Nga Qerim LITA
Hysen Xhaferi-Spahiu (babai i intelektualit e politikanit të shquar shqiptar, të ndjerit Arbën Xhaferi) lindi në vitin 1910 në qytetin e Tetovës. Rrjedh nga familja Spahiu të Kolosjanit të Lumës, përkatësisht familja e atdhetarit të mirënjohur lumjan, Islam Spahiut. Babai i tij, Ejup Spahiu, pasi kishte të kryer shkollimin e mesëm (Idadien) në Stamboll, ishte punësuar si nëpunës në Kazanë e Tetovës. Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike (1912) dhe pushtimin e këtyre tokave shqiptare nga ushtria serbe, familja Spahiu, si shumë familje tjera shqiptare, për shkak dhunës e terrorit serb, qe detyruar të shpërngulet në Turqi. Në vitin 1920, pas vdekjes së babait, Hysen Xhaferi, së bashku me vëllain e tij më të madh, Ismailin kthehen në Tetovë. Pasi e kreu shkollën fillore katërvjeçare në gjuhën serbe, Hyseni së bashku me të vëllain punoi si rrobaqepës në dyqanin e tyre të cilin e kishin trashëguar nga babai.
SI FUNKSIONONTE BESA
Veprimtaria atdhetare e tij filloi në vitin 1937, kur së bashku me Selim Shehapin, Idriz Ibrahim – Cërcërin, Gani Lumën, Ismail Xhaferin, Mahmut Ahmetin, Naxhi Sulejmanin e Vesel Rexhepit, në Tetovë themeluan degën e organizatës, përkatësisht Shoqërisë studentore “BESA”, një organizatë atdhetare shqiptare e themeluar në vitin 1935 nga studentët shqiptarë, të cilët asaj kohe studionin në universitetet e Beogradit e të Zagrebit. Në kuadër të BESËS funksiononin dy seksione: seksioni arsimor dhe seksioni muzikor. Seksioni arsimor e udhëhiqte Selim Shehapi, ndërsa atë muzikor, Idriz Ibrahimi-Cërcëri. Ja se si Hysen Xheferi – Spahiu, para organeve të hetuesisë e përshkruan themelimin si dhe aktivitetin e Shoqërisë BESA, gjatë periudhës1937-1939: “Saktësisht nuk më kujtohet se a ishte viti 1937 ose më parë. Një ditë nga Selim Shehapi u ftuam këta persona: unë (Hysen Xhaferi – Q. L.), Idriz Ibrahimi-Cërcëri, Gani Luma, Mahmut Ahmeti, Ismail Xhaferri, Naxhi Sulejmani e Vesel Rexhepi. Kur u tubuam të gjithë, Selimi na tha se na ka ftuar me qëllim që të gjithë ta mësojmë gjuhën shqipe, sepse sipas tij, ne si shqiptarë do të duhet ta njohim mirë gjuhën amtare. Ai na tha se ka siguruar abetare në gjuhën shqipe. Më kujtohet se pati vetëm 3 abetare. Ne, me propozimin e Selimit u pajtuam dhe secili nga ne, nëpër shtëpitë tonë, filluam me mësim, ndërsa na ligjëronte Selimi. Krahas mësimit në gjuhën shqipe, Selimi propozoi të themelojmë edhe një seksion muzikor, të cilën edhe e formuam. Në krye të këtij seksioni ishte Idrizi, ndërsa Gani Luma ishte ndër nismëtarët e parë. E di se asaj kohe Ganiut iu tha që ai të kërkojë edhe njerëz tjerë që të zgjerohet shoqëria dhe krahas personave të lartpërmendur, si anëtar të rinj të asaj shoqërie erdhën edhe këta persona: Xheladin Palloshi, Abdyrrahman Tresi, Sherif Kazazi, Muharrem Jusufi, Kadri Sulejmani, Shefqet Sulejmani e Setki Shaqiri. Selim Shehapi, sa më kujtohet, insistonte që shqiptarëve t’u jepeshin disa të drejta, edhe atë: bibliotekë, zgjerimin e seksionit muzikor, gazetë në gjuhën shqipe, shkolla shqipe, teatër e disa kërkesa tjera, por kjo nuk u lejua nga pushteti i atëhershëm serb…”.
