Elseid Hysaj është rikthyer në formacion te Napolit, madje duke u “mbyllur” gojën kritikave në shtypin italian. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, ka bërë ndeshje të mira në javët e fundit, teksa mbrëmjen e djeshme ndihmoi ekipin e tij të fitonte në Europa League.
Kjo paraqitje e shqiptarit ka bindur dhe Ançelotin, që pas hezitimit të vazhdueshëm për ti besuar një vend titullari, tani e sheh Hysajn një pikë kyçe në prapavijë. Ky rikthim në formë i Elseid Hysajt, ka bërë që mediat në shtetin fqinj të rikthejnë në vëmendje përsëri merkaton.
“Il Mattino”, shkruan se Hysaj mund të jetë larg Napolit në verë, nëse ai shfaq vullnet për t`u larguar nga klubi. Gazeta, në fakt, shpjegon se Napoli nuk do të bëhet pengesë për futbollistin e kombëtares shqiptare, nëse ai kërkon që të fillojë një aventurë të re.
As pengesa financiare, e cila e ka penalizuar disi Hysajn në merkaton e verës së shkuar dhe të janarit të këtij viti, nuk do të jetë më problem. Sipas medias italiane, vlera e 40 milion eurove që Napoli kërkon për Hysajn, mund të ulet deri në 20 të tilla.
Napoli sërish del i fituar nëse kjo gjë do të ndodhë, pasi ka paguar vetëm 5 milion euro për mbrojtësin shqiptar pesë vite më parë. Sakaq, për Elseid Hysajn, ka disa klube të interesuara. Çelsi në Londër është në krye të listës për mbrojtësin shqiptar, por nuk mbetet pas as Inter në Serinë A.