Fisnik NUHIU
Shkup, 20 janar – Arlind Huseini i lindur në Tetovë, ku me suksese kreun shkollën fillore, të mesmen fakultetin e kulturës Fizike, ndërsa në vijim është duke kryer edhe masterin në drejtimin e Menaxhmentit Sportiv në Shkup. Arlindi që nga mosha 5 vjeçare filloi të merret me sportin e karatesë, ndërsa edhe më tej nuk ndalon duke kryer detyrën e këtij sporti. Si i ri me sukses kaloi të gjitha grupmoshat ndërsa nga viti 2001, pas themelit të KK “Fati”, ai u bë pjesë e këtij klubi ku mori rolin e trajnerit. Ëndrra për ta bërë një klub të madh KK “Fatin”, e realizoi me sukses. Pasi viti pas viti zbuloi shumë talent të karatesë siç janë Berat Jakupi, Vjosar Cara, Ekrem Hajdari, Adriatik Azizi, Doan Osmani, Vjollca Gafuri, dhe shume të tjerë. Puna e tij e palodhshme ka bërë që në vitrinën e KK “Fatit” të fusë shumë medalje. Falë trajnerit Arlind Huseini si dhe djelmoshave në këtë klub, fama e KK “Fati” filloi të rritej më të madhe e të rrotullohet në media si dhe puna në klub u shumëfishua. Trajneri, Arlind Huseini përpos licencës për trajner në Maqedoni ai posedon edhe licencë nga Federata Botërore e karatesë. Në intervistën e dhënë për gazetën Koha, Arlind Huseini tregon hapat e parë në këtë sport si dhe arritjet e tij tani më si trajner i klubit të karatesë “Fati”
KOHA: Si lindi ideja që ju të merreni me sportin e karatesë?
HUSEINI: Njëher falënderit për intervistën, është privilegj të jem i intervistuar nga ju dhe gazeta juaj. Që nga mosha 6 vjeçare merrem me karatenë ku edhe i bëra hapat e para në klubin e karatesë “Luboten”, të Tetovës dhe më pas katër vite në KK “Shkëndija” e Tetovës. Sporti i karatesë është sport me shkathtësi luftarake ku kërkon disiplinë dhe përkushtim nëse doni të jeni në kulmin e këtij sporti. Të them të drejtën i mësova me përkushtim të madh hapat e karatesë sepse ky sport më mësoi shumë dhe më drejtoi aty ku duhet. Në atë kohë të vitit 1985 ku edhe u regjistrova si çdo fëmijë që e donte karatenë por duke iu falënderuar prindërve unë nuk u ndava nga karateja sepse sensin e karatesë e shifshin tek unë prindërit dhe përkrahja e tyre ishte e madhe në atë kohë duke financuar seminare vetore e dimërore, gara në vend dhe jashtë vendit.
KOHA: Në fillim të karrierës keni qenë pjesë e KK Lubotenit, e pastaj në KK Shkëndija, sa keni patur suksese me këto dy klube?
HUSEINI: Siç përmenda edhe më lart, hapat si fillestar i kisha në klubin e KK “Luboten” dhe përkushtimi më i madh ishte në KK “Shkëndija”, ku isha pjesë e garuesve që mbronin ngjyrat e këtij klubi. Normal që koha e atëhershme ishte shumë më ndryshe për të ndjekur hapat emrave të mëdhenj në karate, por në Maqedoni garuesit e Shkëndisë ishim shumë të suksesshëm duke u renditur gjithmonë tek të parët. Po ashtu kemi marr pjesë në gara mbarëkombëtare, ndërkombëtare si në Gjermani, Çeki, Zvicër, Hungari e shumë vende tjera.
KOHA: Në vitin 2001 u formua KK “Fati”, që nga atëherë ju jeni pjese e këtij klubi?
HUSEINI: Në vitin 2001 konkretisht në dhjetor u themelua KK “Fati”, ku formoi kryesin e vet dhe normal unë si trajner isha udhëheqës i këtij klubi. Që nga atëherë me shumë sukses jam duke e kryet obligimin tim si trajner pasi çdo fëmijë që regjistrohet kërkon përkushtim të trajnerit duke shpresuar të jetë emër i njohur i karatesë në të ardhmen. Nga viti 2001 në klub janë të regjistruar mbi 4000 mijë nxënës ku numri në çdo kohë është 50-70 anëtarë të grupmoshave të ndryshme vajza dhe djem. Me kënaqësi të madhe edukoj dhe ushtroj fëmijët që qëllimi kryesor të jetë të formohen si sportist të vërtet dhe të bëjnë rezultatet e tyre sportive dhe të ngrehen me grada – tituj në karate.