Aktiviteti i tij atdhetarë vazhdoi edhe pas mbarimit të LDB-së, e sidomos në fillim të viteve 50-ta, kur së bashku me atdhetarët tjerë nga Tetova si: Mehmetriza Murtezani – Gega, Sulejman Arifi, Murtezan Murtezani, Ismail Xhaferi-Spahiu, Ismail Saiti e shumë të tjerë iu kundërvunë projekteve antishqiptare që asaj kohe i zbatonte udhëheqja komuniste maqedonase, siç ishte projekti për hapjen e shkollave turke në vendbanimet e pastra shqiptare dhe projekti për shpërnguljen e shqiptarëve për në Republikën e Turqisë. Pa dashur të futem në detaje, në vazhdim për lexuesit e gazetës KOHA, po e botoj një dokument, të hartuar më 15 shtator të vitit 1955 nga organet hetuese në Gostivar, ku i burgosuri politik, Hysen Xhaferi-Spahiu, në pika të shkurta e përshkruan aktivitetin e tij politik e atdhetar nga viti 1937 e deri në vitin 1955, kur së bashku me Mehmet Gegën, Abdulla Kalishtin etj., u arrestua nga ana e UDB-a maqedonase, nën pretekst se kanë zhvilluar “veprimtari armiqësore kundër popullit e shtetit”. Dokumenti prej pesë faqesh botohet për herë të parë dhe është i plotë.
“BESA” NË TETOVË NGA VITI 1937
GOSTIVAR, 15 SHTATOR 1955
“Gjatë kohës së ish Jugosllavisë, mendoj se në vitin 1937, në Tetovë qe themeluar Organizata shqiptare “BESA”, në të cilën edhe unë u anëtarësova që në themelimin e sajë. Kjo organizatë, në fillim nisi me mësimin e gjuhës shqipe, e më pas u hap edhe seksioni muzikor. Më pas kjo organizatë u zgjerua dhe numëronte rreth 15-20 anëtarë, të cilët rregullisht paguanim anëtarësi. Pushteti i atëhershëm dinte për veprimtarinë e seksionit muzikor të anëtarëve të këtij grupi, por mësimi i gjuhës shqipe ishte i fshehtë. Qëllimi i kësaj organizate ishte që ne të aftësohemi për arsimimin e gjeneratave të reja të kombit shqiptar e zhvillimin e frymës kombëtare si shqiptar. Më tej, kjo organizatë me anëtarët e saj mbante mbledhje nëpër shtëpitë e anëtarëve të vet dhe atje mësonim gjuhën shqipe me abetare e gramatikë, për të cilin qëllim kishim siguruar libra në gjuhën shqipe, si abetare po ashtu edhe libër leximi. Kur seksioni muzikor u aftësua për muzikë, më vonë përgatiste e mbante shfaqje nëpër fshatrat shqiptare, ndërsa në qytet shfaqjet mbaheshin nëpër shtëpitë e anëtarëve të kësaj organizate, por me numër më të vogël të shikuesve. Si organizator të kësaj organizate unë e di Selim Shehapin nga Tetova, ndërsa përveç meje si anëtarë më kujtohen personat: Idriz Ibrahimi-Cërcëri, Muharrem Jusufi, Sherif Kazazi, dy të fundit gjendet në burg, Kadir Sulejmani, i shpërngulur në Bosnjë etj. Në mbarim të vitit 1940, kjo organizatë u shua, përkatësisht nuk pati as çfarë aktiviteti, përveç asaj se ne, anëtarët, jemi takuar individualisht, ndërsa me ardhjen e Italisë, pas kapitullimit të ish Jugosllavisë, anëtarët e kësaj organizate të cilët ishin më të aftë, u bashkuan me mësuesit e nëpunësit tjerë, të cilët erdhën nga Shqipëria e vjetër dhe punonin legalisht përmes shkollave kombëtare shqiptare e organizatave tjera legale për ngritjen e kombit shqiptar në frymën kombëtare.
