Pretendimet e Muzeut të Qytetit ishin se po analizonin gjendjen e këtij monumenti të kulturës, ndërsa në Myftini dyshojnë se punimet e nisura pa i vënë në dijeni, kishin të bënin me gërmimet për të kërkuar themelet e kishës së Shën Ilisë, për të cilin edhe vetë Komuna e Shtipit beson se gjendet pikërisht në këtë xhami
Evis HALILI
Shkup, 13 tetor – Myftnia e Shtipit ka ndërprerë punimet që nisën të enjten e kaluar në xhaminë Husamedin Pasha në Shtip nga ana e Muzeut të Qytetit. Pretendimet e Muzeut të Qytetit ishin se po analizonin gjendjen e këtij monumenti të kulturës, ndërsa në Myftini dyshonin se punimet e nisura pa i vënë në dijeni, kishin të bënin me gërmimet për të kërkuar themelet e kishës së Shën Ilisë, për të cilin edhe vetë Komuna e Shtipit beson se gjendet pikërisht në këtë xhami, shkruan gazeta KOHA.
Myftiu i Shtipit, Naser Rexhepi thotë se me kërkesën e bërë prej tyre, punimet janë ndërprerë dhe ata kanë kërkuar nga Muzeu dhe Drejtoria e Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës që ekipi që do të merret me punimet, të shoqërohet edhe nga përfaqësues të tyre.
“Xhamia gjendet vetëm pak metra nga myftinia, përdoret si faltore prej nesh kur na e lejojnë kushtet dhe prandaj kishim shumë hapësirë për të dyshuar, pasi filluan me punime pa asnjë lloj informimi. Kështu ka ndodhur me shumë xhami të tjera, në Manastir, Ohër, Resnjë…, ku kanë nisur me ekzaminimin e gjendjes statike dhe kanë përfunduar duke gërmuar për të gjetur gjoja themele kishe apo manastiri. Hasëm në mirëkuptimin e përfaqësuesve të muzeut dhe DMT dhe punimet janë ndërprerë. Javën e ardhshme do të duhet të takohemi sërish dhe kemi kërkuar prej tyre që t’i shoqërojë një përfaqësues i BFI-së, ose ekspert”, thotë myftiu Rexhepi.
Sipas historianit të artit dhe kryetar i Këshillit nacional për trashëgiminë në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, ndërhyrje të tilla në një objekt që mbrohet nga shteti janë të ndaluara. Por edhe për faktin se nga hulumtimet e bëra nga institucionet kompetente, është konstatuar se nuk ka ekzistuar kishë në themelet e faltores. Shehapi sqaron se xhamia e Husamedin pashës është një monument me karakteristika kulminante të stilit klasik të periudhës osmane të shekullit të 16-të dhe si e tillë – është shpallur dhe regjistruar si monument kulture.
“Çdo dilemë nëse ka pasur kishë apo jo në themelet e saj, është eliminuar me kohë. Në bazë të konventave ndërkombëtare, por edhe të Ligjit aktual, nuk lejohet të zhvillohen gërmime ose hulumtime tek një objekt i valorizuar, aq më pak kur ka indikacione me tendenca për asgjësimin ose shndërrimin e tij në një objekt tjetër. Mund të ketë hulumtime në këtë objekt, por vetëm sa u përket fazave të ndërtimit të vetë xhamisë ose për restaurimin e godinës ekzistuese. Siç duket, njerëzit kompetentë në Shtip, por edhe më gjerë, nuk mund të pajtohen me këtë realitet, pra me ekzistimin e një objekti të religjionit tjetër, prandaj insistojnë në afirmimin e idesë së ekzistimit të kishës (Shën Ilija) në vendin e xhamisë. Kjo gjë nuk është në dobi as të shkencës – trashëgimisë kulturore e as në frymën e ruajtjes dhe kultivimit të marrëdhënieve ndëretnike e ndërfetare jo vetëm për Shtipin me rrethinë, por për të gjithë shtetin”, thotë Shehapi për KOHA. Në fakt, vetë Komuna e Shtipit ka dilema. Në ueb faqen e këtij institucioni, ky objekt i kulturës përshkruhet si një kishë.
“Xhamia Husa Medin Pasha ngrihet mbi një kodër, në anën e majtë të qytetit. Objekti njihet edhe si kisha Shën Ilija, pasi besohet se është ndërtuar mbi themelet e një tempulli të lashtë kristian. Sipas legjendës, xhamia është ndërtuar në shekullin e 17-të. Kisha që i kushtohet Shën Ilisë është ndërtuar mes shekullit të 13-të dhe 14-të. Pranë xhamisë gjendet edhe varri i Husamedin Pashës”, shkruhet në faqen e Komunës. (koha.mk)