Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në kryeqytetin turk, Ankara, ku një person është futur në një kabinë elektrike për të vjedhur kabllo dhe tela bakri, por është arritur të nxirret që andej vetëm me barelë.
Sipas “Hurriyet” rreth orës 3:30 të së dielës, zyrtarët elektrike u njoftuan për shkëputjen e energjisë elektrike në lagjen Altinpark. Me të mbërritur në kabinën elektrike, elektricistët gjetën pa ndjenja Murat O., i cili ishte futur për të vjedhur kabllo dhe tela bakri, por kishte rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ambulanca, të cilët e nxorën Murat O. me barelë. Pas ndërhyrjes së parë në vendngjarje, ekipi i urgjencës e dërgoi burrin në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën, por nën kontrollin e forcave të rendit.