Jahmir Hyka duket se ka gjetur tokën e premtuar. Sulmuesi shqiptar shënon golin e dytë personal gjatë këtij sezoni me fanellën e San Jose Earthquakes. Mesfushori 29-vjeçar u aktivizua titullar në sfidën undër Portland ku skuadra kaliforniane triumfoi 3-0. Ishte pikërisht Hyka që hapi serinë e golave në pjesën e parë. Mesfushori shqiptar që në këtë ndeshje u aktivizua në krahun e djathtë, përfitoi nga një aksion i rrezikshëm i skuadrës së tij duke u gjendur në momentin dhe vendin e duhur për ta çuar topin në rrjetë në minutën e 8 të ndeshjes. Një gol me shumë rëndësi për skuadrën e San Jose që arriti të shënonte më pas edhe dy herë për të marrë tre pikë ndaj kundërshtarëve nga Oregoni. Pas javës së 10, skuadra e Jahmir Hykës mban vendin e 5 mne 15 pikë në divizionin e perëndimit duke ngushtuar diferencën me Portland që ndodhet dy pozicione më sipër. Gjatë këtij sezoni, Hyka është aktivizuar në 10 ndeshje dhe në 6 prej tyre e ka nisur sfidën nga fusha e blertë. Golin e parë të sezonit në aventurën amerikane ai e shënoi në përballjen kundër Dallasit të mbyllur në barazim 1-1.