Gjatë kohës së okupacionit, fillimisht isha nëpunës në Bashkinë e Tetovës, e më pas grumbullues financiar e të hyrave të popullsisë. Fare nuk kam marrë pjesë në formacionet ushtarake të pushtuesve, e gjithashtu nuk e kam kryer shërbimin ushtarak në APJ-ë për shkak të sëmundjes. Nga çlirimi i deri në ditën e burgosjes sime, e kam ushtruar zanatin tim si rrobaqepës”.
PUSHTETI PËRJASHTONTE SHQIPTARËT
I pyetur të flet për veprimtarinë armiqësore kundër pushtetit popullor dhe rregullimit të RFPJ-së, i akuzuari u shpreh me sa vijon: “Pas shpalljes së Rezolutës së IB-së, pasi RFPJ i ndërpreu marrëdhëniet me BRSS-në, Shqipërinë e vendet tjera të IB-së dhe e ndryshoi politikën në raport me ato vende, unë isha i pakënaqur nga pushteti ekzistues i RFPJ-së. Deri në shpalljen e Rezolutës konsideroja se edhe ne shqiptarët si pakicë i gëzonim disa të drejta të pakicave nacionale, porse shihja se si nga ana e pushtetit ato të drejta të shqiptarëve nuk zbatoheshin. Nuk mund ta përcaktoj kohën e saktë, por pas Rezolutës në vitet 1949, 50 e 51 e më tej pushteti në RFPJ, në mënyrë sistematike filloi të zbatojë një politikë, përmes së cilës krijohej jobarazia midis shqiptarëve e maqedonasve e popujve tjerë, kështu që shqiptarët nuk konsideroheshin si të barabartë dhe në mënyrë sistematike u merreshin edhe ato të drejta, të cilat i gëzonin deri atëherë. Shikoja se si pushteti përjashtonte nga detyra numër të madh të shqiptarëve, të cilët deri atëherë bartnin funksione të ndryshme, e në vendin e tyre vendoseshin maqedonasit. Ky veprim i pushtetit ishte i padrejtë, e me këtë vërejta se pushteti ka marr qëndrim të ashpër ndaj shqiptarëve dhe ndaj tyre nuk kishte besim, prandaj i përjashtonte nga çfarëdolloj detyre, qoftë udhëheqëse ose të rëndomta. Pushteti zbatonte masa më të ndryshme të cilat shkonin në dëmin e të drejtave të popullsisë shqiptare, në mesin e cilave unë e shihja si një masë të dëmshëm vendimin e Qeverisë që të hapen shkolla turke në të cilat të mësonin fëmijët shqiptar. Mendoj se në vitin 1951 pushteti për herë të parë filloi të hapë shkolla të tilla edhe në Tetovë, sikurse edhe në vendet tjera dhe për hapjen e shkollave turke, pushteti organizoi më shumë konferenca në të cilat vihej në dukje se ka shqiptarë të cilët kërkojnë të mësojnë në gjuhën turke, sepse flasin në atë gjuhë, e prandaj pasi ata ndihen turq, u jepet e drejta që fëmijët e tyre të mund të regjistrohen e mësojnë në shkollat turke. Mirëpo, unë e dija se në të vërtetë ndonjë shqiptar në Tetovë e fliste gjuhën turke, mirëpo ata ndihen dhe janë shqiptarë të vërtetë dhe nuk kërkonin hapjen e shkollave turke që fëmijët e tyre të mësojnë në atë gjuhë. Edhe pse unë saktësisht nuk e dija se ndonjë shqiptar ka kërkuar nga pushteti që të hapen shkolla turke dhe për këtë as që interesohesha ta di, porse unë flisja me shokët e miqtë e mi të afërt, se askush nga shqiptarët nuk dëshiron të hapet shkollë turke. Unë isha kundër hapjes së shkollave turke, sepse konsideroja se me mësimin e fëmijëve shqiptarë në shkollat turke, pushteti dëshiron t’i turqizojë shqiptarët e në atë mënyrë të zvogëlohet numri i popullsisë shqiptare në RFPJ-ë.
