Thuajse katër vite më parë, në Beogard, ndodhi diçka që vështirë se do të mund të hiqet nga mendja e një tifozi shqiptar, ashtu sikurse edhe serb. Në stadiumin “Hum” – shtëpia e Partizan Beogradit – luhej Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2016 (kuqezinjtë u kualifikuan për të parën herë në histori). Një ndeshje që do të kalonte në histori jo për rezultatin, golat apo episodet, por për faktorë ekstrafutbollistik. Nga pritja armiqësore te fyerjet, kërcënimet, presioni dhe racizmi anti-shqiptar, thirrjet për vdekje, e deri te flakadanët në fushë… Por, menuja e asaj mbrëmje të 14 tetorit 2014 rezervoi edhe një ulje të dronit me simbolet shqiptare (Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, me flamurin e Shqipërisë së Madhe) dhe pushtimin e fushës nga huliganët serbë, që goditën lojtarët e kombëtares kuqezi.
Në atë stadium, në atë tunel, shumë vite më parë ka kaluar edhe Billy Costacurta, sot drejtues i federatës italiane të futbollit, në atë kohë pjesë e Milanit. “Mbaj mend policët që në tunel na shihnin keq dhe lëviznin shkopat e gomës në mënyrë kërcënuese. Por, më pas nuk bënë asgjë të keqe, por përshtypjet që pata i mbaj mend si tani. Gjatë festimeve, edhe një qen më kafshoi. Ka diçka ndryshe në atë stadium, një nxehtësi e veçantë që e dallon që kur del në nxehje. Shokëve u thashë se “Marakana” të ndryshon dhe të bën më shumë skuadër dhe besoj se është pikërisht kështu”.