objektit të ndërtuar ilegalisht, kumtoi sot Prokuroria.