Hyn në fuqi ndalesa ruse për importin e pjeshkave

Prej sot pjeshkat e Maqedonisë nuk do të eksportohen në tregun rus. Edhe zyrtarisht hyn në fuqi vendimi i Rusisë me të cilin ndalohet importi për shkak të supozimit se kishin gjetur krimb në dërgesat.

Bëhet fjalë për ndalesë të përkohshme gjë të cilën e bëri të ditur Shërbimi federal rus për kontroll veterinar dhe fitosanitar në faqen e tij të internetit, por autoritetet e Maqedonisë për vendosjen e saj nuk morën njoftim zyrtar.

Shkaku për këtë, sipas ministrit të Bujqësisë Lupço Nikollovski, është vështirësuar komunikimi ndërmjet dy vendeve për shkak të strukturës së re qeveritare në Rusi.

“Ende askush nuk mund të thotë sa janë dëmet. Të mos dalim me kurrfarë të dhënash paushall, por të jemi të kujdesshëm për shkak të strukturës së re qeveritare në Rusi.

Ai paralajmëroi se po kërkohet treg alternativ për pjeshkat të cilat nuk do të plasohen në Rusi. Si opsione i theksoi tregun britanik, shqiptar dhe kosovar. Përfaqësues të firmës britanike, tha, tashmë janë në Maqedoni dhe sot do ta vizitojnë Rosomanin që të bëjnë vlerësimin e  frytit.

Dje ministri kishte inicuar takim me përfaqësuesit diplomatik në Maqedoni. Me kujdes, siç theksoi po bëhen përpjekje t’iu ndihmohet edhe prodhuesve edhe blerësve.

“Janë përforcuar kontrollet monitoruese të punkteve blerëse sepse bëhet fjalë për prodhime të cilat tashmë gjenden në qendrat blerëse. Ta lëmë që Inspektorati t’i vërtetojë sasitë e prodhimtarisë së tanguar me vendimin e përkohshëm të Rusisë gjatë kohës së ndalesës e cila hynë në fuqi nga nesër”, potencon ministri.

Ndërkohë, blerës  nga Rosomani janë në dilemë nëse do t’u kthehen   kamionët  të cilët për momentin janë në kufirin rus. Tre kamionë tashmë janë rrugës për t’u kthyer.

“Nga një kamion i kthyer humbim 4.000-5.000 euro. Ky është dëm i madh. Nëse situata nuk zgjidhet, nuk e dimë nëse do të jemi në mundësi t’i paguajmë prodhuesit.  Pjeshkat veçmë i japim  shumë lirë,  10 deri në 15 denarë për kilogram, ndërsa i kemi blerë nga 18 denarë. Dërgohen edhe në Shkup, Shqipëri dhe Kosovë”, deklaroi për MIA-n Vllado Ordanov, blerës dhe prodhues  i 30 hektarëve pjeshka, dardha, kajsi dhe rrush në Rosoman dhe Sirkovo.

Prodhuesit vlerësojnë se  veprimi i këtillë i Rusisë është politik sepse deri më tani kishin eksportuar pa kurrfarë problemesh. Rusia qe një kohë të shkurtër bën probleme me importin. Deri më tani plasmani vijonte pa kurrfarë problemesh. Është tregues edhe ajo se për momentin, pa kurrfarë problemi eksportojmë në Ukrainë, Bjellorusi, Norvegji, Rumani, Kroaci dhe askush nuk na bën problem”, thotë Ordanov dhe shton se rreth 80 për qind të pjeshkave zakonisht shkojnë për Rusi.

Deri kur do të zgjasë ndalesa e përkohshme për eksport të  pjeshkave do të dihet pas kontrolleve të organeve përkatëse nga Rusia dhe Maqedonia të cilat vijojnë.

Masa ruse, përveç se për Maqedoninë, vlen edhe për Serbinë.