Elseid Hysaj me bashkëlojtarë i kanë organizuar një aheng befasues të lamtumirës Marek Hamsikut, i cili do të largohet nga Italia për t’iu bashkuar Dalian Yifangut.
Përfaqësuesi sllovak do të luajë në Superligën e Kinës pas plot 12 viteve të kaluara në Napoli. Transferimi i tij pritet të kompletohet brenda 48 orëve, transmeton Gazeta Express.
Mbrojtësi shqiptar Hysaj me shokë e çuan Hamsikun në një lokacion të fshehtë dhe i thanë se bëhej fjalë për një darkë intime me dy miq të ngushtë, por sllovakut i doli një befasi e madhe, pasi aty e gjeti tërë skuadrën e Napolit, fishekzjarrë dhe një tortë të madhe në formë të fanellës me numrin 17.
“Marek ishte emocional. Një bashkëlojtar i tij i bëri të gjitha aranzhimet, ama nuk tregoj se kush ishte”, tha pronari vendin ku ndodhi befasia.
“Ishte kënaqësi t’i shohësh aq shumë miq të bashkuar për të festuar me një bashkëlojtar i cili kishte dhënë aq shumë për Napolin. Kur e kuptoi që ishte befasi, u prek”, shtoi ai.