TAKIMET NËPËR SHTËPITË TONA
Në hapjen e shkollave turke unë vlerësoja se në atë mënyrë pushteti ua merr të drejtën shqiptarëve që ata të edukohen në gjuhën shqipe. Kjo nënkuptonte asimilimin e shqiptarëve. Në një konferencë, në të cilën unë nuk mora pjesë, por përmes miqve kuptova se askush nga shqiptarët nuk ka dashur të hapen shkolla turke dhe nuk janë deklaruar se fëmijët do t’i dërgojnë në shkollat turke, por edhe përkundër kësaj dhe kundër vullnetit të shqiptarëve pushteti i hapi shkollat turke dhe kryente regjistrim të fëmijëve shqiptarë të mësojnë në ato shkolla. Ky akt i pushtetit konsiderova se është i padrejtë dhe se hapja e shkollave turke është kryer me forcë, pa dëshirën e shqiptarëve. Në lidhje me çështjen e hapjes së shkollave turke si masë e padrejtë nga ana e Pushtetit Popullor, kemi folur me personat: MEHMET MURTEZANI “GEGA”, i cili është në burg, vëllain e tij MURTEZAN MURTEZANI, vëllain tim, ISMAIL XHAFERIN, SELIM SHEHAPIN etj. Të gjithë këta vinin te unë në dyqan, qoftë individualisht, por ka pasur edhe momente kur rastësisht jemi takuar nga tre apo katër vetë dhe kemi biseduar për më shumë çështje, të cilat më lartë i vura në dukje, përkatësisht, për heqjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, qoftë me atë që pushteti përjashton nga puna shqiptarë, e në vend të tyre vendos maqedonas, ose qoftë për atë se pushteti me dhunë hap shkolla turke, në të cilat të mësojnë fëmijët shqiptarë dhe për të gjitha këto çështje ne jemi pajtuar se është e padrejtë ajo që kryhet nga ana e pushtetit. Ardhja e këtyre personave në dyqanin tim ishte në vitin 1951 e këndej, por për afatin e saktë kohor nuk mund të kujtohem, për shkak se kjo kishte ndodhur shumë më herë. Me Mehmet Murtezanin e vëllain e tij jetojmë në një mëhallë, e prandaj njihemi që më herët e jemi miq që kur ata filluan të vijnë te unë në dyqan. Si të tillë, duke biseduar edhe për çështje të rëndomta, ne bisedonim edhe për çështjet politike të nënvizuara dhe jemi pajtuar për ato çështje. Veçmas e njoh Mehmet Murtezanin si mësues i cili në mënyrë të hapur i kundërvihej pushtetit popullor dhe gjithmonë ishte i pakënaqur e fliste kundër masave të ndryshme që i ndërmerrte pushteti në dëm të shqiptarëve.
