Ambasadori i Republikës së Hungarisë Llasllo Duks sot i premtoi kryeministrit Zoran Zaev se do ta inkurajojë Komisionin Evropian në strategjinë e saj për zgjerim, në kontekst pozitiv, krahas Serbisë dhe Malit të Zi, t’i përmendë edhe Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Siç informoi pres shërbimi qeveritar, në takimin me Zaevin, Duks ka theksuar se është në vijim procesi i realizimit të disa investimeve të mëdha të kompanive hungareze në Maqedoni. Me këtë, potencoi ambasadori, do të përforcohet edhe ashtu bashkëpunimi i fuqishëm ekonomik mes dy vendeve. Ai theksoi se për momentin këmbimi tregtar mes Hungarisë dhe Maqedonisë është rreth 200 milionë euro.
Duke shprehur falënderim për përpjekjen e anës hungareze në drejtim të përshpejtimit të eurointegrimeve të Maqedonisë, kryeministri Zaev kërkoi nga Hungaria edhe më tej të jetë mbështetës i fuqishëm për hyrje sa më të shpejtë të Republikës së Maqedonisë në BE dhe në NATO, me qëllim që vendi më lehtë t’i përmbushë standardet evropiane.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor, vendi ynë dhe qytetarët tanë meritojnë që edhe Maqedonia të bëhet pjesë e familjes evropiane, kohë të gjatë tashmë presim para dyerve të BE-së”, theksoi Zaev në takimin.
Ai iu falënderua ambasadorit hungarez edhe për ndihmën që Hungaria ia dha Maqedonisë gjatë krizës së emigrantëve.
Në takimin e sotëm edhe kryeministri Zaev edhe ambasadori Duks e përshëndetën pjesëmarrjen e Maqedonisë në samitin ekonomik të organizuar nga Kina i cili do të mbahet në Budapest nga fundi i muajit, ndërsa në të cilin do të marrin pjesë kryeministrat e 16 vendeve evropiane.