Bruksel, 3 prill – Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati në një intervistë për portalin ‘Euroaktiv’ të Brukselit ka folur edhe për gjendjen aktuale në Maqedoni dhe përzierjen e shtetit të tij në punët e brendshme të Maqedonisë përmes platformës shqiptare, njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli. Gjatë kësaj Bushati rekomandoi se pret që kjo platformë të hyjë në Kushtetutën e Maqedonisë, me qëllim që të japë rezultate pozitive edhe për “maqedonasit dhe për shqiptarët. “Unë besoj se përfshirja e të ashtuquajturës Platformë shqiptare në Kushtetutë dhe në kornizën e re ligjore, do të ketë më shumë rezultate pozitive për të dy grupet etnike që jetojnë në Maqedoni, apo grupet e saj kryesore etnike -maqedonasit dhe shqiptarët”, tha Bushati. Ai gjithashtu argumenton se “nuk ekziston asnjë platformë nga Tirana, por ekziston një dokument që është nënshkruar nga partitë e bllokut politik shqiptar në Maqedoni, që janë edhe pjesë e Parlamentit të Maqedonisë, dhe se ai dokument është mbështetur nga Tirana zyrtare. “Ne mbështesim dokumentin, sepse besojmë se në këtë dokument deklarohen qartë përpjekjet e shqiptarëve fillimisht të ruhet Maqedonia e bashkuar. Së dyti, aty kërkohet një harmoni më e mirë ndëretnike duke u bazuar në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, së treti për të zbatuar marrëveshjen e Përzhinës dhe së katërti për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë në NATO dhe BE, për normalizimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe Bullgarinë, dhe natyrisht me Shqipërinë dhe Kosovën si fqinj” , thekson Bushati. Në pyetjen e gazetarit se zyrtarizimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë është duke ndryshuar rendin kushtetues të vendit, pasi që Maqedonia nuk është një federatë, por një shtet unitar, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë u përgjigj: “Unë nuk e di se si ky argument, me gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, është i barabartë me federalizimin e vendit. Por nëse dikush i referohet Marrëveshjes së Ohrit, do ta vërejë se zbatimi i detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, është shumë i vogël”, ka shtuar Ditmir Bushati. Në pyetjen se çfarë mendon me atë që thotë se shqiptarët trajtohen si “punëtorë sezonalë në vendin e tyre” nga ana e Gruevskit, Bushati përgjigjet: “Nëse udhëtoni në Maqedoni, menjëherë do t’i dalloni ndryshimet dhe hendekun që ekziston midis bashkësive, i cili duhet që të tejkalohet. Mënyra në të cilën janë bërë investimet, mënyra në të cilën ndahen resurset dhe pasuritë, mënyra në të cilën grupet etnike përfaqësohen në jetën publike, e gjithë kjo duhet që të përshtatet në mënyrë graduale”, shton Bushati. Në intervistë, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, gjithashtu përmend se në Ballkan ekziston frikë nga formimi i tribunaleve, duke përmendur Prokuroritë Speciale në Mal të Zi, Maqedoni dhe Kosovë, akuzat e të cilave, sipas Ditmir Bushatit, duhet t’i ndjekin me procedurë tribunalet.