Nuk më kujtohet se a thua në atë kohë kur me personat e lartpërmendur kemi folur, në dyqanin tim erdhi edhe Muharrem Jusufi, tash në burg. Përveç asaj, siç vura në dukje më lartë se me bashkëmendimtarët e mi kemi biseduar në dyqanin tim, me ta gjithashtu kemi diskutuar për çështje të ndryshme politike, duke marrë qëndrim armiqësor kundër pushtetit e rregullimit të RFPJ-së kur jemi tubuar nëpër ndeje në shtëpitë tona. Ndeje të këtilla për një hark të caktuar kohor i kemi realizuar gjatë dimrit të viteve 1953/54 e 1954/55, të cilat i kemi mbajtur në mënyrë reciproke nëpër shtëpitë tona. Kështu, për shembull, kur mbahej ndeja në shtëpinë time, unë shtroja darkë e jepja çaj, e më pas luanim disa lojëra zbavitëse, si “Filxhana” dhe bisedonim për çështje për të cilat do të flas më poshtë. Kur filluam t’i organizojmë ndejat, nuk patëm për qëllim që në to të organizojmë ndonjë debat politik, por me kalimin e kohës ne në ato ndeje filluam t’i trajtojmë disa çështje politike e të marrim qëndrim ndaj tyre. Në ato ndeje përveç meje kanë marrë pjesë: IDRIZ IBRAHIMI-CËRCËRI, vëllai im ISMAIL XHAFERI, REXHEP BEJADINI, MEHMET MURTEZANI “GEGA”, ABDULLAH JUSUFI, NIJAZI RASHITI etj., të gjithë nga Tetova. Përveç çështjeve tjera, si problem më aktual në atë kohë për debatet tona përbënte shpërngulja e shqiptarëve në Turqi. Në diskutimet për këtë çështje ne që të gjithë pajtoheshim se shpërngulja e shqiptarëve në Turqi është e dëmshme për shqiptarët, sepse konsideronim se me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, do ta humbnim shumicën e shqiptarëve në RFPJ-ë, e në atë mënyrë do t’i humbnim edhe ata të drejta të pakta që i gëzonim këtu. Konsideronim se nëse ngelim në shumicë, shqiptarët në RFPJ do ta kenë më lehtë t’i kërkonin të drejtat e tyre kombëtare. Si arsye kyçe për shpërnguljen, ne konsideronim se është Pakti Ballkanik (I nënshkruar asaj kohe midis qeverive të Turqisë, Greqisë e Jugosllavisë –Q. L.), nga i cili numri më i madh i atyre që shpërnguleshin për në Turqi ishin shqiptarë, si nga qyteti po ashtu edhe nga fshatrat, që nënkuptonte se politika e pushtetit të RFPJ shkonte në favor të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, sepse asaj kohe dukshëm qenë përmirësuar marrëdhëniet e RFPJ me Turqinë. Megjithëse pushteti nuk i detyronte shqiptarët të shpërnguleshin me forcë për në Turqi, me politikën e saj, me masa e rregullore të ndryshme, ajo në fakt mundësoi shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, të cilën, ne konsideronim se është e padrejtë dhe shkon në dëmin e neve shqiptarëve. Të gjithë ne prezent në këto ndeje deklaroheshim se askush nga ne nuk do të shpërngulet për Turqi dhe këtë, të njëjtën, duhet ta përcjellim edhe te familjarë e miq të afër. Se a kanë folur të tjerët nuk më është e njohur, por unë personalisht nuk kam folur me askënd për ta penguar të shpërngulet në Turqi. Nuk më kujtohet saktësisht data kur ne u tubuam në një ndeje te IDRIZ IBRAHIMI, duke biseduar për çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Ne numëruam se deri atëherë nga Tetova ishin shpërngulur 60 familje, ndërsa 30 familje tjera përgatiteshin për ta bërë të njëjtën. Debatuam se për ne jeta në Turqi nuk është e mirë, vështirë gjendet punë dhe se në Anadoll klima është e rëndë. Këtë e debatuam, me qëllim që të njoftoheshin njerëzit se atje jeta është e rëndë dhe për ta penguar shpërnguljen, edhe pse ne gjendjen nuk e dinim saktësisht se si është në Turqi, mirëpo këtë e flisnim për t’i frikësuar njerëzit që të mos mendojnë të shpërngulen për në Turqi. Në një takim, mendoj se në shtëpinë e Mahmut Ahmetit, duke folur për këtë çështje nga një revistë, “Jeta e Re”, lexuam një poezi në të cilën thuhej të mos lëshohen vatrat tona e të ngelim këtu ku jetojmë. Nëse më kujtohet ajo poezi quhej “Ngel në vendin tënd”. Njëkohësisht në këto ndeje i debatonim edhe çështjet për hapjen e shkollave turke. Në fakt, në biseda individuale kemi folur se tash nuk është aq e dëmshme për ne shqiptarët hapja e shkollave turke, sa është e dëmshme shpërngulja e shqiptarëve në Turqi. Më kujtohet se SELIM SHEHAPI në bisedat tona gjithashtu mbronte qëndrimin që ne të kërkojmë më shumë të drejta, siç i kanë edhe nacionalitetet tjera në Jugosllavi. Në pyetjen time se si t’i kërkojmë ato të drejta nga pushteti, ai konkretisht nuk u deklarua, por thoshte se edhe ai do të shkonte në Turqi, e nga andej të kalonte në një shtet tjetër, ku do të punonte për ta penguar shpërngulja e shqiptarëve në Turqi.