KOHA: Në fillim si karateistë e pastaj si trajner, sa ishte e vështirë për ju detyra e re?
HUSEINI: Detyra e re për mua ka qenë me plot entuziazëm dhe dëshirë të madhe për të ardhur koha të shkoj në stërvitje, që do të thotë se aspak s’jam menduar se ndryshe do del përveç se detyre e suksesshme.
KOHA: A mendoni se deri tani keni arritur suksesin të cilin e keni patur synim?
HUSEINI: Pyetje me vend dhe pyetje që meritoj të më parashtrohet, jam krenar dhe mburrem që diku një dekadë kam qenë radhazi klubi më i suksesshëm në Maqedoni, sportist më të suksesshëm, trajneri më i suksesshëm dhe klubi më i suksesshëm. A ka më krenari se ti kesh këta tituj në nivel lokal, nivel të shqiptarëve në Maqedoni, në nivel mbarëkombëtarë në Tiranë dhe në nivel Republikan. Normal që kam arritur, Berat Jakupin njeriun e art të kampionateve evropiane, dhe shumë emrave të shumte që i ka pasur klubi çdoherë.
KOHA: KK Fati çdo herë ka patur talent në ekip, ndër ta edhe talentet e karatesë Berat Jakupi, Vjosar Cara, Ekrem Hajdari, Adriatik Azizi, Doan Osmani, Vjollca Gafuri, dhe shume të tjerë. Cili është suksesi më i madh i këtyre sportistëve?
HUSEINI: Është e vërtet këta emra janë të art në historinë e klubit që gjithmonë kanë sjell medalje nga Ballkaniku, shtetërori, mesdhetari, evropiani. Suksesi normal që është i Berat Jakupit siç e njohin të gjithë si karateisti i art i kohërave 2007-2014, por ama edhe emrat tjerë janë të art pasi edhe ata kanë prezantuar klubin shqiptarët dhe shtetin në çdo vend të botës duke filluar nga Adriatik Azizi, Vjosar Cara, Doan Osmani dhe Vjollca Gafuri ku vite me radhë janë anëtare standard të reprezentacionit të Maqedonisë ku edhe nuk mungojnë rezultatet e tyre. Tani kemi edhe talent të rinj në klub si Driton Halimi, Adrian Mamuti, Ylli Fetahi, Dagin Fejzuli ku sukseset nuk mungojnë.
KOHA: Na trego sa talent të karateistëve ka prodhuar KK FATI?
HUSEINI: Këtu është qëllimi kryesor në sport të prodhosh talent apo të shfrytëzosh talentin e fëmijëve që në të ardhmen ata të jenë të suksesshëm të tipit evropian. KK “Fati”, ka prodhuar shumë talentë duke filluar nga Berat Jakupi, Adriatik Azizi, Ekrem Hajdari, Arlind Iseini, Ejup Iseini, Alban Sulejmani, Vjosar Cara, më vonë Doan Osmani, Vjollca Gafuri etj, janë të prodhuar në këtë klub duke ushtruar nga mosha e tyre 6 vjeçare e deri më tani, që janë në klub mbi 10 vite radhazi. Me punë serioze dhe me sistem pune në klub ja arin qëllimit që talentet ti formosh në emra publik emra të njohur në sport.
KOHA: Puna juaj nuk ndalon, çdo vit regjistroni suksese. Si arrini deri te kjo?
HUSEINI: Sukseset flasin që nuk duhet ndalur me punë, mbrojtja e sukseseve të larta janë puna serioze si element kryesor dhe sulmet drejt piedestalit. Dua të dal që ndonjëherë lehtë është të besh rezultat por e rende është rruga ta ruash rezultatin, por po të punosh me program permanente do t’ia arrish qëllimit që të jesh pjesë e sukseseve të larta.
KOHA: Çfarë i duhet një karateisti që të arrij majat e këtij sporti?
HUSEINI: Disiplinë, rregullshmëri në stërvitje, ushqim të rregullt dhe të shëndosh. Tiparet me të rëndësishme të një pjese të karrierës kulminante sportive. Pastaj puna serioze dhe përkushtim i vëmendshëm.
