Hyn në fuqi embargoja e BE-së për importet e naftës së papërpunuar ruse nga deti

Nga sot hyn në fuqi embargoja e BE-së për importet e naftës së papërpunuar ruse nga deti, e cila u miratua nga Komisioni i BE-së më 3 qershor në kuadër të pakos së gjashtë të masave kufizuese kundër Moskës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas pakos së sanksioneve, blloku miratoi ndalesë të plotë të importit për të gjithë naftën bruto ruse dhe produktet e naftës që transportohen në rrugët detare, të cilat, sipas BE-së, “mbulojnë 90 për qind të importeve tona aktuale të naftës nga Rusia”.

“Ndalesa përfshin disa periudha të tranzicionit për të mundësuar përshtatje të sektorit dhe tregjeve globale, dhe përjashtim të përkohshëm të naftës së papërpunuar nga tubacioni për të siguruar që nafta ruse të hiqet gradualisht në mënyrë të rregullt”, thuhej në deklaratë pas miratimit të pakos.

Advertisements

Deklarata gjithashtu tregon se vendet e BE-së, që kanë një “varësi të veçantë të tubacionit nga Rusia”, mund të përjashtohen përkohësisht nga sanksionet me kusht që të marrin naftën nga tubacioni.

“Shtetet anëtare që përfitojnë nga ky përjashtim nuk do të jenë në gjendje të rishesin naftë të papërpunuar dhe produkte të naftës në shtete të tjera anëtare ose vende të treta”, shton deklarata.

Sanksionet hyjnë në fuqi pasi Komisioni i BE-së propozoi një kufi çmimi prej 60 dollarësh për fuçi për naftën e transportuar nga Rusia përmes detit të enjten.

Zyrtarët rusë kanë njoftuar se do të refuzojnë t’u shesin naftë vendeve që bien dakord për kufirin e çmimit, ndërkohë që bisedimet janë ende duke u zhvilluar mes kërkesave për kufizime gjithnjë e më të larta të çmimeve nga disa shtete anëtare të BE-së.