RREZIKU QË SHQIPTARËT TË MBETEN PAKICË
Me MEHMET MURTAZANI “GEGA”, mësues i cili gjendet në burg, siç theksova edhe më lartë, disa herë kemi zhvilluar biseda qoftë në dyqanin tim ose nëpër ndeje. Me sa më kujtohet Mehmeti ka folur për çështjet si vijon: Lidhur me hapjen e shkollave turke më fliste se si është kundër. Që të dy pajtoheshim në atë se hapjen e shkollave turke nga ana e pushtetit, e shihnim rrezikun për ne shqiptarët se një pjesë më e madhe do të turqizoheshin e do ta humbnim shumicën. Mehmeti thoshte se si disa mësues shqiptarë, IBRAHIM DAUTI e OSMAN X., u shndërruan në mësues turq, e për këtë arsye ai filloi t’i urrente e thoshte se ata e kanë tradhtuar kombin shqiptar. Na rekomandonte t’i bojkotojmë si të tillë. Kur vinte në dyqanin tim Mehmeti fliste edhe me SELIM SHEHAPIN e vëllain tim, ISMAILIN. Po ashtu për hapjen e shkollave turke dhe shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, duke e sulmuar pushtetin, se atyre, mësuesve shqiptarë, nuk u ofrohet ndihmë nga ana e pushtetit që të mund të funksionojnë si duhet shkollat si dhe të funksionojë si duhet zhvillim i mësimit me fëmijët shqiptarë. Më është e njohur se ai një qasje të tillë e pati që nga viti 1951. Në konferencën e përgjithshme në shkollën “Liria” më kujtohet se fliste se si këtu jemi më shumë shqiptarë dhe të njëjtit e flasim gjuhën shqipe, prandaj ishte kundër që pushteti të hapë shkolla turke dhe se në konferencë nuk duhet të flitet në gjuhën turke, porse vetëm në gjuhën shqipe. Duke folur për çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, unë Mehmetin e kam pyetur, sepse më interesonte, e kam dashur ta di se sa është numri i familjeve të cilat planifikojnë të shpërngulen që më pas këtë t’ua përcjellë shokëve të mi, me të cilët zhvillonim biseda të tilla nëpër ndeje. Deklaroj se mund të ketë pasur edhe ndonjë bisedë tjetër që e kemi zhvilluar me Mehmetin për të cilën nuk më kujtohet, e ndoshta ai mund të kujtohet më mirë e t’i sqaroj. Mehmeti me mua nuk ka debatuar për marrjen e ndonjë mase me qëllim të kryerjes së ndonjë agjitacioni kundër pushtetit e rregullimit në RFPJ-ë. Nuk kemi biseduar për shkruarjen e afisheve dhe afishet që më janë treguar, unë nuk e di se me kë i ka shkruar Mehmeti, sepse për atë çështje nuk kam biseduar me të. Në lidhje me afishet më kujtohet se në vitin 1952 pati disa të ngjitura në Xhaminë e Vjetër e nëpër vende tjera, përmes të cilave apelohej te popullsia shqiptare që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat turke. Saktësisht nuk mund ta di se kush i ka shkruar ato afishe, ndoshta Mehmeti i ka shkruar me dikë tjetër, sepse ishte shumë aktiv në pengimin e hapjes së shkollave turke. Nuk kam çfarë të them tjetër”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara