Në dy takimet e fundit, Partizani nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë. Sfidën përmbyllëse të vitit të shkuar, “demat” e humbën 3-2 kundër Laçit, ndërsa sfidën e parë për këtë vit të ri e mbyllën në barazim 1-1 kundër Apolonisë, duke lënë dy pikë. Këto rezultate tregojnë se Partizani duhet të lëvizë medoemos në merkato, që të përforcojë skuadrën. Jasir Asani mund të largohet nga të kuqtë, ndërsa pritet të vijnë Ferhan Hasani dhe tre futbollistë të tjerë, pas afrimeve të Stenio Zhunior dhe Valentino Murataj.
ASANI – Anësori 25-vjeçar mund të largohet nga Partizani në këtë merkato dimri. Për mesfushorin e krahut ka një ofertë në tavolinë nga Dubai, ndërsa ajo më e fundit ka ardhur nga Izraeli. Mediat izraelite bëjnë me dije se menaxheri i Asanit është në bisedime me klubin Hapoel Kfar-Saba. Paraqitjet pozitive të anësorit mëngjarash të Partizanit kanë nxitur izraelitët për ta pasur në ekip. 25-vjeçari cilësohet si futbollisti i duhur për të përforcuar skuadrën nga drejtuesit e Hapoel Kfar-Saba. Këtë sezon, Asani ka shënuar 3 gola në 9 ndeshje, ndërsa në total me fanellën e Partizanit ka shënuar 18 gola. Pritet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e lojtarit, për të cilin ka pasur zëra edhe gjatë merkatos së shkuar të verës.
HASANI – Partizani nuk është dorëzuar ende për firmën e Ferhan Hasanit. Fantazisti kishte bisedime zyrtare me klubin indian, Çenai, por deri më tani nuk ka një firmë në kontratë. Në rast se ky klub nuk ia plotëson kushtet Hasanit, atëherë Partizani pritet të përfitojë, duke sjellë në kryeqytet 30- vjeçarin. Në garë për “Bubën” është dhe ekipi i Tiranës.