Shkup, 18 shkurt – Ligji i ri për efikasitet energjetik, sot hyri në fuqi pasi u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe u publikua në “Gazetën Zyrtare”.
Në këtë ligj, siç informojnë nga Ministria e Ekonomisë, në tërësi janë implementuar rregullat për efikasitet energjetik të Bashkimit Evropian dhe ai do të mundësojë realizimin e investimeve të nevojshme dhe masave në këtë sferë.
“Kontrollet energjetike dhe shoqëritë e lincencuara për kryerjen e kontrolleve energjetike përfundimisht do të mund të fillojnë me punë dhe me këtë në mënyrë aktive të marrin pjesë në përmirësimin e efikasitetit energjetik në shtetin tonë. Ligji i ri, krahas tjerash, në mënyrë të thuktë i rregullon kontrollet energjetike tek tregtarët e mëdhenj dhe kontrollet energjetike të ndërtesave. Konkretisht, në të ardhmen kontrollet energjetike do të bëhen prej kontrolluesve të trajnuar dhe të autorizuar për çdo sferë në veçanti – kontrollet energjetike të tregtarëve të mëdhenj nga njëra anë dhe kontrollet energjetike të ndërtesave nga ana tjetër”, sqarojnë nga Ministria e Ekonomisë.
Ligji rregullon detyrime për rikonstruimin e ndërtesave në sektorin publik në afat të mesëm dhe të gjatë, më pas obligimet për ndjekjen e konsumit dhe kursimet e energjisë nga komunat dhe personat e tjerë të sektorit publik, si dhe detyrimet lidhur me efikasitetin energjetik gjatë transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji.
Risia është se çdo qytetar i kyçur në sistemin e energjisë solare do të ketë mundësi të shkyçet nga sistemi i ngrohjes vetëm në raste kur sistemi i ri në të cilin planifikon të kyçet siguron performanca më të mira energjetike. Më pas, qytetari duhet të sigurojë pëlqim me shkrim për shkyçje nga sistemi për ngrohje qendrore nga shumica e numrit të përgjithshëm të pronarëve të ndërtesës.
Ligji vendos risi edhe lidhur me rolin e Agjencisë për energjetikë në pjesën e mbështetjes së zhvillimit të shërbimeve energjetike përmes sigurimit të informacioneve, publikimit të model-marrëveshjeve si dhe mbështetje teknike për sektorin publik lidhur me shërbimet energjetike.
Risi ka edhe lidhur me kërkesat për theksimin e informacioneve dhe etiketës me të cilën shënohet klasa e efikasitetit energjetik dhe eko-dizajni i produkteve që përdorin energji dhe të cilat ofrohen në tregjet e shtetit.
Parashihet edhe formimi i Fondit për efikasitet energjetik si person juridik i pavarur. Mjetet e Fondit do të përdoren për financimin e projektit dhe masave për efikasitet energjetik, ndërsa kushtet detyjuese dhe mënyra e punës së Fondit do të rregullohen me ligj të veçantë.