KOHA: Deri ku ka arritur fama e KK FATI?
HUSEINI: Mund të them në vend të duhur sportiv dhe profesional të një klubi të madh me rezultate goxha të mëdhaja dhe historike për klubin. Rezultatet e medaljeve të arta evropiane dhe botërore tregojnë që fama është e madhe dhe meritore.
KOHA: Si arrini që të mbijeton klubi juaj?
HUSEINI: Me vështirësi të madhe. Të jemi të realët është vështirë shumë të ndjekësh suksese të larta pa përkrahje serioze në aspekt material. Por investimi dhe dëshira e prindërve është e para, por nuk mungon edhe përkrahja e institucioneve lokale. Por në përgjithësi është e pakt aspekti i mbështetjes financiare por me dëshire dhe vullnet të madh gjendemi disi.
KOHA: Në Maqedoni shumë pakë investohet në sportin e karatesë. Ku qëndron problemi?
HUSEINI: Në Maqedoni nga ana institucionale apo nga Agjencioni për Rini dhe Sport ka investim bukur të mirë por ata shfrytëzohen në shumë destinacione por shumica e tyre për senioret, mendohet që në të ardhmen të financohen edhe më tepër sepse me futjen në familjen olimpike karateja do ketë përkrahje edhe me serioze edhe nga komiteti olimpik i Maqedonisë.
KOHA: E përmendet futjen e karatesë në familjen Olimpike. Ju jeni trajner edhe në reprezentacionin e Maqedonisë. A mendon që Maqedonia në të ardhmen mund të sjell medalje nga Lojërat Olimpikë.
HUSEINI: E kemi treguar në lojërat në Baku që u mbajtën nga gjithë ekspedicioni i Maqedonisë, në shumë sporte ku dhe karateja ishte pjesë e saj. Vetëm në karate u morën dy medalje të bronzta, gjë që tregon se karateistët në Maqedoni, janë të rrugës që në lojërat Olimpikë të synojnë medaljet.
KOHA: I kthehemi jetës private. Jeni i martuar dhe jeni prind i dy fëmijëve, Andit dhe Blendit. A do kishit dashur që ata të ndjekin hapat tu?
HUSEINI: Po i martuar dhe jam prind i dy fëmijëve sportdashës, Blendi në futboll ndërsa Andi pesë vjeçar adhurues i karatesë. Edhe po mos te jesh i suksesshëm do dëshirosh që të vazhdojnë edhe fëmijët me një qellim që të jen të suksesshëm por pasi se kam arritur nivelin më të lart sportiv të karrierës së trajnerit pse jo që edhe fëmijët të vazhdojnë një karrierë të tillë që të punojnë dhe të ndërrojnë kulme edhe më të mëdha në karrierën sportive.
KOHA: Sa koha ndanë Arlindi për familjen. A është e vështirë për ju ku jeni jashtë vendit
HUSEINI: Ambasadorët e vendit normal që pak mund të ndajnë kohë sepse për të arritur rezultatet që i kam unë është vështire por normal që ndaj sepse edhe ata janë pjese e përkrahjes në karrierën time sportive dhe çdo rezultat e ndaj më ta. Unë edhe si trajner edhe si seleksionues në kategorinë e senioreve te rinj U21. Kam shume obligime dhe shume udhëtime me reprezentacionin që e udhëheq unë por me dëshirë, vullnet dhe me përcaktim maksimal ndaj punës që e udhëheq ja dal me plot sukses.
KOHA: Çfarë presim në të ardhmen nga KK FATI?
HUSEINI: E ardhmja është e qartë, vetëm punë që mos të na kaloj kohe sepse karateja çdo ditë përparon dhe nëse të shkel koha e ke problem të shohësh një të ardhme të suksesshme por ne, unë bashkarishtë me garuesit e mi, çdo ditë përparojmë ne aspekt profesional të karatesë dhe sukseset nuk do na mungojnë, kemi gara vendore, mbarëkombëtare dhe ata ndërkombëtarë që udhëtojmë me klubin por kemi edhe garues që prezantojnë Maqedoninë në gara ballkanike, evropiane në Sofje të Bullgarisë në shkurt dhe kampionatin botëror për kadet, junior dhe U21 ne Tenerife të Spanjës ku do mundohemi të kemi numër të lart të garueseve shqiptare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.